VOAL

VOAL

‘Regnum’ – EDI RAMA DO TA BINDË KRYEMINISTRIN SERB ‘T’IA KTHEJË SHPINËN RUSISË’

May 27, 2015

Komentet

Nga çdo kontinent, Kosova paguan qindra miliona për import të veturave

Doruntina Baftiu

Mbi 27 mijë vetura, gati 364 milionë euro. Nga Amerika e Veriut dhe e Jugut, Azia, Afrika e Australia…

Përgjatë dhjetë muajve të parë të 2024-tës, në Kosovë kanë hyrë dhjetëra mijëra vetura nga vende të huaja.

Si në vitet e kaluara, edhe gjatë këtij viti, Gjermania mbetet eksportuesja më e madhe e veturave në Kosovë.

Ndonëse Gjermania mban vendin e parë, viteve të fundit janë importuar shumë vetura edhe nga vendet aziatike si: Kina, Koreja e Jugut dhe Japonia.

Për importimin e këtyre veturave u shpenzuan qindra miliona euro.

Nëse vazhdon trendi i njëjtë edhe gjatë pjesës së fundit të këtij viti, 2024-ta do të bëhet viti me më së shumti shpenzime për importim të veturave nga jashtë.

Këto shpenzime kanë rezultuar edhe në të ardhura për shtetin, për shkak të taksave që paguhen kur importohen veturat – taksa e doganës, akciza dhe TVSH-ja (Tatimi mbi Vlerën e Shtuar).

Taksa e doganës është një tarifë që aplikohet bazuar në vlerën e mallit, kur ai të importohet dhe të eksportohet.

Akciza është një tarifë e veçantë që zbatohet mbi disa produkte që cilësohen si mallra luksi.

Ndërsa, TVSH-ja është një tatim që paguhet nga blerësi i fundit i një shërbimi apo një produkti.

Të gjitha këto taksa së bashku gjenerojnë të ardhura për shtetin.

Në Kosovë, ato kanë gjeneruar tashmë më shumë të ardhura sesa në vitet e kaluara, ende pa i llogaritur dy muajt e fundit të vitit.

Për veturat elektrike, në Kosovë është paraparë lirimi nga taksa e regjistrimit, në mënyrë që të nxitet blerja e tyre, si ndotëse më të vogla të ambientit.

Megjithatë, shumica e veturave të importuara në Kosovë nuk janë elektrike.

Pjesa më e madhe e tyre as nuk janë të reja, por të përdorura.

Ligji për automjetet në Kosovë parasheh që veturat e importuara që janë më të vjetra se dhjetë vjet, nuk mund të regjistrohen.

Përkundër kësaj, në dhjetë muajt e parë të këtij viti janë importuar 42 vetura të tilla.

Pa mundësinë e regjistrimit, ato mund të përdoren vetëm për pjesë këmbimi. REL

Mark Rutte do të vizitojë nesër Turqinë, ja takimet e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, nesër të hënën do të vizitojë Turqinë, ku do të ketë një takim me Presidentin Recep Tayyip Erdogan, Ministrin e Punëve të Jashtme Hakan Fidan dhe Ministrin e Mbrojtjes, Yasser Guler. Gjatë takimeve të Rutte në Ankara, pala turke pritet të ngrejë praninë e fraksionit kurd PYD dhe milicisë së Forcave Demokratike Siriane (SDF) të mbështetur nga SHBA. Ankaraja e krahason praninë e forcave kurde në kufirin e saj jugor me organizatën PKK dhe terrorizmin.

Udhëheqja turke pritet gjithashtu të ngrejë me Sekretarin e Përgjithshëm çështjen e rolit të mundshëm ndërmjetësues të Turqisë në luftën Ukrainë-Rusi dhe çështje të tjera dypalëshe, veçanërisht në lidhje me ndryshimet e pritshme në marrëdhëniet transatlantike pas marrjes së pushtetit në SHBA nga Donald Trump.

Në kuadër të kontakteve të tij në kryeqytetin turk, Mark Rutte do të takohet edhe me përfaqësues të industrisë turke të mbrojtjes dhe do të vizitojë objektet e Industrisë Turke të Hapësirës Ajrore, të cilat së fundmi u vunë në shënjestër të një sulmi terrorist.

Para vizitës së tij në Turqi, Mark Rutte u takua të premten në Florida me presidentin e zgjedhur të SHBA-së, ndërsa ndalesa e radhës e sekretarit të përgjithshëm do të jetë Athina. bw

Babai i të miturit të plagosur: “Janë 2 vrasës! Autori i dytë po tenton të largohet nga vendi”

Fiqiri Meçe, babai i 14-vjeçarit që mbeti i plagosur me thikë në sherrin ku vdiq shoku i tij i ngushtë, Martin Cani, ka rrëfyer se janë dy të mitur bashkëpunëtor në krim.

