Shtëpia e Bardhë tha të hënën se Presidenti Joe Biden i sheh shqetësuese zhvillimet në lidhje me aludimet ndaj Guvernatorit të Nju Jorkut Andrew Cuomo për sjellje të pahijshme seksuale dhe se hetimi duhet të jetë i shpejtë dhe i plotë.
Presidenti Biden nuk ka folur drejtpërdrejt me zotin Cuomo, i cili aktualisht kryeson Shoqatën Kombëtare të Guvernatorëve dhe pritet të marrë pjesë të martën në një telefonatë të përjavshme me presidentin, tha sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki.
63-vjeçari Cuomo përballet me aludime për ngacmim dhe sjellje të pahijshme seksuale, të ngritura nga të paktën shtatë gra, duke përfshirë ish ndihmëse të tij. Ai është gjithashtu nën presion pas të dhënave të zbuluara se administrata e tij e mbajti të fshehtë numrin e vërtetë të personave që humbën jetën nga COVID-19 në shtëpitë e të moshuarve në shtetin e Nju Jorkut.
“Zhvillime të reja duket se po ndodhin çdo ditë. Ne i shohim shqetësuese. Presidenti i sheh këto zhvillime si shqetësuese dhe të vështira për t’u interpretuar,” tha zonja Psaki. “Çdo grua që ngre aludime të tilla duhet të trajtohet me dinjitet dhe respekt,” tha ajo.
Zoti Biden nuk pranoi të dielën t’i bëjë thirrje zotit Cuomo për të dhënë dorëheqjen, duke thënë se dëshironte të priste rezultatin e një hetimi mbi çështjen.
I pyetur nëse zoti Cuomo, i cili është po ashtu demokrat, duhet të japë dorëheqjen, Presidenti Biden u tha gazetarëve: “Unë mendoj se hetimi është duke u zhvilluar dhe duhet të shohim se çfarë do të sjellë.”
Të premten, dy senatorë demokratë të Nju Jorkut, Chuck Schumer dhe Kirsten Gillibrand, si dhe shumica e ligjvënësve nga ky shtet, i kërkuan zotit Cuomo, tashmë në mandatin e tij të tretë si guvernator, të japë dorëheqjen.
Komentet