Duke u përballur me një izolim të pashembull politik, Guvernatori i Nju Jorkut Andrew Cuomo u shfaq përsëri sfidues duke këmbëngulur të premten se nuk do të dorëhiqet pavarësisht akuzave në rritje ndaj tij për ngacmim seksual. Ai kritikoi koalicionin e gjerë të demokratëve që po kërkojnë dorëheqjen e tij duke i cilësuar si “të nxituar e të rrezikshëm”.
Në fund të ditës, guvernatori kishte humbur mbështetjen e pothuajse të gjithë delegacionit të kongresit të shtetit të tij. Goditja më e rëndë erdhi kur dy senatorët e Nju Jorkut, udhëheqësi i shumicës në senat Chuck Schumer dhe senatorja Kirsten Gillibrand bënë thirrje për dorëheqjen e tij.
“Për shkak të akuzave të shumta, të besueshme të ngacmimit seksual dhe sjelljes së papërshtatshme, është e qartë se Guvernatori Cuomo ka humbur besimin e partnerëve të tij qeverisës dhe banorëve të Nju Jorkut,” shkruanin senatorët Demokratë në një deklaratë të përbashkët.
Disa orë më herët, guvernatori demokrat prej tre mandatesh, një nga kritikët kryesorë të mënyrës se si ish-Presidenti Donald Trump trajtoi pandeminë evokoi ish-presidentin republikan për t’u mbrojtur kundër asaj që e cilësoi si “kultura e përjashtimit”.
“Unë nuk do të jap dorëheqjen“, tha zoti Cuomo gjatë një telefonate pasdite me gazetarët. “Nuk i kam bërë ato që pretendohen dhe pikë“.
Ai shtoi se: “Njerëzit e dinë dallimin mes lojës politike, përkuljes përpara kulturës së përjashtimit dhe së vërtetës”, tha ai.
Komentet e guvernatorit vijnë në një ditë kur partia e tij në Nju Jork e më gjerë është kthyer ashpër kundër tij në vazhdën e akuzave për ngacmim si dhe kritikave ndaj zotit Cuomo për mos publikimin e të dhënave lidhur me numrin e saktë të banorëve që kanë humbur jetën në shtëpitë e të moshuarve në Nju Jork si pasojë e COVID-19-s.
Të premten Partia Demokrate e ashpërsoi qëndrimin ndaj Guvernatorit të Nju Jorkut Andrew Cuomo. Një koalicion i gjerë udhëheqësish të Kongresit iu bashkuan disa dhjetra ligjvënësve të shtetit të Nju Jorkut duke kërkuar dorëheqjen e guvernatorit.
Lista në rritje e kritikëve të zotit Cuomo tashmë mbulon praktikisht çdo rajon të shtetit dhe qendrat e pushtetit politik atë të qytetit të Nju Jorkut dhe kryeqytetit të vendit Uashington. Aleatët e tij këmbëngulin se ai nuk duhet të japë dorëheqjen, por ndërsa akuzat për ngacmim seksual rriten, izolimi i tij politik ka arritur nivele të pashembullta.
“Më shumë sesa politika apo vlerësime të tjera të ngushta më shqetësojnë më shumë viktimat e sulmit seksual ndaj unë besoj se Guvernatori Cuomo duhet të largohet“, tha ligjvënësi demokrat i Nju Jorkut Sean Patrick Maloney.
Ligjvënësja progresiste e Nju Jorkut Alexandria Ocasio-Cortez, thotë se ajo u beson grave që kanë akuzuar guvernatorin demokrat prej tre-mandatesh.
“Pas dy raportimesh për sulme seksuale, katër të tjerave për ngacmimeve, hetimit të Prokurores së Përgjithshme që zbuloi se administratorja e Guvernatorit nuk i kishtë raportuar të dhëna të sakta organit legjilativ dhe publikut, lidhur me numrin e viktimave nga COVID-19 në shtëpitë e pleqve, ne pajtohemi me rreth 55 anëtarët e organit ligjvënës të shtetit të Nju Jorkut se Guvernatori duhet të japë dorëheqjen”, shkruante në twitter zonja Ocasio-Cortez.
Zoti Cuomo thotë se ai nuk ka prekur askënd në mënyrë të papërshtatshme dhe ka shprehur keqardhjen e tij nëse ka bërë dikë të ndihet keq.
Skandali i përshkallëzuar rrezikon rizgjedhjen e zoti Cuomo në vitin 2022, në një shtet me shumicë dërrmuese demokrate, por gjithashtu kërcënon të mjegullojë fillimin e mandatit të Presidentit Joe Biden. Republikanët në të gjithë vendin po u bëjnë jehonë akuzave në rritje ndaj zotit Cuomo duke u përpjekur të heqin vëmendjen nga suksesi i zotit Biden me pandeminë e të sfidojnë avantazhin e fortë të partisë së tij me votueset gra.
Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki ka thënë vazhdimisht se Presidenti Biden dhe Nënpresidentja Kamala Harris mbështesin hetimin e nisur nga zyra e Prokurores së Përgjithshme të Shtetit lidhur me akuzat për ngacmim.
