VOAL
Të mërkurën në mbrëmje, gjatë një sesioni të përbashkët të Kongresit, Presidenti Joe Biden pritet të flasë rreth qëllimit të administratës së tij për të bashkëpunuar me vendet e tjera si dhe që Shtetet e Bashkuara të marrin një rol udhëheqës në skenën botërore.
Sipas sekretares së Shtypit në Shtëpinë e Bardhë Jen Psaki, presidenti do të ndalet tek përpjekjet e Amerikës për të “marrë vendin që i takon në botë dhe për të nxjerrë në pah vlerat tona si vend”. Ajo tha se presidenti ka të ngjarë të flasë mbi një numër përparësish të politikës së jashtme “përfshirë angazhimin e vendit me Kinën”.
Nxitja që administrata Biden po i bën bashkëpunimit me aleatët, çka u pa këtë muaj edhe nga koordinimi me anëtarët e tjerë të NATO-s për tërheqjen e trupave nga Afganistani, shihet si një largim nga katër vite të politikës së jashtme nën ish-Presidentin Donald Trump, që u përqëndrua tek vendosja në krye e interesave amerikane.
Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi ftoi Presidentin për të folur në lidhje me “vizionin e tij për përballimin e sfidave dhe mundësive që paraqet ky moment historik”, një fjalim që vjen ndërsa janë shënuar 100 ditë që kur ai mori detyrën.
Zonja Psaki tha se Presidenti Biden do të flasë për një nga nismat kryesore të tij, atë që lidhet me një program të brendshëm për “investime në arsim dhe kujdesin ndaj fëmijëve”.
Propozimi llogaritet në vlerën e 1.8 trilionë dollarëve shpenzime gjatë 10 vjetëve. Zyrtarët e administratës thonë se zoti Biden propozon që fatura e kësaj iniciative të paguhet kryesisht nga rritja taksave për amerikanët e pasur.
Presidenti Biden do të flasë gjithashtu rreth përpjekjeve të administratës për të luftuar pandeminë si dhe sfidave që lidhen me papunësinë, emigracionin, reformën në polici dhe mbi sigurinë e armëve.
Administrata e konsideron fjalimin si një pikënisje për të kërkuar mbështetje për nismat e zotit Biden.
Republikanët pritet t’i kundërvihen mesazhit të Presidentit Biden gjatë një fjalimi po të mërkurën që do të mbahet nga senatori i Karolinës së Jugut, Tim Scott.
Pjesëmarrja gjatë këtij sesioni të përbashkët të Kongresit do të jetë e kufizuar, ndryshe nga zakonisht. Fjalimi i së mërkurës gjithashtu do të zhvillohet nën masa të forta sigurie, pas sulmit të dhunshëm ndaj selisë së Kongresit më 6 janar nga mbështetësit e ish-Presidentit Trump.
Komentet