 

Ai ka rrëfyer se autori i dytë Kledjon B., shoku i ngushtë i 14-vjeçarit të arresuar M. Përlleshaj, po tenton të largohet nga vendi së bashku me prindërit e tij dhe kërkoi nga policia që të arrestohet.

“Është goditur nga dy persona, janë dy vrarës, jo 1 autor vrasës. Personi i dytë me thikën më të vogël që ka goditur Luisin me thikën mbas shpine është Kledjon B. Kërkoj arrestimin e tij sa më shpejt sepse kam marrë vesh që personi i dytë do që të largohet, ka marrë prindërit dhe do të largohet, ose është larguar”, u shpreh në një intervistë për TCH.

Babai i 14-vjeçarit, i cili ndodhet në intubim në spital pasi është goditur 5 herë me thikë, u shpreh se autori i dytë duhet të vetëdorëzohet së bashku me armën që, sipas tij, kreu krimin. Ndërsa rrëfeu mes lotësh edhe momentin kur mori vesh vdekjen e Martinit.

Fiqiri Meçe: Luisi është në një fazë rikuperimi, ndodhet në intubim. Është goditur nga dy persona, janë dy vrarës, jo 1 autor vrasës.

Personi i dytë me thikën më të vogël që ka goditur Luisin me thikën mbas shpine është Kledjon B. Kërkoj arrestimin e tij sa më shpejt sepse kam marrë vesh që personi i dytë do që të largohet, ka marrë prindërit dhe do të largohet, ose është larguar. Personi Klejdi B. është lënë i lirë, por ai duhet të nxjerrë armën e krimit ta dorëzojë dhe të shkojë të dorëzohet në polici. Nëse shteti nuk merr masa, do të marrim ne në mënyrë private. Siç e kanë zgjidhur ata me fëmijët tanë, që kanë hyrë në mes për të ndarë sherrin dhe ato kanë shkuar e kanë goditur.

Luisi ka dëshmuar dhe e njeh djalin, ka goditje edhe në sy. Emri i djalit të dytë nuk ka qarkulluar në media dhe ka pasur thikën më të vogël se ajo që është publikuar në internet, e ka goditur djalin time nga mbrapa. Plaga në shpinë është më e hollë dhe më e thellë.

Martinin kam 8 vite që e marr me makinë e çoja me djalin tim në stërvitje. I njoh personalisht se i kam komshinj, i gjithë sherri që është bërë në shkollën kur Martini studionte ka ardhur për shkak të vëllait. Personi që e ka goditur me thikë e ka ofenduar nga vëllai dhe Martini është ndjerë keq dhe ka reaguar. Ky ëshë gjithë sherri, s’ka ndodhur as për TikTok, e as për vajzë, e as për SnapChat.  Në momentin që kanë ardhur djemtë i kanë pyetur “Ku ka lule këtu?” Një shprehje që ne përdorim për një person kur e dërgojmë në varreza.

Po kthesha nga puna në Elbasan dhe më thanë në telefon “Martini vdiq”, ishte shumë shokuese, jo vetëm për mua, por për këdo. Isha aq i lidhur me fëmijët, kam bërë një britmë aq të madhe dhe mendja më shkoi tek miku im i dashur, që sot pret ngushëllime tek shtëpia dhe djali i vogël që është në parajsë, u ndjeva keq. Ndjej keqardhje për atë djalë, por s’di si të ngushëlloj të atin. Kur isha për vizitë për t’i qëndruar afër më tha “Nuk kam lot më, nuk qaj dot më”. Panorama

Shkup: Rikthehen mosmarrëveshjet për Ballkanin e Hapur

Enis Shaqiri

Pjesëmarrja e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, në Panairin ndërkombëtar të verës, rakisë dhe turizmit në Serbi, ka rikthyer polemikat dhe mosmarrëveshjet për iniciativën “Ballkani i Hapur”.

Nga partia shqiptare Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) në opozitë, përmes një konference për media të shtunën kritikuan kryeministrin Mickoski dhe koalicionin shqiptarë “VLEN”, pjesë e Qeverisë maqedonase, për qëndrime kontradiktore lidhur me këtë iniciativë.

