VOAL

VOAL

Fuere: Maqedonia përbën rrezik edhe për rajonin

April 15, 2016

Komentet

Vulini përsëri në Moskë, takohet me shefin e spiunazhit të Rusisë

Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Serbisë, Aleksandar Vulin, është takuar të mërkurën me drejtorin e Shërbimit të Jashtëm për Inteligjencë të Rusisë, Sergey Naryshkin.

Vullin dhe Naryshkin kanë diskutuar për përmirësim dhe forcim të bashkëpunimit mes strukturave të sigurisë së Serbisë dhe Rusisë, ka thënë Qeveria e Serbisë, më 16 tetor.

Sipas komunikatës së Qeverisë, Naryshkin ka thënë se “përpjekjet e zëvendëskryeministrit Vullin, i cili, duke kryer funksionet e ministrit të Mbrojtjes, të Punëve të Brendshme dhe drejtorit të Agjencisë për Siguri dhe Informacion (BIA), ka ndikuar në zhvillimin e marrëdhënieve të mira mes shërbimeve serbe dhe ruse.”

Vullin, në anën tjetër, ka falënderuar shefin rus të spiunazhit për “partneritetin e besueshëm dhe gjithmonë të sigurt, si dhe mbështetjen ndaj Serbisë”.

Përveç takimit me Naryshkinin, Vullin pritet të takohet edhe me zyrtarë tjerë rusë, dhe do të marrë pjesë në një pritje të Ambasadës së Serbisë në 80-vjetorin e çlirimit të Beogradit nga pushtimi gjerman gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Vulin konsiderohet si një nga mbështetësit më të mëdhenj të Kremlinit në udhëheqësinë serbe.

Ai është takuar edhe me presidentin rus, Vladimir Putin, në margjinat e Forumit Ekonomik Lindor në Vlladivostok, kur ka deklaruar se Serbia nuk është vetëm partnere strategjike, por edhe aleate e Rusisë.

Në janar të këtij viti, Vullin është nderuar nga presidenti i Rusisë dhe Shërbimi Federal i Sigurisë së Rusisë.

Vullin është në listën e zezë të Departamentit amerikan të Shtetit, për lidhjet e tij me Rusinë dhe përfshirje në korrupsion gjatë kohës sa ka qenë në krye të BIA-s.

Ai ka dhënë dorëheqje prej kësaj pozite në nëntor të vitit 2023, pas presionit të vazhdueshëm të Perëndimit.

Ai është emëruar nënkryetar i Qeverisë së Serbisë në fillim të majit.

Serbia dhe Rusia kultivojnë tradicionalisht marrëdhënie të afërta.

Serbia është një nga vendet e rralla në Evropë që refuzon t’i bashkohet sanksioneve ndërkombëtare kundër Kremlinit pas pushtimit rus të Ukrainës.REL

Rezultatet e regjistrimit të popullsisë në Mal të Zi: shqiptarët nën 5 për qind

VOA/Ali Salaj

Drejtoria për Statistikat e Malit të Zi, Monstat publikoi të martën një pjesë të rezultateve përfundimtare të regjistrimit të popullsisë në Mal të Zi të kryer në dhjetor të vitit të kaluar, sipas të cilit në Mal të Zi janë 623,633 banorë, një rritje prej 0.6 për qind krahasuar me të dhënat eregjistrimit të vitit 2011.

Sipas të dhënave të Monstat, asnjë grup etnik në Mal të Zi nuk ka shumicë absolute – 41.1 për qind e qytetarëve e identifikojnë veten si malazezë dhe 32.9 për qind si serbë. Krahasuar me regjistrimin e vitit 2011 kemi një rritje të vogël të numrit të përgjithshëm të serbëve. Në regjistrimin paraprak 45 për qind ishte numri i malazezëve dhe 29 për qind i serbëve në Mal të Zi.

Regjistrimi i kryer në Mal të Zi nga 3 deri më 28 dhjetor 2023 tregon se në Mal të Zi 9,45 për qind janë boshnjakë, 4,97 për qind janë shqiptarë, 1 për qind janë rom dhe 0,97 për qind janë kroatë.

Në pyetjen se cila është gjuha e tyre amtare, 36.2 për qind e banorëve malazezë janë përgjigjur se është gjuha malazeze, ndërsa 43.5 për qind janë përgjigjur se gjuha e tyre amtare është serbishtja. Sipas regjistrimit të vitit 2011, gjuha serbe flitej nga 42.88 dhe gjuha malazeze nga 36.97 për qind e popullsisë në Mal të Zi.

Edhe pse regjistrimi është pyetje statistikore dhe udhërrëfyes për pushtetin ekzekutiv se në çfarë mënyre duhet të zbatohen politika të caktuara, veçanërisht ato demografike dhe ekonomike, çështjet e grupeve etnike dhe gjuhës janë mosmarrëveshjet kryesore politike në Mal të Zi që sipas vlerësimit të analistëve po keqpërdoren për qëllime politike.

Forcat pro-serbe dhe pro-ruse si dhe mediat e shumëta në Malin e Zi dhe në Beograd kanë bërë fushatë prej muajsh, duke u bërë thirrje qytetarëve që të deklarohen si serbë.

Fushatës iu bashkua edhe Kisha Ortodokse Serbe , e cila u bëri thirrje qytetarëve që të identifikohen si anëtarë të popullit serb dhe besimtarë të kishës së tyre që flasin gjuhën serbe.

Kisha serbe që vepron ne Malin e Zi e mohon kombin malazez, duke e klasifikuar atë si pjesë të korpusit serb.

