Dita e Përkujtimit (fillimisht e njohur si Dita e Dekorimit) është një festë federale në Shtetet e Bashkuara në kujtim të të rënëve gjatë shërbimit në forcat e armatosura të Shteteve të Bashkuara. Kjo ditë kremtohet të hënën e fundit të majit në varrezat kombëtare, duke vendosur lule dhe flamuj amerikanë mbi varret e të rënëve. Prej 1868 deri më 1970 ishte kremtuar çdo 30 maj.
Janë të shumë vizitorët që në Ditën e Përkujtimit çojnë lule në varrezat dhe përmendoret për të nderuar ata që dhanë jetën gjatë shërbimit në ushtrinë amerikane. Janë të shumtë ata që në këtë ditë vendosin flamujt amerikanë mbi varret e të rënëve të ushtrisë amerikane si dhe në varrezat kombëtare.
Dita e Përkujtimit konsiderohet gjithashtu fillimi jozyrtar i verës në Shtetet e Bashkuara.
Për herë të parë Dita e Përkujtimit u kremtua më 30 maj 1868. E njohur atëherë si Dita e Dekorimit, dita u shpall nga Komandanti i Përgjithshëm John A. Logan i Ushtrisë së Madhe të Republikës me qëllim nderimin e ushtarëve të Unionit që dhanë jetën në Luftën Civile.
Këtij përkujtimi kombëtar, i kishin prirë shumë nderime lokale, pas përfundimit të Luftës Civile dhe shpalljes nga Logan. Ka plot dëshmi se përpara se të vendosej zyrtarisht si Ditë Përkujtimi kjo ngjarje është përkujtuar nëpër shtete të ndryshme të SHBA.
Njohja zyrtare si festë u përhap, duke filluar me Nju Jorkun në 1873. Deri në vitin 1890, çdo shtet i Unionit e kishte miratuar. Luftërat Botërore e kthyen atë në një Ditë Përkujtimi për të gjithë të rënët e ushtrisë amerikane që humben jeten gjatë shërbimit.
Prej 1971, Kongresi e vendosi se “Dita e Përkujtimit” do të kremtohet në të hënën e fundit të majit.
Janë edhe dy ditë të tjera që kremtojnë për ata që kanë shërbyer ose janë duke shërbyer në ushtrinë amerikane: Dita e Forcave të Armatosura (e cila është më herët në maj), një festë jozyrtare e
SHBA për nderimin e atyre që aktualisht janë në shërbim në forcat e armatosura dhe Dita e Veteranëve (më 11 nëntor), në nder të atyre që kanë shërbyer në Forcat e Armatosura të Shteteve të Bashkuara.
Origjina
Origjina e Ditës së Përkujtimit, mendohet në bazë të dokumentave se ka të bëjë me ngjarje të dokumentuara, të ndodhura para ose pas Luftës Civile apo ka rrjedhur nga traditat e përgjithshme të vendosjeve të luleve tek varret e ushtarëve apo në vendngjarjet me jehonë historike.Varret e ushtarëve u nderuan në SHBA si para ashtu edhe gjatë Luftës Civile Amerikane.
Charleston, Karolina e Jugut
Nga dokumentat historike pas përfundimit të Luftës Civile, përpara shpalljes nga Logan, të rënët e Luftës Civile u kujtuan në Charleston, Karolina e Jugut. Bëhej fjalë për 257 ushtarë të rënë të Unionit. Ata ushtarë vdiqën në kampin e burgut të Konfederatës që ndodhej atje. Pas rënies së qytetit, të burgosurit e liruar i zbuluan dhe i varrësën me nderime sikur duhej dhe më 1 maj 1865, 10 mijë afro-amerikanë, trashëgimtarët e skllevërve të dikurshëm, mbajtën një paradë në nder të kujtimit të 257 ushtarëve të rënë të Unionit. Të dhënat për këtë paradë janë zbuluar nga historiani David W. Blight, sipas dokumentacionit të arkivave. Blight citon artikuj nga Charleston Daily Courier dhe New-York Tribune.