“Lëvizja Besa (pjesë e koalicionit VLEN) atë kohë ka akuzuar Qeverinë e Maqedonisë së Veriut se është pjesëmarrëse në projektin Ballkani i Hapur, i cili sipas Besës, është një projekt serbo-rus… Kandidati presidencial nga koalicioni VLEN, Arben Taravari më 2 prill ka deklaruar se ka gati tre vite që e ka potencuar se Maqedonia (e Veriut) duhet të tërhiqet nga Ballkani i Hapur pasi nuk është iniciativë e mirë…”, tha deputetja e BDI-së, Arbana Pasholli.

Kryeministri Mickoski, i cili po qëndron në Beograd që nga dita e premte, e cilësoi këtë ngjarje si një mundësi për forcimin e lidhjeve ekonomike dhe bashkëpunimin mes vendeve të përfshira në iniciativë.

“Iniciativa rajonale krijon mundësi që e lidhin rajonin tonë me botën, dhe pikërisht kjo platformë është një shembull se si tradita dhe inovacioni mund të ecin dorë për dorë”.

“Panairi “Wine Vision nga Open Balkan” nuk është vetëm vend ekspozimi dhe degustimi”, tha Mickoski të premten, duke shtuar se është “edhe forum për diskutim, edukim dhe bashkëpunim që do të sjellë përfitime afatgjata”.

“Jam i sigurt se suksesi i përbashkët që do të ndajmë këtu do të jetë vetëm fillimi i arritjeve edhe më të mëdha në të ardhmen”, shtoi kryeministri Mickoski.

Anëtarë të iniciativës “Ballkani Hapur”, janë Maqedonia e Veriut, Serbia, dhe Shqipëria.

Për kreun e ekzekutivit maqedonas, kjo është pjesëmarrja e parë në një ngjarje të “Ballkanit të Hapur”, që nga marrja e mandatit si kryeministër nga zgjedhjet e majit të këtij viti.

Vizita e Mickoskit në Beograd përfshiu takime me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin, Millosh Vuçeviq.

“Jam falënderues për faktin që Maqedonia e Veriut është një nga partnerët kyçë në iniciativën Ballkani i Hapur, i cili u bë simbol i bashkëpunimit të fuqishëm dhe lidhjes së Ballkanit Perëndimor”, thuhet në profilin zyrtar në Instagram të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Më herët, Mickoski kishte deklaruar se nisma ka shumë mangësi, dhe kështu si është, “nuk është e plotë”.

Mexhiti: “Ballkani i Hapur” drejt fundit

Për këtë temë, të premten foli edhe zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, nga koalicioni shqiptar “VLEN” – pjesë e Qeverisë.

“Dalëngadalë po përmbyllet me efektin që ka pasur. Çdo iniciativë tjetër uroj të jetë gjithëpërfshirëse dhe t’i përfshijë të gjitha shtetet, përfshirë këtu edhe Republikën e Kosovës. Vetëm të bashkuar si partnerë, shtetet ndërmjet vete mund të arrijnë prosperitet për rajonin dhe qytetarët”, tha Mexhiti për Televizionin 21.

Koalicioni “VLEN” kishte premtuar largimin e Maqedonisë së Veriut nga kjo nismë, si pjesë e platformës së tyre elektorale. Megjithatë, pjesëmarrja e kryeministrit Mickoski në aktivitetet e “Ballkanit të Hapur” ka sjellë diskutime mbi prioritetet dhe qasjen e Qeverisë aktuale ndaj kësaj iniciative.

Të njëjtën gjë, gjatë kohës së fushatës zgjedhore për president të Maqedonisë së Veriut, e kishte paralajmëruar edhe kandidati, Bujar Osmani nga BDI, atëkohë edhe ministër për Punë të Jashtme i Maqedonisë së Veriut. Deklaratat e Osmanit erdhën pas sulmit në Banjskë të Kosovës, më 24 shtator të vitit të kaluar, ku mbeti i vrarë polici, Afrim Bunjaku.

“Meqenëse tani kam më shumë informacion se çfarë ka ndodhur në Banjskë, planifikoj ta informoj Qeverinë në një seancë të mbyllur, dhe ajo do të vendosë se si do të veprohet”, kishte deklaruar Osmani, më 18 prill, gjatë kohës së fushatës zgjedhore për president të Maqedonisë së Veriut.

Nisma “Ballkani i Hapur”

Iniciativa “Ballkani i Hapur”, e nisur më 10 tetor 2019 në Novi Sad nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq, kryeministri shqiptar Edi Rama dhe ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, fillimisht u quajt “Mini-Schengen”.

Në kuadër të saj u arritën disa marrëveshje, përfshirë edhe ato për bashkëpunim ekonomik dhe lëvizje të lirë.

