Marrë nga Reuters
Senati amerikan votoi të martën në mbrëmje për t’i hapur rrugën gjyqit të plotë mbi akuzat ndaj ish-presidentit Donald Trump për nxitje rebelimi lidhur me sulmin ndaj Kapitolit më 6 janar, duke hedhur poshtë një pretendim se procedimi ishte antikushtetues pasi panë videon grafike të sulmit të janarit.
Në seancën e parë për këtë qëllim që do të përcaktonte nëse gjykimi i ish-presidentit ishte kushtetues, 56 anëtarë të Senatit votuan pro, dhe 44 kundër argumentit të demokratëve se procedimi është në përputhje me Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara.
Gjashtë senatorë republikanë votuan pro, një më shumë sesa pesë që kishin votuar muajin e kaluar kundër një përpjekjeje republikane për ta bllokuar gjyqin.
Donald Trump bëhet ish-presidenti i parë amerikan që gjykohet në Senat.
Avokatët e zotit Trump argumentuan se meqenëse zoti Trump nuk është më në detyrë, Senati nuk ka autoritetin të mbajë një gjyq mbi akuzën e Dhomës së Përfaqësuesve se ai nxiti një rebelim ndërsa ishte në detyrë.
Demokratët shpresojnë ta skualifikojnë ish-presidentin Trump nga mbajtja e një posti publik në të ardhmen.
Videoja e paraqitur nga ekipi i nëntë demokratëve të Dhomës së Përfaqësuesve që luajnë rolin e Prokurorit të çështjes kombinonte pamjet e dhunës ndaj Kapitolit më 6 Janar me segmente të fjalimit ndezës të ish-presidentit Trump para mbështetësve të tij disa momente më herët, duke i nxitur ata të “luftonin fort” për të përmbysur humbjen e tij në zgjedhjet e nëntorit.
Senatorët, që shërbejnë në rolin e jurisë, panë në ekrane pamjet që tregonin përkrahësit e zotit Trump duke rrëzuar barrierat dhe duke goditur oficerët e policisë në Kapitol. Në video përfshihej gjithashtu momenti kur policia që ruante sallën e seancave të Dhomës së Përfaqësuesve, qëlloi për vdekje protestuesen Ashli Babbitt, një nga pesë personat, përfshirë një oficer policie që vdiqën atë ditë.
Turma sulmoi policinë, i detyroi ligjvënësit të fshiheshin për të ruajtur veten, dhe ndërpreu çertifikimin zyrtar nga ana e Kongresit të fitores së Presidentit Joe Biden, pasi zoti Trump kishte sfiduar për dy muaj rezultatet e zgjedhjeve, duke pretenduar në mënyrë të rreme për mashtrime të gjera në votime.
“Nëse kjo nuk është një vepër e dënueshme, atëherë asgjë tjetër nuk është”, tha anëtari demokrat i Dhomës së Përfaqësuesve Jamie Raskin, i cili shërben në rolin e kryeprokurorit të çështjes, para shfaqjes së videos.
Ai qau ndërsa tregonte se si vajzës dhe dhëndrit të tij, që ai i kishte sjellë në Kapitol atë ditë për të qenë të pranishëm në çertifikimin e zgjedhjeve, u ishte dashur të fshiheshin në një zyrë pranë sallës së Dhomës së Përfaqësuesve, duke thënë: “Ata besonin se do të vdisnin.”
Në kontrast të prezantimit emocional të demokratëve, avokatët e ish-presidentit Trump e sulmuan procesin, duke argumentuar se gjyqi ishte një përpjekje antikushtetuese, partiake për t’i mbyllur rrugën të ardhmes politike të zotit Trump, pas largimit nga Shtëpia e Bardhë.
“Ajo që ata duan të realizojnë në të vërtetë këtu në emër të Kushtetutës është që të mos lejojnë Donald Trumpin që të kandidojë më për poste politike, por kjo është një fyerje e Kushtetutës pavarësisht se kundër kujt drejtohet sot”, u tha senatorëve David Schoen, një prej avokatëve të ish-presidentit.