Në këtë kuadër edhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq vazhdimisht theksoi rëndësinë e regjistrimit në përcaktimin e numrit të serbëve në Mal të Zi.

Opozita malazeze tha të martën se rezultatet e regjistrimit konfirmojnë se përkundër propagandës së fuqishme, trysnive për të imponuar një koncept etnik, Mali i Zi arriti të ruajë karakterin e tij qytetar.

“Natyrisht, inxhinieria etnike ka dështuar. Është treguar se Mali i Zi ka një bërthamë solide, qytetare dhe shumëetnike, e cila qëndron pa u lëkundur në mbrojtje të interesave shtetërore”, tha Daniel Zhivkoviç.

Për shkak të mosbesimit të një pjese të opinionit në rregullësinë e regjistrimit, në fillim të këtij muaji qytetarëve iu është dhënë mundësia që përmes një aplikacioni të kontrollojnë nëse të dhënat për kombësinë, fenë dhe gjuhën që kanë raportuar në regjistrim janë futur saktë.

Monstat njoftoi se qytetarët nuk kanë raportuar parregullsi për sa i përket saktësisë së të dhënave personale.

Gjykata e Bosnjës pezullon modulin shkollor që paraqet si heronj të dënuarit për krime lufte

Në librin e historisë për klasën e nëntë në Republikën Sërpska, në vend të gjenocidit në Srebrenicë, thuhet se ushtria e këtij entiteti “kapi Srebrenicën dhe Zhepën”.

 

Gjykata Kushtetuese e Bosnje e Hercegovinës e ka pezulluar të premten një pjesë të kurrikulës së arsimit fillor në entitetin serb të Bosnjës, Republika Sërpska, e cila paraqet si heronj të dënuarit serbë për krime lufte gjatë luftës së viteve 1992/1995.

Ministria e Arsimit e Republikës Sërpska e solli një modul rreth luftës në Bosnjë dhe shkaktarët e saj nga këndvështrimi serb për nxënësit e klasës së nëntë.

Sipas këtij moduli, ish-lideri politik i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, dhe komandanti i përgjithshëm i ushtrisë së atëhershme serbe, Ratko Mlladiq – portretizohen si figura historike që mundësuan krijimin e Republikës Sërpska.

Karaxhiq dhe Mlladiq janë dënuar me burgim të përjetshëm për krime lufte dhe gjenocid nga Gjykata Penale Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë në Hagë.

Lufta shkatërruese në Bosnje, gjatë të cilës u vranë mbi 100.000 njerëz dhe rreth dy milionë të tjerë u zhvendosën, përfundoi pas një marrëveshje për paqe të sponsorizuar nga Shtetet e Bashkuara, e njohur si Marrëveshja e Dejtonit.

Me Marrëveshjen e Dejtonit të vitit 1995, Bosnja është ndarë në dy entitete autonome – Federata e Bosnje e Hercegovinës dhe Republika Sërpska – plus Qarku i Bërçkos, që është njësi administrative vetëqeverisëse. Të gjithë bashkë janë nën ombrellën e qeverisë federale dhe presidencës me rotacion.

Në një seancë të premten, gjykata vendosi ta pezullojë me efekt të menjëhershëm pjesën e kurrikulës që merret me luftën dhe krijimin e entitetit serb, pas kërkesës së 13 anëtarëve të Parlamentit të Bosnje e Hercegovinës.

Duke e shpjeguar pezullimin e përkohshëm deri në marrjen e një vendimi final, gjykata tha se zbatimi i atij moduli të kurrikulës rrezikon shkaktimin e përçarjeve dhe ndarjeve shtesë në mesin e nxënësve të etnive të ndryshme.

Në praktikë, gjykata shumetnike ka pushtet të kufizuar për ta bërë të detyrueshëm zbatimin e vendimeve të saj.

Republika Sërpska i ka tërhequr gjykatësit serbë në shenjë proteste kundër pranisë së vazhdueshme të gjykatësve të huaj që shërbejnë në bazë të marrëveshjes për paqe.

Liderët serbë thonë se nuk e respektojnë vendimet e gjykatës dhe i kanë shpërfillur ato në të kaluarën.

Lideri i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, i cili është i sanksionuar nga Britania dhe Shtetet e Bashkuara për shkeljen e provizioneve të Marrëveshjes së Dejtonit, ka bërë thirrje vazhdimisht për ndarjen e entitetit serb nga Bosnja dhe bashkimin e tij me Serbinë. REL

“Vuçiçi po shkatërron vetveten”- Ish-deputeti serb: Sovraniteti në veri është i dukshëm

Ish-deputeti serb, Dragan Shormaz, nga partia e presidentit Aleksandër Vuçiç, ka deklaruar se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë duhet të përmbyllet sa më parë.

 

Shormaz ka theksuar se “është e rëndësishme që të përfundohet ky proces, pasi Bashkimi Evropian ka vendosur që deri në vitin 2030 të gjithë vendet e rajonit të jenë anëtare”.

Duke folur për situatën në veri të Kosovës, Shormaz ka kritikuar Vuçiç për menaxhimin e sulmit terrorist në Banjskë, i cili përfundoi me humbjen e policit Afrim Bunjaku.

Ai ka shtuar se ndryshimet në veri tashmë janë të dukshme, me serbët që marrin pasaporta kosovare dhe fillimin e pagesave të energjisë.

Shormaz gjithashtu ka theksuar se në Serbi pas sulmit terrorist menjëherë nisi një fushatë për zgjedhje, ndërsa çështja e situatës në veri është anashkaluar.