Nisma u refuzua nga Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje-Hercegovina.

Të gjitha vendet e Ballkanit janë pjesë e Procesit të Berlinit, nismë e ish – kancelares gjermane, Angela Merkel, që daton qysh prej vitit 2014 dhe përkrahet nga Perëndimi.

Synimi i tij është që ta rrisë bashkëpunimin mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, dhe gradualisht t’i afrojë ato më pranë BE-së. REL

Protesta e 26 nëntorit- Salianji letër nga qelia për mbështetësit: Manifestim dhe revoltë

Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, i cili aktualisht vuan një dënim me burg si i burgosur politik i kësaj narkoqeverie , ka publikuar një tjetër letër nga qelia.

Salianji reflekton mbi gjendjen e tij, kushtet e burgut dhe realitetin e Shqipërisë së sotme. Ai i krahason kushtet e tij me atmosferën e rënduar politike dhe shoqërore në vend, duke kritikuar qeverinë për keqqeverisje dhe dështime institucionale.

Salianji përmend vrasjen tragjike të një 14-vjeçari, duke e cilësuar si simbol të dështimit të strukturave shtetërore për të mbrojtur qytetarët. Duke vënë theksin tek mungesa e reagimit masiv të shoqërisë, ai i bën thirrje qytetarëve të rezistojnë, të shprehen dhe të manifestojnë për ndryshim. Letra prek temën e apatisë dhe indiferencës, duke e konsideruar si rrezikun më të madh për demokracinë. Sipas tij, heshtja dhe mospjesëmarrja janë terreni ideal për forcimin e tiranisë. Për Salianjin, zgjidhja qëndron tek revolta dhe mobilizimi qytetar.

LETRA E SALIANJIT:

Letër nga qelia 6 #Manifesto

Nga Ervin Salianji

Për ta ndryshuar situatën, duhet të qendrojmë, të rezistojmë, të ngremë krye.

Shkurtimi i ditës, i ftohti dhe lagështira nuk e kursejnë këtë anë ku është vendosur burgu i Fierit dhe as qelinë nr 6. Këto kushte atmosferike nuk e bëjnë aspak më të mirë një dënim politik. Por, edhe më të rëndë e sjell atmosfera jashtë. Asnjë lajm i mirë nuk mbërrin nga askund në Shipërinë tonë. Punët po shkojnë përherë e më keq.

Teksa parakalon rëndshëm propaganda qeveritare sikur në polici dhe në Ministrinë e Brendshme po bëhet nami me konkurse e ndryshime, pasiguria për jetën ka shkuar në skaj.

Vrasja e 14-vjeçarit në derën e shkollës, pas një sherri të përsëritur, tregon dështimin skandaloz të gjithë qeverisë bashkë me atë dyzinë strukturash që ka në varësi, që janë aty, e kanë për detyrë të parandalojmë që tragjedi të tilla të mos ndodhin.

Nuk mundem as ta imagjinoj se si ndihen prindërit e Martinit. Ama në ekran pashë se i ati dhe e ëma u shfaqen me një kurajo të jashtëzakonshme. Dhe me një mesazh frymëzues. As histeri, as thirrje për hakmarrje. Dhe patën edhe empati, kur thanë se edhe prindërit e autorit s’duhet të jenë të lumtur, pasi asnjë baba nuk do që i biri të bëhet kriminel. Kërkuan drejtësi.

Ky ishte një prej manifestimeve më prekëse dhe më ndikuese besoj në opinion në kohët e fundit. Po ashtu dhe protesta që prindër dhe qytetarë bënë të enjten, marshimi i tyre nga vendi i ngjarjes tek Ministria e Arsimit, ku një ogertë u shfaq në një dritare për të kujtuar këdo se sa arrogante dhe e panndjeshme është rilindja.

Mësohet se fjala “Manifestim”, ka dalë më e popullarizuara, më e kërkuara në botë, sipas fjalorit britanik “Cambridge Dictionary”.

Në fusha të ndryshme, ka kuptim të ndryshëm. Ne si shoqëri në gjendjen ku jemi, kemi nevojë për sensin, manifestim, për të shprehur, për të kërkuar, për t’i dhënë zë asaj që aspirojmë, asaj që duam, asaj që meritojmë.

Europa ku duam të shkojmë, duket kaq larg me aktet që bën sot qeveria e kryeministri.

Vetëm një grimë, një hije, një tentativë reduktimi i lirisë të ketë, në një vend normal të kontinentit dhe në perendim, do të shohësh që kjo do të shoqërohej me manifestime masive.

