Presidenti Joe Biden njoftoi të premten se në SHBA janë bërë 300 milionë doza vaksine kundër koronavirusit që kur ai erdhi në Shtëpinë e Bardhë më 20 janar.
Në komente në Shtëpinë e Bardhë, presidenti tha se “ky është me të vërtetë një sukses amerikan” dhe se “nuk u realizua rastësisht”.
Ai e cilësoi fushatën e imunizimit si “sfidën më të madhe, më të komplikuar logjistike në historinë e Amerikës”.
Por administrata amerikane ka të ngjarë të mos realizojë objektivin e shprehur nga presidenti për të vaksinuar, të paktën pjesërisht 70% të amerikanëve të rritur brenda Festës së Pavarësisë më 4 Korrik. Gjatë javëve të fundit është vërejtur një rënie e interesimit për vaksinim, gjë që vë në rrezik synimin e Presidentit Biden.
Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve njoftoi të premten se afro 172.4 milionë vetë, ose 52% e popullatës në SHBA kanë bërë të paktën një dozë të vaksinës dhe 42.6% janë të vaksinuar plotësisht.
Presidenti tha se në popullatën në moshë të rritur, 65% e tyre kanë bërë të paktën një dozë, duke shtuar se 15 shtete amerikane e kanë arritur objektivin për vaksinimin e 70% të të rriturve, të paktën me një dozë.
Presidenti theksoi se duhet bërë më shumë, duke vënë në dukje se ritmet e vaksinimit janë më të ulëta ndër personat me ngjyrë.
Zoti Biden u bëri thirrje amerikanëve që nuk janë vaksinuar, të mos ngurojnë, duke paralajmëruar se varianti Delta, i shfaqur fillimisht në Indi, është më ngjitës dhe përbën rrezik më të madh për personat e pavaksinuar.
“Një verë shumë e ndryshme nga vjet, shumë më e ndritshme, një verë plot gëzim” i pret amerikanët falë imunizimeve, tha Presidenti Biden.
Në një përpjekje paralele për të inkurajuar njerëzit të vaksinohen, Nënpresidentja Kamala Harris vizitoi një qendër provizore imunizimesh në kishën baptiste Ebenezer në Atlanta, ku dikur ishte pastor ikona e të drejtave civile Martin Luther King Jr.
Komentet