Presidenti Joe Biden riktheu festimet në Shtëpinë e Bardhë me rastin e Fitër Bajramin një ditë që shënon fundin e Ramazanit, festime që paraardhësi i tij e kishte hequr nga axhenda.
Gjatë Ramazanit myslimanët në mbarë botën zakonisht agjerojnë deri në perëndim të diellit. Fundi i tij shpesh nënkupton mbledhjen për lutje, vizita tek familjarët e miqtë si dhe organizim festash familjare.
Duke iu drejtuar qindra të pranishmëve, Presidenti Biden tha se kishte premtuar në cilësinë e kandidatit për president se do të rikthente shënimin e Fitër Bajramit në Shtëpinë e Bardhë, por u detyrua të mbante një festë virtuale vitin e kaluar për shkak të pandemisë së koronavirusit.
“Sot, në mbarë botën, ne kemi parë kaq shumë myslimanë që janë vënë në shënjestër nga dhuna. Askush nuk duhet të diskriminohet apo të shtypet për shkak të besimit të tij fetar”, zoti tha zoti Biden. “Duhet të pranojmë se mbetet shumë punë për të bërë, si këtu ashtu edhe jashtë vendit. Myslimanët e bëjnë kombin tonë më të fortë çdo ditë edhe pse ata ende përballen me sfida e kërcënime reale në shoqërinë tonë, përfshirë dhunën e qëllimtë dhe islamofobinë”, shtoi ai.
Presidentët amerikanë kanë zhvilluar festa me rastin e Fitër Bajramit prej administratës Klinton, përveç Donald Trump-it, i cili nuk ka zhvilluar ndonjë aktivitet zyrtar. Në vend të shënimit të festës, ai ka lëshuar deklarata sikurse ajo e vitit 2020, kur zoti Trump tha për myslimanët se “shpresonte që ata të gjenin ngushëllim e forcë në fuqitë shëruese të lutjes dhe përkushtimit”.
Talib Shareef, Imami i Xhamisë Muhamed në Uashington, që njihet nga disa si “Xhamia e Kombit”, tha gjatë veprimtarisë në Shtëpinë e Bardhë se ky takim ishte një deklaratë e rëndësishme për kombin dhe botën.
“Një deklaratë se Islami është një pjesë e mirëpritur e kombit tonë së bashku me të gjitha traditat e tjera fetare“, tha zoti Sharef. “Dhe se zyra më e lartë në këtë tokë është e përkushtuar ndaj vlerave themelore të kombit tonë dhe ligjeve që mbrojnë lirinë fetare“, shtoi ai.
Komentet