Edhe pse sot pranohet nga shumë studiues se rreziku më i madh që i kanoset demokracisë është tirania e të ndenjurit mënjanë e qytetarëve, pra apatia.

Tek ne kjo është edhe më e theksuar për fat të keq. Dhe është po ashtu, terreni më i mirë për sunduesin që ka qejf ta shfaqë veten si artist.

Unë shpresoj se manifestimi, revolta, do ta gjejë humusin dhe tek ne dhe do të popullarizohet. Nëse duam një vend normal, duhet ta kërkojmë atë.

Nëse duam zgjedhje të lira e të ndershme, duhet të maniftojmë për to.

Nëse duam në fund të fundit drejtësi, duhet të gjakojmë për drejtësi.

Asgjë nuk vjen vetë. Aq më keq po tja lësh në dorë qeverisë dhe kryeministrit. Ai ka treguar se zgjedh banditin dhe trafikantin ndërkombëtar të drogës, përpara çdokujt tjetër. Dhe për të mbrojtur një të tillë, sajoi farsën më të paprecedentë gjyqësore, dhe urdhëroi dënimin tim me 1 vit burg.

Kjo erdhi, pasi unë bëra një manifestim. U shpreha, me zë të lartë kundër drogës, kundër kanabizimit, kundër krimit, kundër lidhjes së krimit me Ministrin e Brendshëm, me qeverinë, po në 11 vitë luftova e do vazhdoj të luftoj duke denoncuar modelin e kriminelit që kontrollon institucionet duke u kthyer në model për shoqërinë! Atë që shoqëria duhet ta izolojë Edi Rama e promovon, e ate që duhet ta prokovojë shoqëria si model qeveria e mënjanon dhe e syrgjynos.

Duke parë pasojat, dikush mund të mendojë se manifestimi qenka me kosto. Por, padyshim se më e lartë është kostoja e heshtjes, e qendrimit mënjanë.

Të gjitha paudhësitë e të keqiat, të gjitha të ligat e qeverisjes që kemi, e planeve djallëzore për ndarjen e pasurive dhe të buxhetit të shtetit me klientelë, përvetësimi dhe grykësia e madhe ministrore, këtë dëshiron. Që të mos ketë manifestim e revoltë!

Po shqiptarët nuk duan këtë. Kjo është e sigurtë. Po për ta ndaluar, e për ta ndryshuar situatën, duhet ta kërkojnë, të qendrojnë, të rezistojnë, të ngrenë krye. Të manifestojmë. #26Nëntor

Boshatisen qendrat e emigrantëve në Shqipëri! Operatorët largohen nga Shëngjini e Gjadri, kthehen në Itali

Të gjithë punonjësit socialë të ‘Medihospes’, organit drejtues të Qendrave Italiane në Shqipëri për riatdhesimin e emigrantëve, do të largohen nga Shëngjini dhe Gjadri për t’u kthyer në Itali.

kampi shengjin

Sipas, TGCom, operatorët e qendrave të emigrantëve dhe efektivët e policisë do të kthehen në vendin e tyre brenda fundjavës.

Media italiane raporton se nga Ministria e Brendshme rezulton se qendrat mbeten funksionale dhe të mbikqyrura: aktualisht, nënvizojnë burime nga Ministria e Brendshme, stafi është reduktuar dhe ndryshon sipas nevojave të momentit.

Në Gjadër mbeten vetëm 7 punonjës të Medihospes që merren me administrimin dhe pastrimin, si edhe staf shqiptar, përfshirë personelin shëndetësor.

Sipas La Repubblica, operatorët e tjerë do të kthehen të dielën (24 Nëntor) në Itali.

Deri më tani, si transferimi i parë i emigrantëve, ashtu edhe i dyti përfunduan me kthimin e azilkërkuesve në Itali, pas vendimit të Gjykatës së Romës, e cila ia referoi çështjen Gjykatës Evropiane të Drejtësisë. gsh

Maqedonci dhe Jashari, pjesë e Forumit Ndërkombëtar të Sigurisë në Kanada

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, së bashku me komandantin e FSK-së gjenerallejtënant Bashkim Jasharin, po marrin pjesë në Forumin Ndërkombëtar të Sigurisë në Halifax të Kanadasë.

“Edicioni i sivjetmë i forumit është i fokusuar tek sfidat e sigurisë me të cilat aktualisht përballet bota demokratike, ndërsa synon që të shërbej si një ngjarje që do të nxisë bashkëpunimin strategjik mes vendeve demokratike”, thuhet në njoftim.

