Presidenti Joe Biden dhe Xi Jinping i Kinës janë duke eksploruar mundësinë e takimit në person, tha një zyrtar i lartë i administratës pasi udhëheqësit kaluan më shumë se dy orë të enjten duke biseduar për të ardhmen e marrëdhënieve të ndërlikuara, me tensionet për Tajvanin që u shfaqën edhe një herë si një pikë përplasjeje.
Zyrtari nuk pranoi të identifikohej për të folur rreth bisedës. Presidenti Biden e bëri bisedën telefonike nga Zyra Ovale, ku iu bashkuan ndihmësa të lartë, përfshirë Sekretarin e Shtetit Antony Blinken.
Kur zoti Biden ishte nënpresident, ai kaloi orë të tëra me zotin Xi në Shtetet e Bashkuara dhe në Kinë, një përvojë që ai e kujton shpesh ndërsa flet për mundësitë e të dy vendeve për konflikt dhe bashkëpunim. Megjithatë, ata nuk janë takuar personalisht që kur Joe Biden u bë president vitin e kaluar.
Një tensionim i përsëritur është për shkak të Tajvanit, i cili vetëqeveriset prej dekadash, por që Kina e konsideron si pjesë të territorit të saj, një pretendim i theksuar nga zoti Xi të enjten.
“Ata që luajnë me zjarrin do të vdesin prej tij”, tha Ministria e Punëve të Jashtme pas telefonatës me Biden. “Shpresohet se SHBA-të do të jenë të qarta për këtë”.
Shtëpia e Bardhë publikoi përshkrimin e saj të bisedës për Tajvanin, duke thënë se Presidenti Biden “theksoi se politika e Shteteve të Bashkuara nuk ka ndryshuar dhe se Shtetet e Bashkuara kundërshtojnë fuqimisht përpjekjet e njëanshme për të ndryshuar status quo-në ose për të dëmtuar paqen dhe stabilitetin përgjatë ngushticës së Tajvanit”.
Qëllimi i telefonatës, e cila filloi në 8:33 të mëngjesit dhe përfundoi në 10:50 të mëngjesit, ishte që “të menaxhojmë me përgjegjësi dallimet tona dhe të punojmë së bashku aty ku përputhen interesat tona”, tha Shtëpia e Bardhë.
Si zakonisht, Kina nuk la asnjë dyshim se fajëson Shtetet e Bashkuara për përkeqësimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
“Presidenti Xi nënvizoi se përqasja dhe përcaktimi i marrëdhënieve Kinë-SHBA në termat e konkurrencës strategjike dhe për ta parë Kinën si rivalin kryesor dhe sfidën më serioze afatgjatë, do të ishte keqperceptim i marrëdhënieve mes Kinës dhe SHBA-ve dhe keqkuptim i zhvillimit të Kinës dhe do të mashtronte njerëzit e të dy vendeve dhe komunitetin ndërkombëtar”, tha Ministria e Punëve të Jashtme.
“Të dy krerët e shteteve patën një komunikim dhe shkëmbim të thelluar për marrëdhëniet dhe çështjet me interes të përbashkët Kinë-SHBA”, raportoi Televizioni Qendror i Kinës në faqen e tij të internetit.
Pika më e fundit e tensionit ka qenë vizita e mundshme e Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi në Tajvan, ishull që vet-qeveriset në mënyrë demokratike dhe merr mbështetje joformale mbrojtëse nga Shtetet e Bashkuara, por që Kina e konsideron pjesë të territorit të saj. Pekini ka thënë se do ta konsideronte një udhëtim të tillë si një provokim, një kërcënim që zyrtarët amerikanë po e marrin me seriozitet të shtuar nën dritën e inkursionit të Rusisë në Ukrainë.
“Nëse SHBA këmbëngul të ndjekë rrugën e vet dhe të sfidojë vijën përfundimtare të Kinës, ajo me siguri do të përballet me përgjigje të forta”, tha Zhao Lijian, një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Kinës, para gazetarëve në fillim të kësaj jave. “Të gjitha pasojat që vijnë do të përballohen nga SHBA-ja.”
Zonja Pelosi do të ishte zyrtarja më e lartë i zgjedhur në SHBA që do të udhëtonte në Tajvan që kur republikani Newt Gingrich vizitoi ishullin në vitin 1997, kur ishte kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve. Presidenti Biden javën e kaluar u tha gazetarëve se zyrtarët ushtarakë amerikanë besonin se nuk ishte “ide e mirë” që zonja Pelosi të vizitonte ishullin për momentin.
John Kirby, zëdhënës i sigurisë kombëtare të SHBA-së, tha të mërkurën se ishte e rëndësishme që presidentët Biden dhe Xi të mbanin diskutimin rregullisht të hapur.
“Presidenti dëshiron të sigurohet që linjat e komunikimit me Presidentin Xi të mbeten të hapura sepse ato janë të nevojshme”, u tha zoti Kirby gazetarëve në një konferencë në Shtëpinë e Bardhë. “Ka çështje për të cilat ne mund të bashkëpunojmë me Kinën, dhe ka çështje ku padyshim ka fërkime dhe tensione”.
Presidentët Biden dhe Xi folën për herë të fundit në mars, menjëherë pas sulmit rus të Ukrainës.
“Kjo është një nga marrëdhëniet dypalëshe më të rëndësishme në botë sot, me shumë degëzime përtej të dy vendeve individuale,” tha zoti Kirby.
Disa analistë besojnë se presidenti Xi gjithashtu ka interes për të shmangur përshkallëzimin pasi ai kërkon një mandat të tretë të paprecedentë në detyrë në një kongres të Partisë Komuniste në pushtet që pritet në vjeshtë.
Presidenti Biden dëshiron gjithashtu të diskutojë çështjet e klimës dhe konkurrencës ekonomike, tha një person i informuar për bisedën, si dhe idenë e vendosjes së një kufiri të çmimit të naftës ruse për të ndëshkuar Moskën për luftën e saj në Ukrainë, një çështje që Sekretarja e Thesarit Janet Yellen e ngriti me homologët kinezë më herët në korrik.
Administrata Biden ka debatuar nëse do të heqë disa tarifa për mallrat kineze si një mënyrë për të lehtësuar inflacionin në rritje.
Kur presidenti Biden foli për herë të fundit me homologun Xi në mars, ai paralajmëroi për “pasoja” nëse Pekini do të jepte mbështetje materiale për luftën e Rusisë, dhe qeveria amerikane beson se kjo vijë e kuqe nuk është kaluar.
Tajvani është ankuar për manovra të shtuara ushtarake kineze gjatë dy viteve të fundit për ta detyruar atë të pranojë sovranitetin e Pekinit.
Komentet