Ndërsa administrata e Presidentit Biden rishikon politikën ndaj Kubës, sondazhi i fundit publik në Florida konfirmon anketat e mëparshme të opinionit publik që tregojnë se shumica e votuesve kubano-amerikanë janë kundër një ri-angazhimi me shtetin komunist. Qëndrimi në dukje më i ashpër ndaj Havanës tregon një zhvendosje nga koha e Presidentit Obama, gjë që u vu re në zgjedhjet e vitit 2020.
Pothuajse dy milionë kubano-amerikanë jetojnë në Shtetet e Bashkuara, kryesisht në Florida. Ata përbëjnë një forcë të madhe politike në shtetin e lëkundur dhe për dekada me radhë kanë mbështetur vijën e ashpër ndaj Kubës së Fidel Kastros. Scott Lucas është profesor i shkencave politike në Universietetin Birmingham.
“Historikisht, kubanët që shkuan në Florida pas revolucionit të vitit 1959, drejtoheshin nga ideja se çfarë duhet bërë për Kubën. Fillimisht, mbi mundësinë e kthimit dhe pastaj çfarë duhet bërë për regjimin dhe sistemin në Kubë? Kjo konkretizohej tek mbështetja për kandidatët kryesisht republikanë, që mbajtën qëndrim të ashpër ndaj Kubës.”
Por kjo pikëpamje filloi të ndryshonte gjatë administratës së Presidentit Obama.
“Me fitoren e Obamës në vitin 2009, ndodhi një nxitje mes popullsisë jo të bardhë, për shanse dhe mundësi të reja. Obama bëri për vete shumë njerëz, dhe këtu përfshihen edhe kubanët”, thotë profesori Lucas.
Gjatë dy mandateve, Presidenti Obama zbuti kufizimet e udhëtimit dhe hoqi Kubën nga lista e shteteve që sponsorizojnë terrorizmin. Në vitin 2016, ai u bë presidenti i parë amerikan që viziton këtë shtet-ishull që nga viti 1928. Në kohën e udhëtimit të tij, anketat tregonin se mbi gjysma e imigrantëve kubanë në Florida mbështesnin politikat e tij.
Por kur Donald Trump u bë president, Uashingtoni e ashpërsoi qëndrimin ndaj shtetit komunist. Në ditët e fundit të presidencës së tij, Kuba u rivendos në listën e shteteve sponsorizuese të terrorizmit, si dhe u rivendosën disa nga kufizimet. Vota kubano-amerikane po ashtu po ndryshonte.
“Arsyeja se pse kubano-amerikanët mbështetën Trump-in dhe republikanët, është se me polarizimin e politikës amerikane, edhe çështja për Kubën doli në krye të problemeve. Nuk kishte të bënte me ekonominë apo shëndetin, por ishte kartë specifike në interes të kubanëve që u luajt nga republikanët”, thotë profesori i shkencave politike Scott Lucas.
Sipas një sondazhi të publikuar në mars nga “Bendixen & Amandi International”, 66% e komunitetit kubano-amerikan tani mbështesin mbajtjen e embargos amerikane ndaj Kubës, krahasuar me vetëm 36% në vitin 2015.
Anketa e fundit po ashtu tregon se 56% e kubano-amerikanëve në Florida janë kundër zbutjes së ndalimit të udhëtimeve, qëndrim i pandryshuar nga anketat e një viti më parë. Më shumë kubanë po votojnë për republikanët për të mbajtur një politikë më të ashpër ndaj Havanës, thonë analistët. Gregory Koger është profesor i shkencave politike në Universitetin e Majamit.
“Fushata e Presidentit Trump dhe republikanët bënë një punë të jashtëzakonshme për të depërtuar tek votuesit kubano-amerikanë dhe komunitet e tjera hispanike në Florida. Ata e kuptuan më mirë se demokratët se shumë njerëz në Florida nuk identifikohen si latino apo hispanikë. Ata nuk e shohin veten si një grup i gjerë kulturor, por indetifikohen me vendin nga erdhën familjet e tyre.”
Edhe pse administrata e Presidentit Biden po shqyrton politikën ndaj Kubës, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki tha për shtypin se marrëdhëniet me Kubën nuk janë përparësi kryesore.
Ndërsa sondazhet tregojnë se shumica e votuesve kubano-amerikanë janë kundër ngrohjes së marrëdhënieve me Havanën, demokratëve do t’u duhet të gjejnë një mënyrë për ta bërë për vete këtë grup votuesish.
Komentet