Demonstruesit dolën në rrugë në një tjetër natë të premten në Luivill të shtetit të Kentakit, për të protestuar kundër vrasjes së Breonna Taylor-it, një punonjëse afrikano-amerikane e shërbimeve të urgjencës mjekësore, e cila u vra nga policët marsin e kaluar ndërsa po kryenin një bastisje për drogë.
Rreth 15 protestues u arrestuan të premten, tha policia, për shkeljen e ndalim-qarkullimit në orën 21:00.
Më herët të premten, familja e zonjës Taylor dhe avokati i tyre, Benjamin Crump, i bënë thirrje Prokurorit të Përgjithshëm të Kentakit, David Cameron të publikojë pamjet e kamerave që mbanin oficerët në trup, dosjet e policisë dhe transkriptet e procedurave të jurisë që nuk ngriti akuza për vrasje ndaj oficerëve që vranë zonjën Taylor.
Avokati Crump tha se vendimi i jurisë është një shembull i racizmit sistematik që vazhdon në Amerikë. “Kjo nënvizon atë që kemi thënë gjatë gjithë kohës,” tha ai.
E ëma e zonjës Taylor, Tamika Palmer, tha, se “policia dhe ligji nuk u krijuan për të na mbrojtur ne, gratë me ngjyrë”. Zonja Palmer tha se vendimi i jurisë konfirmon faktin se ajo “nuk ka besim në sistemin ligjor”.
Zonja Palmer tha se ajo “e dinte” që Prokurori Cameron “nuk do ta bënte kurrë punën e tij” dhe shtoi se, “Sistemi i tërë ka dështuar të mbrojë Breonna-n.”
Zoti Cameron është prokurori i parë i përgjithshëm afrikano-amerikan i shtetit Kentaki
Kreu i maxhorancës në Senat, Mitch McConnell, që përfaqëson shtetin Kentaki, mbrojti hetimin gjatë një fjalimi të enjten në sallën e Senatit, duke thënë se zoti Cameron “zhvilloi pikërisht llojin e hetimit të paanshëm dhe të plotë që kërkon drejtësia”. Ai i quajti protestat në Luivill, gjatë të cilave dy oficerë policie u qëlluan me armë, “evidencë e mëtejshme të paligjshmërisë, trazirave, dhe dhunës që kanë goditur qytetet amerikane kaq shpesh gjatë këtij viti”.
Zoti Crump shkruajti në Twitter se ai shpreson që një hetim federal për vrasjen e zonjës Taylor do të ngrinte akuza ndaj oficerëve. “Shpresoj që hetimi i FBI-së të sjellë më në fund drejtësi për Breonna-n dhe familjen e saj”.
Zonja Taylor u vra kur gjatë një operacioni anti-drogë, policia hyri në apartamentin e saj me një autorizim hyrjeje “pa trokitur” – një mekanizëm ligjor që u lejon policëve të hyjnë në një mjedis pa paralajmëruar, me qëllim ruajtjen e provave që mund të shkatërrohen. Në apartamentin e saj nuk u gjet drogë.
Megjithatë, zoti Cameron tha të mërkurën se një fqinj i zonjës Taylor kishte dëgjuar policinë të njoftonte prezencën e saj ndërsa hynin në apartamentin e zonjës Taylor dhe se hyrja e tyre nuk konsiderohej e llojit “pa trokitur”.
Zoti Cameron tha se oficerët “ishin të justifikuar në përdorimin e forcës”, pasi i dashuri i zonjës Taylor, Kenneth Walker, i cili nuk dëgjoi ndonjë njoftim nga policët, qëlloi me armë ndaj tyre i pari, kur ata hynë në apartament, duke menduar se ishin keqbërës.
Vëmendja është fokusuar tek të shtënat e zonjës Taylor dhe raste të tjera, pas vdekjes më herët këtë vit të George Flyod-it, një afrikano-amerikan, pasi një polic i bardhë i qytetit Minneapolis i vendosi gjurin në qafë. Vdekja e zotit Floyd ngjalli protesta në mbarë botën për padrejtësinë sociale. zëri i amerikës
Komentet