“Vuçiç ka shkatërruar vetveten me aksionin që ka përfunduar tragjikisht me katër jeta, të policit të Kosovës dhe serbëve. Është interesante se pas kësaj nis fushata për zgjedhjet e jashtëzakonshme, askush nuk flet për Banjskën. Ndërsa, ndodh që ndryshohen targat, serbët marrin pasaportat, marrin patentë shofer, dokumente personale, fillon të paguhet rryma. Në veri mbyllen zyrat postare të bankave, pompat e karburantit, dinari ndalohet, të gjitha këto kanë ndodhur ndërsa në Serbi askush nuk flet për këtë çështje”, ka deklaruar ai nw Rtv Dukagjini.

Fuqia e Podgoricës dhe befasia e DPS-së së Gjukanoviqit

Atmosfera para selisë së DPS-së pas shpalljes së rezultateve zgjedhore në Podgoricë, 29 shtator.

 

Millosh Rudoviq

Nëse zgjedhjet në Podgoricë do të ndikojnë në stabilitetin e Qeverisë së Malit të Zi, do të varet nga aleancat paszgjedhore, thotë për Radion Evropa e Lirë analistja politike, Nikolleta Gjukanoviq.

Zgjedhjet në Podgoricë janë një lloj testi për forcat politike në këtë vend, duke qenë se një e treta e popullsisë së Malit të Zi jeton në kryeqytet.

Gjukanoviq vlerëson se, aktualisht, është e paqartë se kush do ta formojë qeverinë e re në Podgoricë.

Sipas saj, gjithçka varet nga ajo se me kë do të bashkohet lista e presidentit të Malit të Zi, Jakov Millatoviq, dhe e ish-kryeministrit Dritan Abazoviq, e cila fitoi gjashtë mandate.

“Ata sigurisht se kanë pritur shumë më shumë vota, por besoj se do të jenë të kënaqur me qëndrimin e partisë, pa të cilën do ta kenë të pamundur ta formojnë qeverinë”, thotë Gjukanoviq.

Nikolleta Gjukanoviq

Nikolleta Gjukanoviq

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Podgoricë u mbajtën më 29 shtator.

Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) në opozitë fitoi më së shumti vota – rreth 30 për qind – dhe 19 mandate.

Pjesa tjetër e opozitës fitoi shtatë mandate.

Pas DPS-së, koalicionet që përbëjnë pushtetin në nivel lokal dhe shtetëror, fituan më shumë mandate – Lëvizja Evropa Tani (PES) dhe Demokratët 14, ndërsa partitë e Frontit Demokratik pro-rus (DF) 13 mandate.

Marrë parasysh se Kuvendi i Podgoricës i ka 59 vende, për të formuar qeverinë nevojiten 30 mandate.

Kjo do të thotë se si Qeveria malazeze, ashtu edhe opozita do të duhet të kërkojnë partnerë koalicioni.

Se si do të ndikojnë rezultatet në situatën politike në Mal të Zi, do të varet nga bisedimet paszgjedhore, thotë Gjukanoviq.

“Nëse qeveria formohet me DPS-në, kjo mund të reflektohet shumë mirë edhe në nivel kombëtar. Nëse qeveria formohet midis partive që deri vonë kanë pasur pushtetin në Podgoricë (PES, Demokratët dhe DF), do të kemi përsëritje të një qeverie jofunksionale ose zgjedhje të reja”, thotë ajo.

Pas shpalljes së fitores në Podgoricë, DPS-ja opozitare tha se duhen zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare, sepse “Qeveria ka rënë”, duke vënë në dukje faktin se partitë që përbëjnë Qeverinë, nuk kanë marrë shumicën në Podgoricë.

Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) në opozitë fitoi më së shumti vota - rreth 30 për qind - dhe 19 mandate.

Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) në opozitë fitoi më së shumti vota – rreth 30 për qind – dhe 19 mandate.

Si erdhi deri te zgjedhjet?

Këto ishin zgjedhjet e dyta në Podgoricë në dy vjetët e fundit.

Zgjedhjet e mëparshme u mbajtën në tetor të vitit 2022, kur qeverisja e DPS-së u zëvendësua pas një çerek shekulli.

Pushtetin atëkohë e morën PES-i i kryeministrit Millojko Spajiq, Demokratët, DF-ja dhe URA.

Zgjedhjet e parakohshme, pastaj, u zhvilluan pas një konflikti në shumicën qeverisëse, kryesisht për shkak të një ndarjeje në lëvizjen PES, e cila kishte më shumë këshilltarë në Kuvendin e Podgoricës.

PES u themelua në qershor të vitit 2022 nga Spajiq dhe Millatoviq.

Me largimin e Millatoviqit nga partia, PES-i humbi një numër këshilltarësh në Kuvendin e Podgoricës.

Në mes të korrikut, rryma e Millatoviqit, me ndihmën e URA-s dhe opozitës, shkurtoi mandatin e Parlamentit lokal, ndërsa Millatoviq, nga pozita e presidentit, shpalli zgjedhjet.

“Nëse janë njerëz, mund të bëjnë marrëveshje”

Sa i përket një marrëveshjeje mes partive për formimin e qeverisë në Podgoricë, shumica e qytetarëve të anketuar nga Radio Evropa e Lirë shprehen skeptikë.

Gjashtëdhjetëvjeçarja Lubica, megjithatë, është optimiste.

“Unë jam gjithmonë optimiste. Nëse nuk arrijnë marrëveshje dhe shpallin sërish zgjedhje, unë definitivisht nuk do të dilja më”, thotë ajo.

Sllavkoja, 28 vjeç, thotë se konfliktet politike çuan në zgjedhje të jashtëzakonshme dhe pret që të ketë prapë probleme.

