Pothuajse 80 përqind e amerikanëve, përfshirë më shumë se gjysmën e republikanëve, njohin presidentin e zgjedhur Joe Biden si fitues të zgjedhjeve të 3 nëntorit pasi shumica e agjencive të lajmeve e shpallën atë fitues të garës bazuar në epërsinë e tij në shtetet fushëbetejë, sipas një sondazhi të agjencisë së lajmeve Reuters dhe kompanisë Ipsos.
Ndërsa gara me presidentin e tanishëm republikan Donald Trump ende mbeti e papërcaktuar në tre shtete deri të martën vonë pasdite, Biden, të cilit i duheshin 270 vota të Kolegjit Zgjedhor për të fituar, kishte 279 kundrejt 214 votave elektorale të Presidentit Trump, sipas organizatës kërkimore “Edison Research”.
Biden mori 76.3 milionë vota, ose 50.7 përqind të të gjitha votave të numëruara deri të martën, ndërsa Presidenti Trump mori 71.6 milionë, ose 47.6 përqind të totalit të votave.
Anketa kombëtare Reuters/Ipsos, e cila u bë mes të shtunës dhe pasditës së të martës, zbuloi se 79 përqind e të rriturve në Shtetet e Bashkuara besojnë se Biden fitoi zgjedhjet presidenciale. 13 përqind e pjesëmarrësve në anketë thanë se zgjedhjet nuk janë vendosur ende, 3 përqind thanë se Trump fitoi dhe 5 përqind thanë se nuk e dinin rezultatin.
Rezultatet u ndanë disi përgjatë vijave partiake: rreth gjashtë në 10 republikanë dhe pothuajse çdo demokrat thanë se Biden i fitoi zgjedhjet.
“Edison Research”, organizata e cila bëri exit-pollet për agjencinë e lajmeve Reuters dhe mediat kryesore, të shtunën e shpallën zotin Biden fitues të zgjedhjeve pasi ai e zgjeroi epërsinë ndaj Presidentit Trump në Pensilvani.
Presidenti Trump ende nuk e ka njohur rezultatin e zgjedhjeve. Ai shpalli fitoren para kohe, shumë kohë para përfundimit të numërimit të votave dhe është ankuar pa dhënë prova se ai është viktimë e manipulimit të gjerë të votave.
Pretendimet e tij janë përsëritur nga anëtarë të kabinetit të tij.
Prokurori i Përgjithshëm amerikan, William Barr ka autorizuar nisjen e hetimeve federale mbi pretendime “substanciale” për parregullsi në votime dhe sekretari i shtetit Mike Pompeo të martën tha se ai parashikon “një tranzicion të qetë në një administratë të dytë të Presidentit Trump”.
Sondazhi i Reuters/Ipsos ishte pjesë e një sondazhi më të gjerë të zhvilluar mes ditës së premte dhe të martës, dhe përfshinte përgjigje të marra para shpalljes së fituesit të garës presidenciale nga mediat.
Sondazhi tregoi se 70 përqind e amerikanëve, përfshirë 83 përqind të demokratëve dhe 59 përqind e republikanëve besojnë se zyrtarët e tyre lokalë të zgjedhjeve e “bënë punën me sinqeritet”.
Sondazhi zbuloi gjithashtu se 72 përqind e pjesëmarrësve mendojnë se kandidati që ka marrë më pak vota elektorale duhet të pranojë humbjen, dhe 60 përqind e tyre mendojnë se do të ketë një transferim paqësor të pushtetit kur mandati i Presidentit Trump të përfundojë në janar.
zëri i amerikës
Komentet