Ai denoncoi “dëshirën e pangopur për fajësim” midis demokratëve përpara se të transmetonte videon e tij, e cila kombinonte klipe të ligjvënësve të ndryshëm demokratë që kërkonin që shkarkimin e ish-presidentit Trump të kthehej që nga viti 2017.
PAK GJASA PËR SHPALLJE FAJTOR
Ndaj zotit Trump u ngritën akuza nga Dhoma e Përfaqësuesve e udhëhequr nga Demokratët më 13 Janar me akuzën e nxitjes së rebelimit, megjithëse nuk ka shumë gjasa që ai të shpallet fajtor.
Që ai të shpallet fajtor, duhet që një shumicë prej dy të tretave të anëtarëve të Senatit të votojnë për një gjë të tillë, çka do të thotë se të paktën 17 republikanë duhet të bashkohen me 48 demokratët e Senatit dhe dy të pavarur për të votuar kundër zotit Trump, i cili mbetet figura më e fuqishme e partisë së tij edhe pasi nuk është më në detyrë.
Zoti Trump është i vetmi president që gjykohet nga Senati pas largimit nga detyra dhe i vetmi ndaj të cilit ngrihen dy herë akuza nga Dhoma e Përfaqësuesve. Ai është vetëm presidenti i tretë në historinë e Shteteve të Bashkuara ndaj të cilit ngrihen akuza nga Dhoma e Përfaqësuesve.
Gjyqi u zhvillua nën masa të jashtëzakonshme sigurie rreth Kapitolit përfshirë forca të armatosura të sigurisë dhe një perimetër rrethimi dhe tela me gjemba.
Avokatët e zotit Trump argumentuan se ai po ushtronte të drejtën e tij për lirinë e shprehjes sipas Amendamentit të Parë të Kushtetutës kur iu drejtua mbështetësve para sulmit në Kapitol.
Bruce Castor, një nga avokatët e ish-presidentit Trump tha se sulmet ndaj Kapitolit “duhet të denoncohen fuqishëm”, por argumentuan se “një grup i vogël kriminelësh” ishin përgjegjës për dhunën, jo zoti Trump.Shumica e ekspertëve ligjorë kanë thënë se është kushtetuese të bëhet një gjyq pasi një zyrtar të ketë lënë detyrën.
“Presidentët nuk mund të ndezin një rebelim në javët e tyre të fundit në detyrë dhe pastaj të largohen sikur nuk ka ndodhur asgjë. Por ish-presidenti Trump po ju kërkon pikërisht që të miratoni një gjë të tillë”, u tha senatorëve anëtari demokrat i Dhomës së Përfaqësuesve, Joe Neguse.
Shumica e senatorëve në gjyq ishin të pranishëm në Kapitol më 6 Janar, kur shumë ligjvënës thanë se kishin frikë për sigurinë e tyre.
Senatori Republikan Bill Cassidy i quajti fjalimet e demokratëve “një hapje shumë të mirë”. Ai u bashkua me pesë kolegë të tij republikanë për të votuar pro kushtetueshmërisë së gjyqit, duke e ndryshuar votën e tij nga muaji i kaluar.
“Argumentet që ata dhanë ishin argumente të forta,” tha zoti Cassidy.
Gjyqi mund të sinjalizojë se çfarë drejtimi do të ndjekë Partia Republikane pas presidencës së trazuar katërvjeçare të zotit Trump. Ndasi të thella janë shfaqur mes besnikëve të ish-presidentit dhe atyre që shpresojnë ta orientojnë partinë në një drejtim të ri. Demokratët nga ana e tyre janë të shqetësuar se gjyqi mund të pengojë aftësinë e zotit Biden për të përparuar me shpejtësi me një program ambicioz legjislativ.
Një vit më parë, Senati i kontrolluar nga republikanët e atëhershëm i hodhi poshtë akuzat ndaj zotit Trump se kishte penguar Kongresin dhe kishte abuzuar me pushtetin, kur kishte bërë presion ndaj Ukrainës për të ndërmarrë një hetim ndaj zotit Biden dhe djalit të tij Hunter në vitin 2019. VOA
Komentet