Gjatë dy viteve të fundit, sekretari i mbrojtjes i SHBA Jim Mattis u ka bërë thirrje homologëve të tij të shqetësuar në NATO që ta gjykojnë administratën Trump nga veprimet e saj dhe jo nga ato që shkruan Presidenti në Tweeter, apo nga komentet e tij të befta. Por të enjten, Presidenti Trump postoi një koment në Tweeter që evropianët nuk mund të injoronin – njoftimin se gjenerali me katër yje do të largohej së shpejti nga Pentagoni.
Mesazhi nuk ishte fare i papritur. Ai erdhi një ditë pasi zoti Trump urdhëroi kthimin e trupave tokësore të SHBA nga Siria veriore. Megjithatë, kjo i ka tronditur aleatët tradicionalë të Amerikës, të cilët ashtu si zoti Mattis duan me çdo kusht të ruajnë të paprekur aleancën evropiano-amerikane. Tek gjenerali i marinës ata shihnin një partner tek i cili besonin dhe për të cilin mendonin se kishte ndihmuar për të zbutur një udhëheqës amerikan të paparashikueshëm.
Një ministër britanik i mbrojtjes ishte ndër të parët që reagoi publikisht për largimin e zotit Mattis. “Më vjen shumë keq që shoh Jim Mattis të largohet,” shkruante Tobias Ellwood në Tweeter. “Njeri i besuar, i respektuar dhe i admiruar nga miqtë dhe aleatët. Shihej me frikë dhe respektohej nga armiqtë tanë. Mendja më mbresëlënëse ushtarake që kam pasur nderin të njoh. Jim, miku im, bota do të jetë më pak e sigurt pa ty,” shtonte ai.
Zoti Mattis ka lidhje veçanërisht të ngushta me rangjet e larta të ushtrisë britanike, lidhje që u thelluan gjatë Luftës së Gjirit Persik, në Afganistan dhe përsëri në vitin 2003 në Irak. Për britanikët si dhe për aleatët e tjerë të Amerikës, 68-vjeçari Mattis shihej si njeriu ku mund të drejtoheshin për t’i paraqitur pikëpamjet e tyre në Shtëpinë e Bardhë të Presidentit Trump dhe si një dorë e qëndrueshme që mund të ishte në gjendje të frenonte një president i cili ka vënë në pikëpyetje vlerën e aleancës atlantike, thonë disa zyrtarë ushtarakë evropianë.
Kjo e vuri sekretarin Mattis në një pozitë mjaft delikate, duke e testuar atë gjatë gjithë kohës. Për një numër çështjesh, zoti Mattis kishte mendim të ndryshëm nga shefi i tij: nëse tortura duhet të përdoret përsëri për të dyshuarit për terrorizëm; çfarë strategjie duhet që SHBA të ndjekin në Siri; nëse prania ushtarake e SHBA në Afganistan duhet të marrë fund apo të pakësohet; çfarë qëndrimi duhet mbajtur ndaj një Rusie gjithnjë e më agresive dhe një Kine sfiduese. Dhe mbi të gjitha: se si duhet të zhvillohen marrëdhëniet me aleatët e NATO-s.
Zoti Mattis i bënte të qarta në letrën e tij të dorëheqjes të enjten dallimet që ai kishte me Presidentin Trump, duke theksuar besimin e tij tek rëndësia e aleatëve tradicionalë të NATO-s dhe Amerikës. “Një besim thelbësor që kam ruajtur gjithmonë është se forca jonë si vend është e lidhur pazgjidhshmërisht me forcën e sistemit tonë të veçantë dhe gjithëpërfshirës të aleancave dhe partneriteteve”, shkruante Mattis. “Ndonëse Shtetet e Bashkuara mbeten vendi i domosdoshëm në botën e lirë, ne nuk mund t’i mbrojmë interesat tona në mënyrë të efektshme pa mbajtur aleanca të forta dhe pa treguar respekt për këta aleatë”.