Ditët e fundit Guvernatori u ka bërë thirrje ligjvënësve dhe mbështetësve që të mos kërkojnë dorëheqjen e tij, por të mbështesin hetimet që po zhvillohen lidhur me akuzat e ngritura. Strategjia e tij duket se nuk po funksionon.
Asambleja e shtetit miratoi të enjten nisjen e hetimit, një proces që mund të çojë në shkarkimin zotit Cuomo.
Së bashku me një pretendim se guvernatori ka ngacmuar vitin e kaluar një ndihmëse të tij në rezidencës e tij në pronësi të shtetit të Nju Jorkut, zoti Cuomo përballet me akuza për komente me natyrë seksuale ndaj grave. Pjesa më e madhe e akuzueseve janë ish-ndihmëse të tij. Një prej këtyre të fundit tha se ai e kishte pyetur nëse do të kryente ndonjëherë marrëdhënie seksuale me një burrë shumë më të madh se ajo në moshë. Dhe një tjetër ndihmëse pretendon se guvernatori e ka puthur një herë pa pëlqimin e saj dhe tha se ndihmës të tjerë të tij e kishin denigruar publikisht, pasi ajo e kishte akuzuar zotin Cuomo për ngacmim seksual.
Gjatë javëve të kaluara, thirrjet për shkarkim ose dorëheqjen e guvernatorit kanë ardhur edhe nga republikanë apo demokratë me prirje të majta në qytetin e Nju Jorkut. Por ditët e fundit numri është shtuar.
Një shumicë e ligjvënësve të shtetit dhe më shumë se gjysma e anëtarëve demokrat të organit legjilativ të Nju Jorkut po bëjnë tashmë thirrje që ai të largohet.
Të premten ligjvënësit Jerry Nadler, Ocasio-Cortez, Jamaal Bowman, Mondaire Jones, Nydia Velazquez, Adriano Espaillat, Carolyn Maloney, Grace Meng, Antonio Delgado, Brian Higgins dhe Yvette Clarke kërkuan dorëheqjen e zotit Cuomo, duke iu bashkuar ligjvënëses Kathleen Rice, e cila kishte kërkuar më parë dorëheqjen e tij.
Republikanë të organit legjilativ të Nju Jorkut kanë kërkuar gjithashtu dorëheqjen e zotit Cuomo, mes tyre Nicole Malliotakis, Elise Stefanik, Claudia Tenney dhe Lee Zeldin.
Ligjvënësi Jerry Nadler tha se zoti Cuomo e ka humbur besimin e njujorkezëve.
“Akuzat e përsëritura kundër guvernatorit dhe mënyra në të cilën ai u është përgjigjur atyre, e kanë bërë të pamundur në këtë pikë që ai të vazhdojë të drejtojë shtetin“, tha zoti Nadler.
Demokratët e Nju Jorkut gjithashtu vunë në dukje kritikat e ngritura ndaj zotit Cuomo lidhur me mbajtjen sekret prej muajsh të numrit të banorëve në shtëpitë e të moshuarave që kanë humbur jetën nga COVID-19. Guvernatori ka thënë se administrata e tij duhej të verifikonte fillimisht numrin e vdekjeve në spitale të atyre personave që jetonin në azile përpara se të dilte me shifra të sakta, por kritikët kanë ngritur pikëpyetje se pse një gjë e tillë nuk ka penguar lëshimin e të dhënave nga ana e shteteve të tjera.
Zëdhënësit e senatorëve demokrate të Nju Jorkut, Chuck Schumer dhe Kirsten Gillibrand, nuk i janë përgjigjur ende kërkesa të premten për komente.
Guvernatori 63-vjeçar pritet të konkurojë për një mandat të katërt vitin e ardhshëm. Nju Jorku nuk ka kufizime për sa i takon numrit të mandateve.
Zoti Cuomo është përballur gjithnjë e më shumë me kritika se ai shpesh ka përdorur në mënyrë agresive fuqinë e tij për të forcuar imazhin dhe jo për interesa të njujorkezëve.
Në një raport të publikuar në janar nga zyra e prokurorit të përgjithshëm të shtetit thuhej se administrata e zotit Cuomo nuk kishte bërë publike me mijëra vdekje si pasojë e COVID-it mes banorëve në shtëpitë e të moshuarave. Një anëtar demokrat i asamblesë së Nju Jorkut e ka akuzuar guvernatorin se e kishte kërcënuar pasi kishte folur hapur kundër tij.
Gjatë ditëve të fundit, përfaqësues të demokratëve të Nju Jork me qasje të moderuar kanë ngritur shqetësime në lidhje me akuzat e ngritura ndaj zotit Cuomo, i cili prej kohësh ka gëzuar mbështetjen e votuesve në periferi e qendër të shtetit. Të premten një grup prej pesë demokratësh të moderuar nga ishulli i Long Island-it të shtetit të Nju Jorkut, i bënë thirrje zotit Cuomo të largohet, derisa të përfundojë hetimi i Prokurores së Përgjithshme.
Ligjvënësit e Long Island-it thanë se pretendimet “janë tejet shqetësuese dhe përshkruajnë një model shqetësues të sjelljes që përfshin potencialisht një shkelje penale, siç thanë ata. VOA
Komentet