Gjermania është angazhuar si pjesë e një marrëveshjeje me Uashingtonin të ndërmarrë veprime në nivel kombëtar dhe për të ushtruar presion, madje edhe sanksione në nivelin evropian, nëse Rusia përdor energjinë si armë në marrëdhëniet me vendet e tjera.
Shtetet e Bashkuara nuk hynë në detaje për hapat që do të ndërmarrin në lidhje me marrëveshjen për gazsjellësin Nord Stream 2, në mënyrë që të mos “i jepen Rusisë informacione që mund ta ndihmonin atë t’u shmangej këtyre masave”, u tha një zyrtar amerikan gazetarëve, në kushte anonimiteti.
Ndërkaq, gjatë një seance dëgjimore në Komisionin e Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, Nënsekretarja e Shtetit për Çështje Politike, Victoria Nuland, foli për ndikimin e këtij gazsjellësi në Evropë.
“Kjo është një situatë e keqe dhe një gazsjellës i keq, por ne duhet të mbrojmë Ukrainën. Mendoj se me këtë marrëveshje kemi marrë hapat e duhur në këtë drejtim”, tha zonja Nuland.
Ndërkaq, Shtëpia e Bardhë njoftoi se më 30 gusht do të pritet në Shtëpinë e Bardhë presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy. Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba njoftoi se Kievi ka filluar zyrtarisht konsultimet me Bashkimin Evropian dhe Gjermaninë për gazsjellësin Nord Stream 2.
Presidenti Joe Biden u tha gazetarëve mbrëmë se bisedimet me Kancelaren gjermane Angela Merkel kishin mundësuar lejimin e përfundimit të këtij gazjellësi në Evropë, pa shtuar sanksione të tjera amerikane.
“Nord Stream-i është 99% i përfunduar. Ideja se diçka mund të thuhej apo mund të bëhej për ta ndaluar, nuk është e realizueshme. Por, siç e dini unë pata bisedime të frytshme me Angela Merkelin, e cila po punon nga ana e qeverisë gjermane me një angazhim që sugjeron se nëse Rusia do të punojë fort për të dëmtuar qëllimisht Ukrainën dhe vendet e tjera, atëherë do të marrin një përgjigje”, tha Presidenti Biden.
Nëpërmjet ministrit të jashtëm, Gjermania shprehu lehtësim për arritjen e marrëveshjes për këtë gazsjellës dhe premtoi të ndihmojë Ukrainën për ngritjen e një sektori energjie të gjelbër dhe për të siguruar tranzitin e gazit përmes vendit gjatë dekadës së ardhshme.
Marrëveshja synon të lehtësojë ato që kritikët i shohin si rreziqet strategjike të gazjellësit me vlerë 11 miliardë dollarë, që tani është pothuajse i kompletuar dhe po ndërtohet nën Detin Baltik për të transportuar gaz nga rajoni Arktik i Rusisë në Gjermani.
Shtetet e Bashkuara kanë qenë kundër këtij gazsjellësi që e lejon Rusinë të eksportojë gaz direkt në Gjermani dhe të bllokojë vendet e tjera, por administrata e Presidentit Biden ka zgjedhur të mos përpiqet ta neutralizojë atë plotësisht me sanksione.
*Materiali përmban të dhëna të marra nga agjensitë e lajmeve Reuters dhe Associated Press
Komentet