“Gjithçka do të vazhdojë të jetë njësoj, askush nuk do të jetë në gjendje të bjerë dakord për asgjë. Të gjithë luftojnë për poste dhe populli do të vuajë. Nëse do të rebeloheshim si populli në Francë dhe Evropë, ndoshta diçka do të ndryshonte”, thotë ai.

I pyetur se sa mund të zgjasë kjo situatë, ai përgjigjet:

“Kjo zgjat për një jetë të tërë. Nuk do të shohim asnjë përparim për aq kohë sa mentaliteti ynë është i tillë dhe përderisa ka përçarje të tilla”.

Millivoje, 70 vjeç, thotë se nuk ka nevojë për asgjë nga politikanët, përveçse ata ta bëjnë punën e tyre.

“Premtimet parazgjedhore ishin dëshira muzikore. Do të shohim se çfarë do të bëjnë. Unë nuk dal në asnjë palë zgjedhje, sepse nuk u besoj”, thotë ai.

Brankoja, 39 vjeç, thotë se “nëse janë njerëz, mund të bëjnë marrëveshje” për formimin e qeverisë në Podgoricë, por “zgjedhjet e reja nuk përjashtohen”.

“Gjithçka duket se varet nga karriget. Karriget janë të dashura nga të gjithë”, thotë ai.

Kush mund të jetë i kënaqur dhe kush jo?

Gjukanoviq thotë se shumë parti mund të jenë të kënaqura me rezultatet e zgjedhjeve të 29 shtatorit.

Edhe pse partitë në pushtet i shfrytëzuan maksimalisht qëndrimet e tyre për këto zgjedhje, jo të gjitha dolën aq mirë, sipas saj.

“PES-i – i cili ka një infrastrukturë aq të madhe, të gjitha resurset kombëtare dhe lokale që i përdori gjatë fushatës, të gjitha masat dhe politikat në nivel kombëtar që i vuri në funksion të zgjedhjeve lokale – nuk dha rezultate dukshëm më të mira”, thotë Gjukanoviq.

Mbështetësit e DPS-së duke festuar pas shpalljes së rezultateve zgjedhore në Podgoricë, 29 shtator.

Mbështetësit e DPS-së duke festuar pas shpalljes së rezultateve zgjedhore në Podgoricë, 29 shtator.

Para zgjedhjeve, kryeministri prezantoi disa projekte për Podgoricën, vlera e të cilave llogaritej në më shumë se 500 milionë euro.

Premtimet u mbështetën me video-animacione dhe u prezantuan në konferencat për shtyp të kryeministrit dhe ministrave të tij.

Në anën tjetër, koalicioni i partive të DF-së, thotë Gjukanoviq, i ka shfrytëzuar “me shumë zgjuarsi” të gjitha përfitimet e Qeverisë.

“Dhe, me ndihmën e madhe të Beogradit, Kishës Ortodokse Serbe dhe politikave retrograde, që një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve duket se ka qejf t’i dëgjojë, arriti ta ruante veten si një strukturë e rëndësishme politike”, thotë Gjukanoviq.

Udhëheqësit e DF-së e gëzojnë mbështetjen e Beogradit zyrtar, përkatësisht të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, si dhe të Kishës Ortodokse Serbe.

DF, mes tjerash, kundërshton pavarësinë e Kosovës, kundërshton anëtarësinë e Malit të Zi në NATO dhe mbron heqjen e sanksioneve kundër Rusisë.

Kur bëhet fjalë për DPS-në, rezultati i kësaj partie është befasi e madhe për Gjukanoviqin, sepse ka arritur të mbajë pjesën më të madhe të elektoratit të saj nga zgjedhjet e mëparshme.

“Besoj se edhe teoria, edhe praktika kanë pritur një rënie më të madhe të partisë, pas rënies së saj në vitin 2020 dhe pas ndarjes partiake”, thotë ajo.

DPS-ja e Millo Gjukanoviqit e humbi pushtetin në Mal të Zi në gusht të vitit 2020, pas tri dekadash në pushtet. Kjo u pasua me disfata edhe në zgjedhjet e Podgoricës dhe ato presidenciale.

Ndërkohë, kryeministri i fundit nga DPS-ja, Dushko Markoviq, u largua nga partia dhe themeloi Partinë e Progresit Evropian (SEP), e cila fitoi dy mandate në zgjedhjet e fundit në Podgoricë.

Një qytetare duke votuar në një qendër votimi në zgjedhjet për Podgoricën më 29 shtator 2024.

Një qytetare duke votuar në një qendër votimi në zgjedhjet për Podgoricën më 29 shtator 2024.

Pjesëmarrje e ulët

Në Kuvendin e Podgoricës, përveç partisë së Markoviqit, mandate morën edhe Lëvizja për Ndryshim e aktivistit qytetar, Sërgjan Periq, dhe Aleanca Evropiane, e cila bashkon parti socialdemokrate dhe liberale.

Ajo që e shqetëson më shumë Gjukanoviqin, është pjesëmarrja e ulët në zgjedhje, e cila ishte në nivelin më të ulët në dekadën e fundit.

“Unë mendoj se qytetarët nuk i besojnë procesit zgjedhor. Problemi nuk është se zgjedhjet janë shumë të shpeshta, por që politikanët kanë bërë gjithçka me keqpërdorime dhe qytetarët kanë besim shumë të ulët në procesin zgjedhor”, thotë Gjukanoviq.

Pjesëmarrja ishte pothuajse 15 për qind më e ulët se në vitin 2014, ose 12 për qind më e ulët se në zgjedhjet e fundit lokale, dy vjet më parë.