Aty tutje shkruan se Maqedonci dhe Jashari, gjithashtu do të realizojnë takime bilaterale me homologë dhe përfaqësues të tjerë politik dhe ushtarak të vendeve partnere.

Maqedonci bashkë me Jasharin shkuan, me ftesë të homologut të tyre kanadez Bill Blair. sn

“Autori kishte thënë ‘prisni çfarë do ndodhë sot’”- Vrasja e 14-vjeçarit, zbardhet dëshmia në mbledhjen me prindërit te “Fan Noli”: Autori nxori thikën në klasë, e dinin të gjithë (Audio)

Krimi që tronditi të madh e të vogël, vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani mund të ishte parandaluar. Kjo pasi konflikti kishte nisur prej disa ditësh dhe për këtë ishin në dijeni dhe stafi i shkollës. Prindërit e shkollës “Fan Noli” akuzojnë mësuesit dhe drejtoreshën e shkollës për mosmarrjen e masave pasi ishin në dijeni të konfliktit.

Në rrjetet sociale është publikuar një audio nga mbledhja me prindërit e shkollës “Fan Noli” pas ngjarjes së rëndë. Në audio dëgjohet një prind që i kërkon llogari mësueses dhe thotë se stafi i shkollës kishte dijeni se i mituri ishte i armatosur.

Sipas prindërve, jo vetëm nxënësit, por edhe mësuesja, drejtoresha, psikologia e shkollës “Fan Noli” dhe oficerja kanë qenë në dijeni të thikës që 14-vjeçari i dyshuar si autor i vrasjes së Martin Canit mbante në shkollë, ditën e ngjarjes.

“Përgjegjësia juaj ishte që ata fëmijë të mos vinin as orën e 5 e të 6 që kishin marrë leje. Nga e premtja ishte bërë çfarë ishte bërë dhe për zyshën duhet të merren masa, edhe për drejtoreshën. Edhe oficeren. Gjithë çfarë kanë qebë. Edhe psikologu ishte në dijeni”, thotë prindi”.

14-vjeçari u kishte treguar thikën nxënësve të klasës dhe u kishte thënë se për kë e kishte marrë.

 

“Dhe kur gjithë klasa po përpëlitej, ai djali kishte thënë ‘prisni ju çfarë do të ndodhë sot’. Dhe vjen me një thikë kaq! Dhe ua ka treguar edhe shokëve”, dëgjohet në audio.

Në bisedë prindi kërkon llogari nga mësuesit dhe drejtuesit e shkollës për këtë neglizhencë dhe akuzon stafin e shkollës se u kanë sugjeruar fëmijëve të mos flasin me gazetarët apo të japin intervista për ngjarjen.

Martin Cani mbeti i vrarë më 18 nëntor në kryeqytet, pas një sherri me thika. Policia arrestoi si autor të vrasjes 14-vjeçarin M.P., ndaj të cilit është ngritur akuza e vrasjes në rrethana cilësuese. I plagosur mbeti dhe shoku i viktimës. Sherri mes të miturve kishte nisur prej ditës së premte çka ka bërë të ngrihen shumë pikëpyetje se si askush nuk arriti ta parandalonte krimin.bw

Shefja e Parlamentit të BE-së: Gjermania duhet t’ia dërgojë Ukrainës raketat Taurus

Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, e mbështet përdorimin e raketave me rreze të gjatë nga ana e Ukrainës, teksa mbrohet kundër pushtimit rus, dhe ka thënë se Gjermania duhet t’i dërgojë shpejt sistemet e veta të raketave me rreze të gjatë, Taurus, drejt Kievit.

Në një intervistë të publikuar të shtunën nga Funke Mediengruppe, Metsola ka thënë se përkrah dërgimin e raketave të tilla në Ukrainë dhe që duhet lejuar të përdoren kundër shënjestrave në Rusi.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, social-demokrat, ka kundërshtuar ashpër dërgimin e sistemit Taurus në Ukrainë.

Partnerët e tij të koalicionit, Demokratët e Lirë dhe Të Gjelbrit, janë në favor të dërgimit të raketave në Kiev.

Diskutimet për raketa janë aktualizuar në ditët e fundit pasi Shtetet e Bashkuara është raportuar t’i kenë dhënë leje Ukrainës për t’i përdorur raketat amerikane ATACMS për të sulmuar Rusinë.

Raketat e këtij sistemi mund të sulmojnë një shënjestër deri në 300 kilometra larg.

Sistemet gjermane Taurus mund të sulmojnë një shënjestër deri në 500 kilometra largësi.

