Nju Jorku, qyteti i lindjes së Presidentit amerikan Donald Trump, tha se do të anulojë të gjitha kontratat me organizatën e tij të biznesit për shkak të protestës së dhunshme të javës së kaluar në Kapitol.
“Qyteti i Nju Jorkut nuk do të ketë lidhje me ato veprime të pafalshme në asnjë mënyrë ose formë”, tha kryebashkiaku Bill de Blasio të mërkurën në një deklaratë zyrtare. De Blasio tha se ai ka filluar procesin e “ndërprerjes së të gjitha kontratave” për operimin e një karuseli dhe dy pistave të patinazhit në Parkun Qëndror që gjenerojnë rreth 17 milionë dollarë në vit në të ardhura për kompaninë e Presidentit Trump.
Djali i Presidentit, Eric Trump, denoncoi masën dhe tha se ajo do të sfidohej.
“Ky është një shembull tjetër i qartë i paaftësisë dhe shpërfilljes së fakteve nga kryebashkiaku de Blasio”, tha ai. “Qyteti i Nju Jorkut nuk ka të drejtë ligjore të ndërpresë kontratat tona dhe nëse e bëjnë këtë ata do të detyrohen të paguajnë Organizatën Trump 30 milionë dollarë. Kjo nuk është asgjë më shumë se diskriminim politik dhe ne planifikojmë ta luftojmë fuqishëm”.
Vendimi i zotit De Blasio është shembulli i fundit se si trazirat e 6 janarit nga mbështetësit e Presidentit Trump po ndikojnë negativisht në punët e biznesit të tij privat. Njoftimi erdhi tre ditë pasi Shoqata e Lojtarëve Profesionistë Amerikanë të Golfit votoi për të zhvendosur Kampionatin e Golfit PGA të vitit të ardhshëm jashtë fushës së golfit të Presidentit Trump në Nju Xhërsi.
Shopify më parë hoqi në platformat e saj në internet dyqanet që lidhen me bizneset e presidentin, ndërsa Twitter dhe platforma të tjera të mediave sociale i çaktivizuan llogaritë e tij.
Më 6 janar, Trump u bëri thirrje mijëra mbështetësve që kishin ardhur në Uashington për protestën “Shpëtoni Amerikën” për të marshuar drejt ndërtesës së Kapitolit, ndërsa ligjvënësit kishin filluar të certifikonin zyrtarisht fitoren e Presidentit të zgjedhur Joe Biden në zgjedhjet e 3 nëntorit.
“Ju do të keni një president jolegjitim. Kjo është ajo që ju do të keni dhe ne nuk mund ta lejojmë këtë të ndodhë”, tha Presidenti Trump në tubim. “Ne luftojmë fort dhe nëse nuk luftoni fortë, nuk do të keni më atdhe”. Duke marrë shkas nga komentet e presidentit, mijëra mbështetës të të tij marshuan drejt Kapitolit, ku kapërcyen barrikadat e policisë dhe u futën me forcë brenda ndërtesës. Gjashtë vetë vdiqën në përleshjet e javës së kaluar në Kapitol.
Dhoma e Përfaqësuesve e udhëhequr nga Demokratët pritet të miratojë një project-rezolutë për ngritjen e akuzave kundër Presidentit Trump të mërkurën për nxitje të protestës së dhunshme në Kapitol. Liz Chenney republikanja e tretë më e lartë në Dhomën e Përfaqësuesve, është ne mesin e një grupi ligjvënësish republikanë që kanë thënë se do të mbështesin ngritjen e akuzave për shkarkim të mundshëm të Presidentit Trump.
Nëse Dhoma e Përfaqësuesve ngre akuza kundër Presidentit Trump, ashtu siç tashmë pritet të ndodhë, kjo do të ishte hera e dytë që atë e pret ky fat. Presidenti Trump u ndesh me akuza për shkarkim për herë të parë në dhjetor të vitit 2019 për abuzim të pushtetit dhe pengimit të drejtësisë për shkak të përpjekjeve të tij për të bindur presidentin e sapozgjedhur të Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, që të hetonte demokratin Joe Biden dhe djalin e tij për të forcuar shanset e tij të rizgjedhjes më 2020. Në shkurt të vitit 2020 Senati e liroi atë nga akuzat, por këtë radhë nuk është e qartë se kur do të mund ta bënte gjyqin kundër tij.
Komentet