Presidenti amerikan, Joe Biden, do të jetë mikpritës i takimit të lartë për demokraci më 9 dhe 10 dhjetor, në të cilin janë ftuar mbi 100 shtete të botës, por jo edhe Kosova.
Ndonëse, administrata amerikane ende nuk e ka bërë publike listën e vendeve pjesëmarrëse në takimin që do të zhvillohet virtualisht, të premten portali amerikan “Politico” publikoi listën e 100 shteteve pjesëmarrëse. Në mesin e tyre nuk është Kosova sikurse as Serbia dhe Bosnja, ndërsa të ftuara janë Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi. Në mesin e atyre që nuk janë ftuar sipas Politicos, është edhe Hungaria.
Një zëdhënës i ambasadës amerikane në Prishtinë tha se takimi i lartë per demokraci i “është një nga shumë nismat amerikane e përqendruar në çuarjen përpara të demokracisë, luftimit të korrupsionit dhe promovimin e respektimit të të drejtave të njeriut gjithandej botës. Jo të gjithë partnerët mund të akomodohen në këtë nismë”, tha zëdhënësi.
Ai nënvizoi se “sikundër e ka theksuar edhe presidenti Biden në video adresimin e tij të muajit gusht, Kosova ka shënuar përparim të jashtëzakonshëm gjatë 20 viteve të fundit’ në ndërtimin e një demokracie shumetnike dhe të qëndrueshme. Si partnere e palëkundur e Kosovës, SHBA-ja mbetet e përkushtuar që të punojë me Kosovën në forumet tjera për të çuar përpara dhe fuqizuar demokracinë, për të parandaluar rrëshqitjen demokratike, për të promovuar respektimin e të drejtave të njeriut, dhe për të luftuar korrupsionin, me qëllim që bashkë të dëshmojmë se demokracitë angazhohen për nevojat e qytetarëve të tyre”, tha zëdhënësi i ambasadës amerikane.
Megjithatë, njoftimi se Kosova nuk është ftuar në takim, nxiti reagime të një pjese të opozitës dhe vëzhguesve të pavarur që e vlerësojnë këtë si të dëmshme për Kosovën.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, shkroi në rrjetet sociale se mungesa e ftesës “duhet të na shqetësojë të gjithëve pa dallim dhe të shërbejë si sinjal alarmi për shkallën e degradimit të raporteve me SHBA-të si rezultat i qeverisjes së Albin Kurtit”.
Nuk pati ndonjë reagim të menjëhershëm të udhëheqësve të institucioneve të Kosovës rreth kësaj çështjeje.
Komentet