Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur sanksione ndaj një rrjeti subjektesh dhe individësh, për të cilët thotë se ishin të përfshirë në furnizimin e Rusisë me teknologji ushtarake, të cilat përdoren në luftën e saj kundër Ukrainës.
Departamenti i Thesarit i SHBA-së tha në një deklaratë, më 14 nëntor, se pjesë e këtyre sanksioneve është një rrjet transnacional që i mundësoi Rusisë furnizimin me armë.
Në total janë sanksionuar 14 individë dhe 28 organizata apo subjekte, si dhe janë identifikuar tetë avionë si pronë e bllokuar.
Uashingtoni ka vënë sanksione edhe ndaj firmave të mëdha industriale ushtarake në Rusi, dhe ka bërë lëvizje për të ndërprerë eksportet e komponentëve të prodhuar nga Amerika dhe teknologjive amerikane që janë përdorur në disa nga pajisjet ushtarake të Rusisë.
Kjo e ka shtyrë Kremlinin të kërkojë furnizues të tjerë ushtarakë si Irani, i cili ka furnizuar Moskën me dronë, që thuhet se janë pjesë e breshërisë së sulmeve ajrore të Rusisë ndaj Ukrainës.
“Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të ndërpresin zinxhirët e furnizimit ushtarak të Kremlinit dhe t’i mohojnë Rusisë pajisjet dhe teknologjinë që i nevojiten për të zhvilluar luftën e saj të paligjshme kundër Ukrainës”, tha sekretarja e Thesarit amerikan, Janet Yellen.
“Veprimet e sotme demonstrojnë përkushtimin e palëkundur të Thesarit për të vënë në shënjestër njerëzit në mbarë botën që ndihmojnë përpjekjet e Putinit dhe elitat mike që financojnë regjimin e tij. Së bashku me koalicionin tonë të gjerë të partnerëve, ne do të vazhdojmë të përdorim sanksionet tona dhe kontrollet e eksportit për të dobësuar ushtrinë ruse në fushëbetejë”, tha ajo.
Milandr, një kompani ruse mikro-elektronike që SHBA-ja thotë se është pjesë e strukturës së kërkimit dhe zhvillimit ushtarak të Moskës, u vendos në listë, si dhe tri sbjekte të lidhura me kompaninë dhe disa drejtues të saj.
Sanksionet prekën gjithashtu familjen e oligarkut miliarder, Suleiman Kerimov, i cili ishte vendosur në listën e zezë në shtator, dhe një rrjet njerëzish rreth bizneseve me të cilat ai është i lidhur.
Kerimovi konsiderohet se ka lidhje të ngushta mePutinin.
Sanksionet synojnë gruan, fëmijët dhe nipin e Kerimovit, katër firma franceze të pronave të paluajtshme të kontrolluara nga njëra prej vajzave të tij dhe disa shtetas zviceranë të lidhur me kompanitë e tij.
Midis tyre është shtetasi zviceran, Alexander-Walter Studhalter, i cili u sanksionua së bashku me biznesmenin rus, Murat Aliev, për përfshirjen e tyre me shumë kompani në rrjetin financiar të Kerimovit.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken e përshkroi Studhalterin si “një lojtar kyç në rrjetin financiar të Kerimovit”.
Përveç kësaj, Departamenti amerikan i Thesarit bllokoi edhe tetë avionë të vegjël, për të cilët tha se ishin avionë luksozë të përdorur nga familja e Kerimovit.
Sanksionet e vendosura nga Thesari i SHBA-së ngrijnë çdo pasuri që individët dhe subjektet e përcaktuara kanë në Shtetet e Bashkuara.
Komentet