Sipas Metsolas, presidenti ukrainas, Volodomyr Zelensky ka thënë me të drejtë se Ukraina nuk mund të presë pafundësisht për ndihmë efektive ushtarake, sepse në Perëndim vazhdimisht ka zgjedhje, derisa ukrainasit vdesin çdo ditë në luftë.

“Është alarmante që Rusia po përshkallëzon luftën dhe po intensifikon sulmet me raketa, të cilat tashmë kanë shkaktuar shumë viktima”, ka thënë ajo.

Të enjten, Rusia e ka lëshuar një raketë balistike me rreze të mesme në rajonin Dnjipro të Ukrainës dhe ka paralajmëruar që sulme të tilla mund të shënjestrojnë edhe perëndimin e Evropës.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre. REL

Katër vjet pas marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë

VOA/Edlira Bllaca

Rizgjedhja e republikanit Donald Trump si president i Shteteve të Bashkaura të Amerikës, ka rikthyer në vemendje në Kosovë çështjen e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike me Serbinë që u arrit në Shtëpinë e Bardhë, gjatë mandatit të tij të parë. Siç njofton korrespondentja, Edlira Bllaca, gjatë një debati të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Prishtinë u tha se mungesa e vullnetit politik për zbatimin e plotë të marrëveshjes së vitit 2020 paraqet një mundësi të humbur për të dyja palët.

Ish kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha të premten se njohja e ndërsjellë midis Kosovës dhe Serbisë ishte më afër në vitin 2020 kur palët nënshkruan një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike në Shtëpinë e Bardhë, sesa që është tani.

Ai i bëri këto komente në një debat të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Prishtinë, për katër vjetorin e arritjes së asaj marrëveshjeje që u nënshkrua në shtator të vitit 2020 në praninë e ish Presidentit Donald Trump, i cili doli fitues në zgjedhjet e këtij muaji.

Ish kryeministri Hoti tha sot se marrëveshja i mundësoi Kosovës të trajtohet ndërkombëtarisht si një sfidë për integrimin euroatlantik, ndërkaq tani ajo trajtohet si sfidë e sigurisë.

“Unë besoj që kjo nuk na shërben në asnjë drejtim, as atë politik. Por çfarë ka ndodhur gjatë kësaj periudhe? Është ndërtuar një status quo e re, e përkthyer në terma konkret kjo nënkupton që nuk ka më dialog për njohje reciproke, është arritur një marrëveshje në Bruksel dhe aneksi në Ohër dhe tani ka një trysni për zbatim të disa aranzhimeve të parapara në të, duke e ngrirë situatën për një kohë tjetër”, tha zoti Hoti, i cili aktualisht është deputet i Lidhjes Demokratike në parlamentin e Kosovës.

Njohësi i zhvillimeve politike Adriatik Kelmendi, tha se përfshirja më e madhe e Shteteve të Bashkuara në ndërmjetesimin e dialogut dhe marrëveshjes përfundimtare ndërmjet Kosovës e Serbisë, është kërkesë e vazhdueshme e Kosovës.

“Qasja në Uashington ka qenë që nëpërmjet normalizimit ekonomik të krijohet hapësira që më butë, më lehtësisht, më natyrshëm të ecet drejt marrëveshjes përfundimtare dhe njohjes reciproke. Unë besoj se kjo ishte qasja më e drejtë. Të kujtojmë përse, e dimë se në Luftën e Dytë Botërore, pikërisht kanë qenë marrëveshjet ekonomike dhe bashkëpunimi ekonomik ato që kanë bërë që shtetet më antagoniste të bashkëpunojnë dhe madje të bëhen simbol i përparimit”, tha ai.

Zoti Kelmendi thotë se mungesa e vullnetit politik nga Serbia dhe Kosova për të zbatuar këtë marrëveshje nënkupton një mundësi të humbur.

“Të mos harrojmë, shteti në të cilin është nënshkruar ajo marrëveshje e ka njohur Kosovën, e ka ndihmuar Kosovën, aty është marrë bekimi edhe për ndërrimin e mandatit të FSK-së dhe rrugëtimin e saj drejt formimit të ushtrisë si dhe është shteti të cilin po të na pyesni të gjithë ne që jemi këtu dhe gjithë spektrin politik në vend se kush e garanton përfundimin pozitiv të këtij procesi në arenën ndërkombëtare, janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha ai.

Në dokumentin e nënshkruar në praninë e Presidentit Trump parashikohej vënia në jetë e lidhjeve rrugore dhe hekurudhore mes Prishtinës dhe Beogradit si dhe projekte të tjera me një vlerë të përgjithshme që siç u tha atëherë e kalon shifrën 1 miliard euro.