Përgatiti: Valona Tela

Analisti malazez bën test ADN-je: Shqiptar apo sllav? Rezultati provokon debat

Analisti malazez Ljubomir Filipoviç ka ndezur një debat në Malin e Zi pasi publikoi rezultatet e testit të tij gjenetik, që tregojnë lidhje të forta me origjinën shqiptare. Pasi bëri testin e ADN-së “23andMe”, Filipoviç zbuloi se nga linja e tij atërore mban gjenet më të përhapura tek shqiptarët e veriut të Shqipërisë dhe Kosovës, ndërsa nga ana amtare ka prejardhje greke.

“Duket sikur jam një përzierje 100% ballkanike me prejardhje ilire, trake dhe greke, pa asnjë gjurmë të origjinës sllave,” shprehet Filipoviç. Ai shton se ky fakt tregon se kombet dhe identitetet janë konstruksione sociale dhe jo biologjike.

Deklarata e Plotë e Filipoviçit:

“Prej thjesht kurioziteti, bëra një test ’23andMe’ dhe nuk pati surpriza. Nga ana atërore, mbaj gjenin që haset më shumë tek shqiptarët e veriut të Shqipërisë dhe Kosovës. Duke pasur parasysh origjinën e diskutuar të paraardhësit mitologjik të fisit tim, Bijeli Pavle (Pal Bardhi), nga rajoni i Dukagjinit në Kosovë, gjithçka ka kuptim. Nga ana amtare, jam me origjinë greke, diçka që familja serbe e nënës sime e ka ditur gjithmonë.”

Filipoviç theksoi se analiza gjenetike tregon se kombësia dhe përkatësia etnike nuk lidhen me gjakun. “Nëse gjenetika do të ishte faktori përcaktues i përkatësisë etnike, unë nuk do të kisha një emër sllav apo të flisja një gjuhë sllave. Paraardhësit e mi, si ata të shumë të tjerëve, kanë kaluar nëpër valë të asimilimit dhe zhvendosjeve.”

Në fund, ai e përmbylli duke thënë: “Kombet nuk kanë të bëjnë me gjakun apo me tokën; ato kanë gjithçka të bëjnë me ndjenjën e përkatësisë.” sn

Partia e ish presidentit Gjukanoviç fiton më shumë vota, e paqartë se kush do ta formojë pushtetin vendor në Podgoricë

VOA/Ali Salaj

Sipas rezultateve paraprake jozyrtare të Qendrës për Tranzicionin Demokratik, numrin më të madh të votave në Podgoricë e ka fituar Partia Demokratike e Socialistëve e ish presidentit Milo Gjukanoviç, ku mori rreth 30 për qind të votave duke fituar 19 këshilltarë në Kuvendin e Podgoricës që ka 58 vende.

Rezultatet paraprake tregojnë se Lëvizja Evropa Tani e kryeministrit Milojko Spajiç dhe Demokratëve fituan 14 vende, ndërsa lista e Presidentit të Malit të Zi Jakov Milatoviç dhe Lëvizja Ura fituan 6 vende.

Partitë e ish-Frontit Demokratik pro-rus dhe Partisë Popullore Socialiste pro-serbe do të kenë 13 këshilltarë në Kuvendin e Podgoricës.

Ndërkaq, Bashkimi Evropian mori 3 vende, Partia e Progresit Evropian 2 vende dhe Lëvizja “Revolucioni” 2 vende.

Për të formuar pushtetin vendor në Podgoricë nevojitet një shumicë prej të paktën 29 këshilltarësh.

Edhe pse Partia Demokratike Socialiste, e cila ishte në pushtetin e Malit të Zi për tre dekada, fitoi shumicën e mandateve, është tejet e vështirë që ata të formojnë qeverinë vendore, duke qenë se partitë që sundojnë në nivel shtetëror vazhdimisht kanë theksuar se nuk do të hyjnë në koalicion me këtë parti.

Në Podgoricë kanë votuar 56,3 për qind e votuesve të regjistruar që ësht pjesëmarrja më e ulëtë në dhjetë vitet e fundit.

Rënia e pushtetit në Podgoricë ishte pasojë e mosmarrveshjes dhe ndarjes së partisë që mban pushtetin në Malin e Zi, Lëvizjes Evropa Tani. Partia u nda mes presidentit aktual, Jakov Milatoviç, i cili ishte një nga themeluesit e saj dhe kryeministrin dhe kryetarin të kësaj lëvizjeje, Milojko Spajiç.

Analistët i konsiderojnë të rëndësishme zgjedhjet e Podgoricës dhe i shohin si një provë për zgjedhjet e mundshme të jashtëzakonshme parlamentare në Mal të Zi, të cilat sipas disa vlerësimeve mund të ndodhin për shkak të paqëndrueshmërisë ende të theksuara politike në vend.

Zgjedhjet e mëparshme për Kuvendin e kryeqytetit u mbajtën në tetor të vitit 2022, kur pas gati tre dekadash Partia Demokratike e Socialistëve e ish-presidentit Milo Gjukanoviq humbi pushtetin, në nivel shtetëror dhe pastaj në kryeqytetin malazez në një valë ndryshimesh të përgjithshme politike në shtet.

Mali i Zi ka rreth 633,000 banorë, dhe rreth 180,000 prej tyre jetojnë në Podgoricë, sipas regjistrimit të vitit 2023.

Djali i Trumpit në darkë me biznesmenë në Beograd

Donald Trump Jr., djali i kandidatit republikan për president të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka organizuar një darkë pune me biznesmenë nga Serbia më 23 shtator në Beograd, është konfirmuar për Radion Evropa e Lirë.

