Steve Herman
Presidenti amerikan Joe Biden tha se ndërsa gjyqi kundër paraardhësit të tij është duke u zhvilluar në Senat, ai do të përqendrohet në lehtësimin e pasojave të shkaktuara nga pandemia e koronavirusit.
“Nuk po e ndjek”, u përgjigj Presidenti Biden kur u pyet nga gazetarët të martën në Zyrën Ovale nëse ai po e ndiqte gjyqin kundër ish Presidentit Trump. “Kemi humbur mbi 450,000 njerëz (nga Covid-19) dhe mund të humbasim shumë më tepër nëse nuk veprojmë me vendosmëri dhe shpejtësi. Shumë fëmijë po flenë të uritur. Shumë familje nuk kanë ushqime të mjaftueshme. Ata janë në vështirësi. Kjo është puna ime. Senati ka punën e tij, dhe ata janë gati ta fillojnë atë, dhe unë jam i sigurt se ata do të veprojnë në mënyrë të duhur.”
Presidenti shtoi se ai nuk do të thotë asgjë tjetër në lidhje me gjyqin ndaj ish-presidentit Donald Trump, ndaj të cilit zoti Biden fitoi në zgjedhjet e nëntorit të kaluar.
“Ai nuk është analist politik. Ai nuk do të shprehë mendimin në lidhje me argrumentet dhe nuk do të ndjekë gjyqin në Senat”, u përgjigj Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki, kur u pyet më herët gjatë ditës nga një gazetar në lidhje me zhvillimet në gjyqin historik ndaj ish-presidentit Trump që filloi të martën.
Zëdhënësja Psaki u pyet gjithashtu se si është e mundur që Presidenti aktual Biden të mos shprehte mendimin mbi atë nëse është kushtetuese që Senati të hedhë në gjyq një ish-president dhe nëse kjo do të krijonte një precedent të rrezikshëm për institucionin e presidencës.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë për këtë.
“Ai do të presë derisa Senati të nxjerrë konkluzionet për këtë”, tha ajo gjatë konferencës ditore për mediat në Shtëpinë e Bardhë. “Pikëpamja e tij është se ai duhet të përqendrohet aktualisht në trajtimin e nevojave të popullit amerikan, kthimin e njerëzve në punë, luftën kundër pandemisë.”
Shtëpia e Bardhë po përpiqet të përcjellë imazhin e presidentit të përqendruar në këto çështje ndërsa zhvillohet gjyqi ndaj paraardhësit të tij.
Shtëpia e Bardhë ka planifikuar vizita për zotin Biden në Departamentin e Mbrojtjes dhe Institutet Kombëtare të Shëndetit këtë javë. Të martën që vjen, presidenti do të shkojë në Miluoki të Uiskonsinit, ku do të marrë pjesë në një bashkëbisedim me qytetarë.
Gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë të tij më 16 shkurt, presidenti do t’u përgjigjet pyetjeve në lidhje me përpjekjet e administratës së tij “për të frenuar pandeminë e koronavirusit dhe për t’i dhënë nxitje një ekonomie të trazuar”, sipas CNN-it, që do të transmetojë ngjarjen.
Rrjeti televiziv sqaroi se do të përfshijë “një audiencë vetëm me ftesa dhe në respektim të rregullave të distancimit fizik”.
Zyrtarët e administratës thonë se nuk do të kishte asnjë avantazh politik për zotin Biden, një ish-senator dhe ish-nënpresident që të angazhohej në gjyqin ndaj ish-Presidentit Trump, çka do të shihej si një lëvizje politike në fillim të presidencës së tij dhe në një kohë kur amerikanët duan që ai të përqendrohet në lehtësimin e vuajtjeve të shkaktuara nga pandemia.
Zoti Biden “ka nxjerrë deklarata të shumta që përcjellin mesazhin se ajo që bëri (ish) presidenti, fjalët e tij dhe veprimet e tij, dhe natyrisht ngjarjet e 6 janarit, ishin një kërcënim për demokracinë tonë”, tha zonja Psaki të martën.
Komentet