Zyrtari më i lartë për sigurinë kombëtare në Departamentin amerikan të Drejtësisë njoftoi të hënën se do të japë dorëheqjen pasi u bë e ditur se ky department kishte mbledhur informata mbi politikanë demokratë dhe punonjës të medias gjatë administratës së Presidentit Trump.
John Demers, i emëruar nga Presidenti Trump, do të largohet në fund të javës njoftoi departamenti në komente për agjencinë e lajmeve Associated Press. Zoti Demers, i cili filloi punën pak javë pasi ishte nxjerrë urdhër për të mbledhur të dhëna për disa demokratë, është një ndër zyrtarët e paktë të administratës së mëparshme ende në detyrë. Ai e kishte bërë të ditur se kishte në plan të largohej në fund të qershorit, tha një zyrtar me njohuri mbi këtë zhvillim, duke komentuar me kusht që të mos identifikohej me emër.
Dorëheqja e zotit Demers vjen ndërkohë që kanë lindur pyetje të shumta lidhur me përpjekjet e Departamentit të Drejtësisë për të mbledhur në mënyrë sekrete të dhëna mbi tabulatet e telefonatave të disa anëtarëve demokratë të Dhomës së Përfaqësuesve si dhe të gazetarëve, në kuadër të një hetimi të ethshëm për të zbuluar kush kishte nxjerrë informacion të brendshëm në shtyp.
Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland theksoi në një deklaratë të hënën se “kategorizime politike apo të formave të tjera të papërshtatshme nuk duhet të luajnë rol në hetimet apo vendimet prokuroriale” duke shtur se këshilltari ligjor i departamentit që ai drejton kishte hapur një proces hetimor.
“Në përputhje me angazhimin tonë për të vënë ligjin mbi të gjitha, duhet të garantojmë se po respektohet ndarja e kompetencave dhe autoritetit në veprimet e mëtejshme,” tha ai.
Javën e kaluar u raportua se Departamenti i Drejtësisë kishte nxjerrë në 2018 urdhra në mënyrë sekrete për të mbledhur të dhëna mbi telefonatat e demokratëve të Dhomës së Përfaqësuesve Adam Schiff dhe Eric Swalwell, pasi komisionet ku ata bënin pjesë po zhvillonin hetime mbi lidhjet e mundshme mes Presidentit Trump dhe Rusisë. Zoti Schiff ishte në atë kohë demokrati më i lartë në Komisionin e Dhomës së Përfaqësuesve për Zbulimin.
Rekordet e të paktën 12 individëve që kishin lidhje me Komisionin për Shërbimet e Zbulimit iu përcollën Departamentit të Drejtësisë nga kompania Apple, pasi u nxor urdhri në 2018. Ndër këta individë kishte ndihmës, ish-ndihmës dhe pjesëtarë të familjeve. Një ndër personat ishte në moshë të mitur.
Urdhri i 6 shkurtit 2018 kërkonte informacion mbi 73 numra telefoni dhe 36 adresa emaili, tha kompania Apple. Kompania shton se urdhri gjithashtu e ndalonte këtë entitet të njoftonte personat e shenjestruar.
Zoti Demers ka drejtuar divizionin për sigurinë kombëtare në Departamentin e Drejtësisë që në fund të shkurtit 2018. Divizioni i tij ka qenë i përfshirë në secilin nga hetimet lidhur me nxjerrjen e informacionit të brendshëm. VOA
Komentet