Lëvizja Vetëvendosje atë kohë në opozitë, e kishte parë me rezerva marrëveshjen duke vlerësuar ndërkaq si shumë të rëndësishme njohjen e Kosovës nga Izraeli që ishte pjesë e marrëveshjes.

25 vjet pas luftës, që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s, Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës e cila u shpall në vitin 2008 me mbështetjen e vendeve kryesore perëndimore.

Të dyja vendet janë pajtuar në Bruksel dhe Ohër mbi një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve, por tensionet mbeten të larta duke shtuar shqetësimin e diplomacisë perëndimore për mundësinë e ripërtëritjes së konflikteve në rajon.

Reuters: Grenelli mund të jetë i dërguari special për luftën në Ukrainë

Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, po shqyrton mundësinë e emërimit të Richard Grenell, ish-shefit të tij të inteligjencës, si të dërguar special për konfliktin mes Rusisë dhe Ukrainës.

Ky zhvillim është raportuar nga agjencia e lajmeve Reuters duke cituar burime të brendshme.

Grenell, i cili ka shërbyer si ambasador i SHBA-së në Gjermani dhe si ushtrues detyre i drejtorit të inteligjencës kombëtare gjatë mandatit të parë të Trumpit, mund të luajë një rol kyç në përpjekjet për ndalimin e luftës, nëse emërohet zyrtarisht në këtë detyrë.

Aktualisht, nuk ka një të dërguar special për zgjidhjen e konfliktit Rusi-Ukrainë, por republikani po konsideron krijimin e këtij posti, megjithëse ende nuk është marrë një vendim përfundimtar.

Gjatë fushatës së tij, 78-vjeçari është zotuar se do t’i japë fund luftës “shpejt”, ndonëse nuk ka dhënë detaje konkrete për mënyrën se si do të arrijë këtë qëllim. sn

Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut shënojnë Ditën e Alfabetit

VOA/Isak Ramadani

Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut po shënojnë 22 Nëntorin, Ditën e Alfabetit Shqip, e cila është një nga festat kryesore të tyre.

Parlamenti i vendit jep çmimin “22 Nëntori”, ndërsa organizohen aktivitete nga institute, nga parti politike dhe nga qeveria, për nder të përvjetorit të Kongresit të Manastirit të vitit 1908 ku u ra dakord për krijimin e alfabetit të gjuhës shqipe.

Presidentja Gordana Siljanovska Davkova, Kryeministri Hristijan Mickovski dhe drejtues të partive politike uruan shqiptarët për festën. Në një aktivitet të organizuar nga qeveria e Maqedonisë së Veriut për rëndësinë e kësaj dite folën kryeministri Hristijan Mickovski dhe zëvendës-kryeministri Izet Mexhiti.

Kryeministri Mickovski tha se “intelektualët në Manastir të bashkuar dhe me mençuri morën vendimin për të hapur rrugën e gjuhës shqipe drejt së ardhmes – krijimit të alfabetit të njësuar dhe të standardizuar. Ky vendim, tha ai, nuk ishte vetëm gjuhësor, por një vepër për krijimin e një veçorie kulturore”.

Izet Mexhiti, Zv.Kryeministër i parë në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut tha se “gjuha është përcaktuesi themelor i tërësisë shqiptare që kalon kufijtë politikë e territorialë dhe që homogjenizon kombin shqiptar si një tërësi sot”.

“Që dëshmitë të ruhen në mendime, letërsi, art, koncepte politike e të ngjashme, duhet ekzistuar një element homogjenizues i organizuar i identitetit kombëtar çfarë është gjuha”, tha ai.

Në një takim tjetër akademik të organizuar nga Instituti për Trashëgiminë Kulturore të Shqiptarëve, drejtori Skender Asani theksoi synimin që “e ardhmja e gjuhës shqipe të jetë e lidhur ngushtë me synimet e përbashkëta të shqiptarëve për një ardhmëri euro-atlantike”.

Bashkimi Demokratik për Integrim organizoi një diskutim “në mbrojtje të gjuhës shqipe”. Ndërkohë, në qytetin e Manastirit sot do te mbahet një aktivitet kulturor-artistik me këtë rast.

Kjo ditë shënohet në një kohë kur janë shtuar shqetësimet e një pjese të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut për cënimin e mundshëm të përdorimit të gjuhës shqipe, shkaktuar nga një nismë e Gjykatës Kushtetuese të vendit.


Send this to a friend