Sllavko Cariq, ish-kryetari i bordit ekzekutiv të Erste Bank, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se ka marrë pjesë në darkë, ku, sipas tij, temë ishin “investimet dhe atraktiviteti i mjedisit të biznesit në rajon dhe në Serbi nga perspektiva e investitorëve nga Shtetet e Bashkuara”.

Sipas tij, u diskutua lidhur me atë se “cilat janë ngjashmëritë dhe dallimet e investimit në rajonin e Evropës Juglindore dhe në SHBA, cilat janë avantazhet e këtij rajoni dhe si të realizohet potenciali i plotë në bashkëpunimin e ndërsjellë biznesor”.

Partnerja e Donald Trumpit Jr, Kimberly Guilfoyle, publikoi në Instagram një fotografi të tyre nga darka në Beograd.

Trump Jr., është nënkryetar ekzekutiv në Trump Organization.

Në këtë kompani përfshihen qindra firma dhe partneritete që zotërojnë ose menaxhojnë ndërtesa biznesi, hotele, kulla rezidenciale, klube golfi, të drejta të markës, marrëveshje të licencimit dhe pasuri të tjera në mbarë botën.

Trump Jr. gjithashtu merr pjesë dhe mbështet babanë e tij në fushatën presidenciale për zgjedhjet e nëntorit.

Ai dëshmoi në një gjykim më 2023 kur familja Trump u akuzua për vepra penale të lidhura me tatimet. Akuzat përfshijnë edhe mashtrimin tatimor dhe falsifikimin e dokumenteve të biznesit.

“Trump Organization”, sipas aktakuzës, kishte ekzagjeruar pasurinë e tij dhe ka falsifikuar të dhënat e biznesit.

Në gjykim, Trump Jr. tha se nuk kishte punuar në raportet financiare të fushatës, ka raportuar BBC.

Djali më i madh i Donald Trumpit kishte marrë pjesë edhe në fushatën presidenciale të babait të tij më 2016.

Ai u mor në pyetje nga Senati amerikan lidhur me hetimin e përfshirjes së supozuar të Rusisë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.

Trump Jr. u takua në qershor të vitit 2016 me avokaten ruse, Natalia Veselnitskaya, pasi iu tha se ajo mund t’i ofronte informacione komprometuese për kundërshtaren e atëhershme të babait të tij, Hillary Clinton. REL

Vuçiq do të dekorojë përfaqësuesit e shteteve që votuan kundër Rezolutës për Srebrenicën

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha në Nju Jork se do të dekorojë përfaqësuesit e shteteve “që ishin në anën e Beogradit” gjatë miratimit të Rezolutës për Srebrenicën në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në maj.

“E shoh se disa po çmenden sepse ne po dekorojmë njerëzit që mbrojtën ligjin ndërkombëtar dhe mbrojtën Serbinë. Kjo është çështje e brendshme e jona”, tha Vuçiq për gazetarët në Nju Jork më 23 shtator, në prag të sesionit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Disa media në Beograd paraprakisht kishin raportuar se Vuçiq do t’i ndajë dekoratë ambasadorit rus në OKB, Vasily Nebenzya.

“Ka, sigurisht, rusë dhe kinezë, nga Nikaragua dhe Meksika, Brazili, India, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kongo, varet nga niveli i mbështetjes”, shtoi Vuçiq.

Në maj, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi rezolutën e cila shpalli 11 korrikun si Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë.

Gjenocidi në Srebrenicë, i kryer në korrik të vitit 1995 nga pjesëtarët e Ushtrisë së Republikës Sërpka, la të vrarë të paktën 8.372 boshnjakë.

Tetëdhjetë e katër shtete votuan për rezolutën, 19 ishin kundër, përfshirë Rusinë dhe Kinën, ndërkaq 68 shtete abstenuan.

Rezoluta, veç tjerash, dënon mohimin e gjenocidit dhe madhërimin e kriminelëve të luftës.

Krimi në Srebrenicë më 2007 nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë u njoh si gjenocid i kryer nga Ushtria e Republikës Sërpska. Srebrenica në korrik të vitit 1995 ishte zonë e mbrojtur e OKB-së.

Gjykata e njëjtë gjeti Serbinë fajtore për mosparandalimin e gjenocidit. Gjykata po ashtu tha se Serbia ka shkelur obligimin për të ndëshkuar kryesit e gjenocidit.

Para këtij vendimi, disa gjykata kanë dënuar më shumë se 50 persona me mbi 700 vjet burgim për gjenocid dhe krime lufte në Srebrenicë.

Në mesin e tyre janë edhe ish-presidenti i Republikës Sërpska, Radovan Karaxhiq, dhe komandanti i përgjithshëm i ushtrisë së atëhershme serbe, Ratko Mlladiq. Të dy janë dënuar me burgim të përjetshëm. REL

Sllovenia propozon si Komisionere për Zgjerimin ish-spiunen e UDB-së jugosllave

Komisioni i ri Europian po merr jetë mes polemikave dhe kundërshtive të forta. Ursula von der Leyen, që do të mbajë rolin e presidentes dhe për 5 vite të tjera, prezantoi emrat e nominuar për kabinetin e saj të dytë që do të përbëhet nga 6 nënpresidentë ekzekutivë dhe 20 komisionerë.

Zgjerimi, që prek drejtpërdrejtë jo vetëm Shqipërinë, por mbarë Ballkanin Perëndimor, është dikasteri që ka trazuar disi ujërat në Europë.

