Shtetet e Bashkuara duhet të ndërrmarin hapa të tjerë për t’iu përgjigjur konfliktit në Ukrainë, pasi që sanksionet ekonomike dhe aksionet e tjera të Perëndimit kanë dështuar që të shtynë presidentin e Rusisë, Vladimir Putin të ndërrojë kursin, ka thënë Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Ash Carter.
Pas takimit me diplomatë dhe me zyrtarë ushtarakë në Stuttgart të Gjermanisë, Carter ka thënë se Pentagoni është i shqetësuar “me gjërat e tjera që po ndodhin”, pas luftimeve që filluan këtë javë në Ukrainën lindore.
Shqetësimi i Carterit vjen pas deklaratave të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg, i cili ka akuzuar Moskën se ka dërguar armë të reja më të sofistikuara, për të ndihmuar rebelët pro-rusë në lindje të Ukrainës, përfshirë këtu edhe artileri dhe sisteme kundër-ajrore.
“Ajo që është e qartë është se sanksionet janë duke ndikuar në ekonominë ruse”, duke shkaktuarvështirësi për rusët dhe vendi do të kalojë një recension të thellë këtë vit, u tha gazetarëve Carter.
“Ajo që nuk është e qartë akoma është se nëse efekti në ekonominë e vendit, do ta frenojë Putinin që të ndjekë kursin që ndoqi vitin e kaluar në Krime”, kur Moska e aneksoi këtë territor të Ukrainës.
Kjo do të thotë se NATO është duke e rishikuar strategjinë e saj, tha Carter.
“Ka gjëra të tjera që ne duhet t’i bëjmë që të bindemi me faktin se … Putini nuk duket se do të ndryshojë kurs”, ka thënë Carter.
Zyrtarët amerikanë kanë thënë se gjatë mbledhjes në Stuttgart nuk është marrë asnjë vendim, por është diskutuar për rritjen e numrit të trajnimeve ushtarake të SHBA dhe NATO-s. rel
Komentet