Sipas zyrtarëve, administrata Trump po përgatitet të heqë udhëzimet për kolegjet dhe universitetet për rritje të diversitetit racor gjatë procesit të pranimit në shkolla.
Mediat njoftuan se zyrtarët e administratës Trump po përgatiten të kundërshtojnë udhëzimet e dhëna nga administrata e Presidentit Barack Obama, e cila pati paraqitur rekomandime ligjore për shkollat që të kenë në konsideratë kriterin e racës gjatë procesit të pranimit të studentëve të rinj. Ky zhvillim u njoftua fillimisht nga gazeta “The Wall Street Journal”.
Zyrtarët e administratës Trump do të argumentojnë se udhëzimet e mëparshme janë në shkelje të vendimeve të Gjykatës së Lartë dhe se i kanë shtyrë shkollat të veprojnë më shumë se sa i autorizon legjislacioni amerikan.
Anurima Bargava, e cila udhëhoqi projektin për zbatimin e të drejtave civile në shkolla gjatë administratës Obama, i kundërshton këto argumenta, duke saktësuar se udhëzimet u ishin dërguar vetëm shkollave që patën filluar shqyrtimin e zbatimit ligjor të barazisë raciale.
Zonja Bargava i tha gazetës “The Wall Street Journal” se “ky është një sulm i mirëfilltë politik që nuk sjell asnjë përfitim”.
Administrata Trump nuk iu përgjigj kërkesave të gazetës për komente.
Kjo lëvizje e administratës Trump vjen në periudhën ndërsa Departamenti i Drejtësisë po heton nëse Universiteti i Harvardit ka shkelur ligjin duke diskriminuar studentët aziatiko-amerikanë, duke u kërkuar atyre kritere më të forta për t’u pranuar në këtë universitet. Zyrtarët e administratës Obama kishin refuzuar një kërkesë të ngjashme për hetime një vit më parë.
Një tjetër padi gjyqësore e vitit 2014 pritet të shqyrtohet në muajin tetor. Në këtë padi pretendohet se Universiteti i Harvardit diskriminon aziatiko-amerikanët duke kufizuar numrin e studentëve aziatikë që pranohen çdo vit.
Një padi tjetër e tillë e paraqitur në vitin 2013 nga Edward Blum, një jurist aktivist kundër kritereve etnike dhe raciale të pranimit në shkolla, kundër Universitetit të Teksasit në Austin, nuk arriti të provojë se universiteti favorizonte studentët minoritarë.
Komentet