Megjithatë nuk është vendosur asnjë lidhje e drejtpërdrejtë se si e qysh Komandanti i Përgjithshëm John A. Logan e caktoi Ditën e Përkujtimit në vitin 1868, edhe pse historiani David W. Blight ka pohuar se “afro-amerikanët shpikën Ditën e Përkujtimit në Charleston, Karolina e Jugut”, sepse vitin 2012, ai deklaroi se “nuk ka prova” që ngjarja në Charleston në mënyrë efektive çoi në thirrjen e gjeneralit Logan për festën kombëtare.
Gettysburg, Pensilvani
Sipas dokumentave dhe dëshmive në vitin 1863 në varrezat në Gettysburg, Pensilvani u mbajt një ceremoni përkujtimore në nderim të ushtarëve të rënë. Prandaj, disa kanë pohuar se ishte Presidenti Abraham Lincoln themeluesi i Ditës së Përkujtimit. Megjithatë, gazetari i Çikagos, Lloyd Lewis u përpoq të argumentonte se ishte funerali i Linkolnit që nxiti edhe nderimin e varrezave të ushtarëve të rënë.
Dita e Dekorimit Kombëtar
Më 5 maj 1868, gjenerali John A. Logan lëshoi një shpallje ku bënte thirrje që “Dita e Dekorimit” të festohej çdo vit dhe në mbarë vendin; ai ishte komandant i përgjithshëm i Ushtrisë së Madhe të Republikës . Me këtë shpallje, Logan miratoi Ditën e Përkujtimit që kishte filluar të kremtohej në shtetet jugore tre vjet më parë.
Në vitin 1868, nderimet për të rënët u mbajtën në 183 varreza në 27 shtete dhe në vitin 1869 u vendosëm lule dhe u blatuan nderime në 336 varreza ku preheshin ushtarët e rënë. Por sipas një të dhëne nga Shtëpia e Bardhë e vitit 2010, kjo ditë u zgjodh edhe si data optimale kur lulëzojnë lulet edhe në veri.
Pas Luftës së Parë Botërore, kjo ditë kremtohet në nderim të të gjithë të rënëve nëpër luftrat pa dallim dhe emri i saj ndryshoi nga Dita e Dekorimit në Ditën e Përkujtimit. Që nga viti 1971, Dita e Përkujtimit festohet të hënën e fundit të majit. Një numër shtetesh jugore respektojnë gjithashtu një ditë të veçantë për të nderuar të rënët e Konfederatës. Dita e Përkujtimit shënohet me vendosjen e një kurore në Varrin e të Panjohurve në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit në Virxhinia dhe me shërbime fetare, parada dhe fjalime në mbarë vendin. Është tradicionale vendosja e flamurit të Shteteve të Bashkuara në gjysmështizë nga agimi deri në mesditë pastaj flamuri i SHBA ngrihet i plotë.
Gjenerali John A. Logan
Kurorë lulesh në varrin e ushtarit të panjohur
BREGUT TË GJERË TË LUMIT POTOMAK
Poezi nga WALT WHITMAN
Shqipëroi: Elida BUÇPAPAJ
Bregut të gjerë të Lumit Potomac, përsëri gjuha e vjetër,
(Ende duke u shqiptuar, fjalë për fjalë, kurrë nuk mund të ndalet kjo bëlbëzimë?)
Përsëri zemrat e vjetra flatrohen, përsëri tek ju, shqisat tuaja, shkarkohen plotësisht duke kthyer pranverën,
Përsëri freskia dhe aromat, përsëri qielli veror i Virxhinias,
në blu të kthjellët në të argjendtë,
Përsëri paradreka violë e kodrinave,
Përsëri bari i pavdekshëm, kaq butësisht i pafjalë dhe i gjelbër,
Përsëri trëndafilet e kuq si gjaku duke lulëzuar.
Mbushmani me aroma librin tim o trëndafila kuq si gjaku!
Laje butësisht çdo varg me ujrat e tu o Lumi Potomac!
Më jep prej teje, o pranverë, përpara se ta mbyll, ta vendos midis faqesh!
O paradrekë e violtë e kodrinave, përpara se ta mbyll, me ju!
O bar i pavdekshëm, përpara se ta mbyll, me ty!
Komentet