Ngritja e akuzave penale ndaj Paul Manafortit, ish manaxheri i fushatës së Presidentit Donald Trump, ka tronditur komunitetin e lobimit në Uashington.
Manafort dhe ish partneri i tij, Rick Gates, akuzohen se kanë shërbyer si agjentë të paregjistruar të një qeverie të huaj në kundërshtim me Aktin e Regjistrimit të Agjentëve të Huaj.
Ligji kërkon që kushdo që kryen “veprimtari politike” për një qeveri të huaj ose parti të huaj politike të bëjë të njohur punën dhe shpenzimet e tij pranë Departamentit të Drejtësisë. Mosrespektimi i ligjit mund të çojë në një dënim me burg deri në pesë vjet.
Por ky ligj nuk është zbatuar me rigorozitet. Shumë pak lobistë regjistrohen dhe shkelësit e ligjit rrallë dënohen. Mes vitit 1966 dhe 2015, Departamenti i Drejtësisë ka ngritur vetëm shtatë akuza penale për shkelje të ligjit të njohur si FARA. Aktakuza ndaj zotit Manafort shënon rastin e tetë.
Vendimi i Prokurorit të Posaçëm Robert Mueller për të përfshirë akuzat për shkelje të ligjit FARA në aktpadinë prej12 akuzash kundër dy lobistëve Manafort dhe Gates, është një paralajmërim ndaj komunitetit të lobimit për qeveritë e huaja, se Departamenti i Drejtësisë do të jetë më i ashpër në zbatimin e këtij ligji.
Anëtarët e Kongresit po kërkojnë të ndreqin atë që kritikët e shohin si një sistem të çalë.
Dy ligjvenës republikanë, senatori Chuck Grassley dhe anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve Mike Johnson, paraqitën projektligje të ngjashme të martën për të fuqizuar Departamentin e Drejtësisë të zbatojë ligjin FARA.
Në një intervistë me Zërin e Amerikës, Joshua Ian Rosenstein, partner me firmën e avokatisë “Sandler Reiff Lamb Rosenstein & Birkenstock” që këshillon klientët për ligjin FARA, diskutoi për pasojat e aktpadisë. Intervista është redaktuar për t’u bërë më e qartë dhe më e përmbledhur.
VOA: Si kanë reaguar firmat e lobimit në Uashington pas aktpadisë Manafort/Gates?
Rosenstein: Ishte vërtetë tronditëse për komunitetin ligjor, njerëz si unë, që merremi me ligjin FARA dhe ligjet politike, por ishte vërtetë traumatike për komunitetin e lobizmit.
Një nga sekretet e pafolura në Uashington është lobimi i fshehtë, veçanërisht për qeveritë e huaja, që ka ndodhur për dekada të tëra. Pjesë e arsyes që kjo ka ndodhur është se megjithëse ligji ka ekzistuar, ai nuk është zbatuar.
Por kjo po ndryshon tani me këtë aktpadi kaq të bujshme për të cilën po flitet kudo në shtyp. Të shohësh ngritjen e akuzës për shkelje të ligjit FARA është një shenjë që tregon se ligji në vetvete është në radarët e prokurorëve në përgjithësi dhe sigurisht në atë të Departamentit të Drejtësisë.
Gjithashtu ka anëtarë të Kongresit që kanë zhvilluar seanca dëgjimore dhe do të vazhdojnë me më shumë seanca të tilla për ligjin FARA. Kjo do të çojnë në rritjen e vëmendjes nga zyra FARA për të qenë më agresive.
VOA: Çfarë ndryshimesh nevojiten për të forcuar zbatimin e ligjit FARA?
Rosenstein: Një prej tyre mund të jetë përfshirë në projekt-ligjin e paraqitur nga senatori Grassley, në se ai do të miratohet dhe nënshkruhet nga presidenti. Mundësia për të detyruar individët e dyshuar si agjentë të paregjistruar të qeverive të huaja të dorëzojnë dokumentet, si pjesë e hetimit të Departamentit të Drejtësisë, është kritike për të siguruar zbatimin e ligjit.
Problemi i dytë është se ekipi i zyrës FARA është relativisht i vogël. Sa më i lartë prioriteti për zbatimin e një ligji të caktuar, aq më shumë buxhet kërkohet për të. Pra funksionimi me një buxhet të vogël dhe me kompentenca të vogla është recetë për zhgënjim.
VOA: Ju e keni lexuar aktpadinë për Manafort/Gates. A kanë prokurorët prova të mjaftueshme për të vërtetuar se është kryer një shkelje penale?
Rosenstein: Duke supozuar se aktpadia mbart me vete prova, ky është si shembull si ata që jepen në librat shkollorë për shkeljen e ligjit FARA.
Ajo që është interesante në aktapadi është akuza e dytë që ka të bëjë me ligjin FARA. Akuza e parë ka të bëjë me dështimin për t’u regjistruar si agjentë të huaj. Akuza e dytë është deklarimi i rremë në materialet e paraqitura pranë zyrës FARA për aktivitete të kryera më parë. Në këtë situatë, zoti Manafort ka shkuar dhe ka biseduar me zyrën FARA në Departamentin e Drejtësisë dhe ka bërë deklarata të rreme..
VOA: Cfarë ndëshkimi ka për shkeljen e ligjit FARA?
Rosenstein: Ndëshkimi është deri në pesë vjet burg dhe 10 mijë dollarë gjobë. Ajo që është interesante në aktpadi është se ka dy akuza.
Njëra ka të bëjë me mosregjistrimin. E dyta ka të bëjë me deklarimet e rreme për veprimtari që kanë ndodhur në të kaluarën dhe deklarata të rreme ndaj Departamentit të Drejtësisë. Kuptohet, secila prej këtyre deklarimeve të rreme mund të jetë një shkelje e veçantë. Unë mendoj se akuza përmban katër ose pesë të tilla.
Një prokuror agresiv mund të thotë se këto janë katër shkelje të qëllimshme dhe të vetëdijshme dhe të kërkojë deri në pesë vjet burg për secilën prej tyre.
Komentet