Në SHBA, Senatori Ted Cruz mundi miliarderin Donald Trump në votimet e shtetit Ajova për kandidatët republikanë presidencialë, duke përmbysur ndjeshëm rezultatet e anketave.
Cruz, ligjvënës konservator nga Teksasi, mori 28 për qind të votave, krahasuar me 24 për qind të zotit Trump, i cili vetëm pak përpara votimeve kryesonte në shumicën e anketave.
Senatori Marco Rubio i Floridës, doli i treti me 23 për qind, rezultat që u komentua si i papritur për shumë analistë.
Kandidatët e tjerë republikanë nuk e kaluan pragun e 10 përqindshit.
Mes kandidatëve demokratë, ish-Sekretarja e Shtetit Hillary Clinton dhe Senatori i Vermontit Bernie Sanders, i cili e përshkruan veten si socialist demokrat, ruajtën një rezultat pothuajse të barabartë, 49.8% me 49.6%.
Ish guvernatori i shtetit Maryland, kandidati demokrat Martin O’Malley, i cili u paraqit dobët në garë, njoftoi pezullimin e fushatës së tij.
Pezullimin e fushatës e njoftoi edhe kandidati republikan, Mike Huckabee, ish-guvernator i shtetit Arkansas, i cili fitoi në Ajova në garat e vitit 2008.
Rezultatet e votimeve në Ajova ofrojnë provën e parë lidhur me atë se çfarë mendojnë votuesit për kandidatët, pas një viti fushate të ashpër dhe hamendjesh të shumta.
Njerëz të shumtë mbushën mbrëmë kisha, shkolla dhe ndërtesa të tjera publike kudo në shtetin Ajova, ku ata morën pjesë në një sistem votimi në të cilin votuesit deklarojnë hapur se cilin kandidat do të mbështesin. Ky sistem i quajtur “caucus”, praktikohet në disa shtete.
Votimi i radhës, kësaj here me sistemin e quajtur “primary”, do të zhvillohet në shtetin Nju Hempshër më 9 shkurt.
Komentet