“Duhet theksuar se Qeveria e Sllovenisë ka sugjeruar Marta Kos si anëtare të Kolegjit. Procedura e emërimit e cila përfshin konsultimin e Parlamentit kombëtar për një opinion jodetyrues është në vazhdim. Ajo do të jetë Komisionere për Zgjerimin – gjithashtu përgjegjëse për fqinjësinë tonë lindore. Ajo do të punojë në mbështetjen e Ukrainës – dhe vazhdimin e punës për rindërtimin dhe mbështetjen e vendeve kandidate për t’i përgatitur për anëtarësim”, tha Ursula von der Leyen, presidente e Komisionit Europian.

Opozita në Slloveni nuk mbështetë emrin e zonjës Kos dhe nuk pranon që të zhvillojë një seancë dëgjimore në komisionin përkatës parlamentar. Kjo vjen pasi Lubjana ndërroi në çastet e fundit kandidatin e tyre, për t’i mundësuar gjermanes Von der Leyen, që të arrinte kuotën e barazisë gjinore në Komision.

Kundërshtia e fortë e opozitës ndaj emrit të Marta Kos, lidhet edhe me dyshimet se ajo ka qenë bashkëpunëtore e shërbimit sekret komunist të ish-Jugosllavisë.

Kaja Kallas konfirmohet si shefe e Bashkimit Europian për politiëk të jashtme dhe siguri, ndërsa për herë të parë, Brukseli do të ketë dhe në komisioner për Mbrojtjen dhe Hapësirën. Andrius Kubilius, siç njoftoi presidentja von der Leyen, do të punojë në zhvillimin e ushtrisë europiane dhe kapaciteteve investuese në industrinë e mbrojtjes.sn

BE analizon agjendën e reformave të vendeve të Ballkanit para pagesave të para

Radio Evropa e Lirë

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila është zgjedhur në krye të këtij institucioni edhe për një mandat të ri pesëvjeçar, do t’i mbledhë udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor në një drekë pune në Bruksel, më 19 shtator.

Me këtë takim, ajo do që të dëshmojë se edhe në mandatin e ri, do t’i kushtojë kujdes të veçantë këtij rajoni dhe në përgjithësi procesit të zgjerimit të BE-së.

Megjithatë, qëllim kryesor i këtij takimi është diskutimi për “agjendat e reformave dhe rritjes”, të cilat gati të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor i kanë dorëzuar në Komisionin Evropian, si parakusht për të pranuar pagesat e para nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i miratuar nga BE-ja në maj të këtij viti.

Von der Leyen ka qenë personalisht e angazhuar në promovimin e këtij plani, ndërsa atë e ka mbështetur edhe Parlamenti Evropian dhe vendet anëtare në Këshillin e BE-së.

Sipas burimeve në BE, takimi i von der Leyenit me udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor do të jetë një rast i mirë për të parë se ku kanë arritur këto vende me përgatitjet e tyre për t’i realizuar qëllimet e këtij plani.

Secili vend është dashur ta përgatisë një agjendë reformash, të bazuar në rekomandimet paraprake të trupave të BE-së.

Këtë e kanë bërë tashmë pesë vende të rajonit, ndërsa Bosnje e Hercegovina është e vetmja, e cila, për shkaqe të brendshme politike, nuk e ka bërë ende.

Kosova, ndërkaq, ka qenë ndër vendet e para që e ka dorëzuar planin e saj në Komisionin Evropian.

Pritjet në BE kanë qenë që, në mes të shtatorit, Komisioni Evropian t’i miratonte këto agjenda të vendeve të rajonit. Pritej që kjo të ndodhte edhe para takimit të 19 shtatorit, por procesi është shtyrë për muajin tetor.

Si arsye jozyrtare përmendet fakti se Bosnje e Hercegovina nuk e ka dorëzuar ende planin e saj. Dhe, marrë parasysh se në këtë vend së shpejti do të zhvillohen edhe zgjedhjet lokale, këtë nuk pritet ta bëjë deri në tetor.

Këto vonesa mund të ndikojnë, pastaj, që të mos realizohet qëllimi i Presidencës hungareze të BE-së, që pagesat e para për vendet më të avancuara, të bëhen para fundit të këtij viti.

Sipas një përllogaritjeje jozyrtare, Kosova do të mund të përfitojë mbi 880 milionë euro nga Plani i Rritjes. Mbi 250 milionë, Kosovës do t’i ndahen si para pa kthim, ndërsa pjesa tjetër në formën e kredive të volitshme.

Llogaritja për shumën financiare që do t’i takojë secilit vend, është bërë në bazë të Bruto Prodhimit Vendor (GDP), numrit të banorëve dhe disa kritereve të tjera.

Por, gjatë prezantimit të këtij plani, vendeve të rajonit u është thënë qartë se nëse nuk i kryejnë reformat pas një apo dy vjetësh, atëherë shuma do t’u shpërndahet vendeve tjera.

Përmes Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, Bashkimi Evropian planifikon të ndajë rreth 6 miliardë euro për vendet e këtij rajoni në periudhën prej vitit 2024 deri në vitin 2027.

Prej kësaj shume, dy miliardë do të jenë grante nga BE-ja pa kthim, ndërsa pjesa tjetër në formën e kredive të favorshme.

Qëllimi është që të ndihmohet rritja ekonomike dhe, në këtë mënyrë, të përshpejtohet edhe procesi i integrimit evropian të këtij rajoni.

Përfituese të këtyre mjeteve janë të gjitha vendet e rajonit: Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Bosnje e Hercegovina dhe Serbia.

Plani ka po ashtu qëllim të nxisë bashkëpunimin rajonal dhe zhvillimin e tregut të përbashkët në rajon, i cili gradualisht do të integrohej në tregun e përbashkët të Bashkimit Evropian.