Marrëdhëniet e SHBA-së me Evropën janë në pikën e tyre më të ulët në historinë e NATO-s pas një sërë shkëmbimesh të hidhura midis Presidentit Trump dhe udhëheqësve evropianë. Kritika e tij e hapur ndaj aleatëve të NATO-s ka patur jehonë në të gjithë kontinentin. Këtë vit, Presidenti Trump la të kuptohej se ai mund të shkurtonte nivelet e forcës amerikane në Evropë, nëse aleatët nuk rritin shpenzimet e tyre ushtarake. “Ata po na shkatërrojnë me NATO-n,” tha zoti Trump gjatë një fjalimi në Montana. “Po na shkatërrojnë,” shtoi ai.
Aludimet e tij në të kaluarën se ai mund të njihte aneksimin e Krimesë nga Moska dhe fakti që e ka minimizuar Rusinë si kërcënim, sipas tyre e ka shtuar alarmin dhe pikëpyetjet nëse Amerika është ende e përkushtuar ndaj mbrojtjes kolektive.
Në prapaskenë, zoti Mattis përpiqej të zbuste shqetësimet evropiane. Evropianët “besojnë tek Sekretari Mattis”, thoshte Nicholas Burns, diplomat në pension dhe ish-i dërguari i SHBA-s në NATO. “Ata nuk i besojnë Presidentit Trump.”
Zyrtarët ushtarakë evropianë thonë se e kanë parë atë si mishërim të vazhdimësisë në politikën amerikane të mbrojtjes dhe në një administratë të paparashikueshme. Ata i ngushëllonte këmbëngulja e zotit Mattis se ai nuk do të jepte dorëheqjen. Por muajt e fundit mes homologëve të tij të NATO-s ishte shtuar shqetësimi se ai mund të largohej dhe zyrtarët evropianë thanë se e kishin ndjerë se ndikimi i tij ishte në rënie. Shenjat e para erdhën me mënjanimin e aleatëve të tij në administratë.
Duke folur për televizionin britanik, Karin Von Hippel, drejtoreshë e Institutit britanik të Shërbimeve të Bashkuara Mbretërore, tha se largimi i zotit Mattis është “shumë shqetësues,” është një “ngjarje e jashtëzakonshme”. Von Hippel tha se zi ishte njeriu “ku mbështetshin të gjithë për t’u vënë gjërave kapak”.
Largimi i zotit Mattis e ka shtuar në alarmin në rritje të evropianëve. Këtë javë, aleatët evropianë të Amerikës u ndienë të kapur në befasi nga ndryshimet e papritura. Aleatët, të cilët gjithashtu kanë trupa në Sirinë veriore që veprojnë në partneritet me forcat speciale amerikane, nuk u konsultuan përpara se zoti Trump të merrte vendimin për t’i tërhequr trupat. Nuk u konsultuan as forcat ushtarake siriane të mbrojtjes, të udhëhequr nga kurdët, që kanë ndërmarrë luftimet më të forta kundër grupit terrorist Shteti Islamik.
Vlerësimet për mundësinë e një rigjallërimi të ISIS-it ndryshojnë ndjeshëm midis Uashingtonit dhe politikëbërësve në selinë e NATO-s.
Zyrtarët britanikë dhe francezë e kanë kundërshtuar pretendimin e Presidentit Trump se ISIS-i në Siri është mundur. Gjithashtu, për këta zyrtarë, planet e udhëheqësit të Uashingtonit për të përgjysmuar praninë e trupave amerikane në Afganistan janë veçanërisht pa vend, ndërkohë që misioni perëndimor atje është zyrtarisht një mision i NATO-s.
Zyrtarët e NATO-s po kujdesen që të mos i zgjerojnë dallimet strategjike me Uashingtonin me komente publike. Zëdhënësja e NATO-s Oana Lungesku i ka referuar gazetarët tek autoritetet e SHBA për të komentuar mbi planin e Shtëpisë së Bardhë për të reduktuar numrin e trupave amerikane në Afganistan.
Zyrtarët thonë se Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg ka biseduar me telefon me Sekretarin amerikan të Shtetit Mike Pompeo rreth Sirisë dhe Afganistanit dhe zyrtarët e SHBA pohojnë se Uashingtoni “mbetet i angazhuar ndaj Aleancës, i angzhuar të punojë me aleatët për të frenuar kundërshtarët dhe për të mbrojtur qytetarët.”
Komentet