Shtëpia e Bardhë njoftoi dëbimin e 10 diplomatëve rusë dhe një raund të ri sanksionesh kundër Rusisë.
Masat vijnë në përgjigje të ndërhyrjes në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar, si dhe piraterimit të agjencive qeveritare amerikane.
Masat e njoftuara të enjten përfshijnë sanksione ndaj gjashtë kompanive ruse që mbështesin veprimtaritë kibernetike të vendit, përveç sanksioneve ndaj 32 individëve dhe entiteteve të akuzuara për përpjekje për të ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar, duke përfshirë shpërndarjen e dezinformimit.
Dhjetë diplomatët që po dëbohen përfshijnë përfaqësues të shërbimeve ruse të inteligjencës, tha Shtëpia e Bardhë.
Për herë të parë, SHBA e lidhi drejtpërdrejt këtë ndërhyrje me njërin nga shërbimet ruse të zbulimit.
Presidenti Joe Biden tha se përpjekjet e Rusisë për të minuar zgjedhjet e lira në SHBA dhe në vende të tjera si dhe aktiviteti i saj keqdashës kibernetik, përbëjnë një kërcënim të jashtëzakonshëm ndaj sigurisë amerikane.
Sanksionet, të paralajmëruara prej shumë javësh nga administrata, janë kundërpërgjigjja e parë që administrata e Presidentit Biden njofton kundër Kremlinit për sulmin ndaj kompanisë SolarWinds.
Një zëdhënëse e ministrisë së Jashtme ruse tha se sanksionet amerikane janë kundër interesave të dy vendeve. Ajo tha se përgjigjja e Rusisë do të jetë e pashmangshme.
Shtëpia e Bardhë gjithashtu tha se Biden po përdorte kanale diplomatike, ushtarake dhe të inteligjencës për t’iu përgjigjur raporteve se Rusia inkurajoi talibanët për të sulmuar trupat amerikane dhe ato aleate në Afganistan, bazuar në vlerësimet e komunitetit të inteligjencës.
Nuk është ende e qartë se çfarë veprime të tjera mund të planifikohen kundër Rusisë. Zyrtarët kishin thënë më parë se ata do të ndërmerrnin veprime që duken dhe që nuk duken.
Sanksionet synojnë ne sa duket t’i dërgojnë një mesazh të qartë ndëshkues Rusisë dhe të parandalojnë veprime të ngjashme në të ardhmen.
Presidenti Joe Biden i tha Presidentit Putin në një telefonatë këtë javë se Shtetet e Bashkuara do të “veprojnë në mënyrë të vendosur në mbrojtje të interesave të tyre kombëtarë”.
Ndërhyrja ndaj SolarWinds, u dha hakerëve qasje në mijëra kompani dhe zyra qeveritare që përdorin produktet e saj.
Sanksionet pritet të thellojnë ftohjen e marrëdhënieve tashmë të akullta midis Uashingtonit dhe Moskës, e cila ka vënë në provë durimin e perëndimit me grumbullimet ushtarake afër kufirit me Ukrainën.
Me sanksionet e reja Shtetet e Bashkuara gjithashtu ndëshkojnë Moskën lidhur me aludimet për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale amerikane në vitin 2020.
Në një raport të publikuar muajin e kaluar, agjencitë amerikane të zbulimit thanë se Presidenti rus Vladimir Putin ka të ngjarë të ketë urdhëruar një fushatë për të ndihmuar shanset për fitore të ish presidentit Trump.
Ky hap i Uashingtonit ka të ngjarë të përkeqësojë tensionet në një marrëdhënie që ra në një nivel të ri të ulët, pas komenteve të presidentit Biden, kur ai tha ai mendonte që Putini ishte një “vrasës”.
Në një bisedë telefonike të martën, presidenti Biden i tha presidentit Putin se Shtetet e Bashkuara do të vepronin “me vendosmëri” për të mbrojtur interesat e tyre.
Presidenti Biden gjithashtu propozoi një takim me presidentin Putin “në një vend të tretë” që të mund t’u lejonte udhëheqësve të gjejnë hapësira për të punuar së bashku.
Komentet