Ky plan, sipas zyrtarëve të BE-së, nuk e ka në asnjë mënyrë qëllim që të krijojë një alternativë të zgjerimit të BE-së, por ta bëjë anëtarësimin e këtyre vendeve në BE më të lehtë.

Në BE vazhdojnë të rikujtojnë se për shfrytëzimin e mjeteve financiare nga Plani i Rritjes, vendet e rajonit duhet t’i përmbushin disa kushte, prej të cilave ato kryesoret kanë të bëjnë me sundimin e ligjit dhe sigurimin e procedurave për kontrollin financiar sipas standardeve evropiane.

Për Kosovën dhe Serbinë, si kusht specifik përmendet edhe përparimi në rrugën drejt normalizimit të raporteve – gjë që përfshin angazhimin e tyre konstruktiv në zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Nëse nuk do të ketë përparim në normalizimin e raporteve, sipas diplomatëve në BE, vendet që do të identifikohen si jokonstruktive, do të mund të kenë pasoja edhe përmes bllokimit të pagesave nga Plani i Rritjes.

Kosova, aktualisht, është nën disa masa ndëshkuese të BE-së – për shkak të tensioneve në pjesën veriore, të banuar me shumicë serbe – të cilat përfshijnë ndaljen e pagesave nga Instrumentet e Para- Anëtarësimit të BE-së (IPA).

Plani i Rritjes është i veçantë dhe nuk është i përfshirë në IPA.

Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, si paketë prej 6 miliardë eurosh, është konsideruar si plani më ambicioz i saj për këtë rajon.

Shuma prej afro 900 milionë eurosh për Kosovën do të jetë, po ashtu, shuma më e madhe që ajo përfiton nga BE-ja në një paketë të veçantë.

Synimi i Turqisë për t’u bërë fuqi e madhe detare alarmon fqinjët e saj

VOA/Dorian Jones

Turqia po ndërmerr hapa për një rritje masive të marinës së saj për ta bërë atë një nga fuqitë detare më të mëdha në Evropë. Rritja po alarmon disa nga fqinjët e saj. Por, siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës në Stamboll Dorian Jones, Ankaraja këmbëngul se kjo është thjesht për arsye mbrojtëse dhe përmbushjen angazhimeve në rritje rajonale të Turqisë.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan së fundmi inauguroi një nëndetëse të re të ushtrisë së Turqisë.

Së bashku me një helikopterë-mbajtëse, fregata të reja dhe mbi dhjetëra luftanije të tjera në ndërtim e sipër, kjo është pjesë e përpjekjes së Erdoganit për ta bërë marinën turke ndër më të mëdhatë në Evropë.

“Kjo i shërben agjendës politike të Erdoganit për të ushtruar ndikim jashtë shtetit nga Katari në Somali e deri në Libi, në mënyrë që t’i përshtatet vizionit të tij. Për marinën, kjo do të thotë një rol më të madh në mbrojtjen e vendit, jo vetëm mbrojtjen territoriale, por mbrojtjen e interesave jashtë vendit”, thotë profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Kadir Has, Serhat Guvenc.

Turqia ka baza ushtarake në Katar, Libi dhe Somali, me të cilat ka nënshkruar marrëveshje detare.

Ankaraja thotë se zgjerimi i pranisë së saj detare është pjesë e trajtimit të kërcënimeve rajonale në rritje dhe ndihmës në përmbushjen e angazhimeve të saj në NATO.

“Të gjitha qendrat e konfliktit janë përreth Turqisë, në Detin e Zi, në Mesdhe dhe në Detin e Kuq. Kështu që modernizimi i tanishëm turk është i dobishëm për NATO-n dhe sigurinë e aleatëve perëndimorë. Kjo gjithashtu rrit sigurinë e naftës dhe lirinë e lundrimit”, thotë këshilltari presidencial Mesut Casin.

Por fuqia detare në rritje e Turqisë po shkakton shqetësim tek fqinji i saj, Greqia, e cila ka një sërë mosmarrëveshjesh territoriale me Ankaranë në Detin Egje dhe Detin Mesdhe.

Edhe Izraeli po shpreh shqetësim për zgjerimin detar të Turqisë dhe dislokimin e dronëve ushtarakë në Qipron veriore, të kontrolluar nga Turqia.

“Unë mendoj se një pjesë e këtij angazhimi më të madh të marinës turke dhe rritja e pranisë ushtarake në Qipron Veriore, përfshirë bazën e dronëve, do të përdoren edhe kundër Izraelit. Kjo nuk do të thotë se do të ketë një konfrontim të drejtpërdrejtë, por tani ushtria izraelite duhet ta marrë parasysh këtë zgjerim ushtarak”, thotë Gallia Lindenstrauss nga Instituti për Studime të Sigurisë Kombëtare në Tel Aviv.

Edhe Greqia po modernizon marinën e saj, duke përmendur kërcënimin turk.

Analistët turq thonë se Ankaraja është e shqetësuar për praninë në rritje detare të Izraelit në Mesdheun Lindor.

“Ky është një rreth vicioz. Turqia ndërtoi një marinë të re në përgjigje të këtyre kërcënimeve dhe tani fqinjët e saj thonë se po përballen me kërcënime nga zgjerimi i forcave detare të Turqisë. Kjo është një garë armatimi dhe për fat të keq garat e armatimit nuk përfundojnë mirë”, thotë eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare Serhat Guvenc.

Kantieret turke po punojnë me kapacitet të plotë për të përmbushur kërkesat në rritje të forcave detare të vendit, të cilat analistët thonë se ka të ngjarë të shtojnë frikën dhe dyshimet e fqinjëve të saj mbi qëllimet e Ankarasë.


Send this to a friend