Një rekord prej 3 milionë votash janë hedhur në procesin e hershëm të votimit për dy garat për Senatin në shtetin e Xhorxhias, të cilat rezultuan më 3 nëntor në balotazh. Ato do të jenë përcaktuese se cila parti do të kontrollojë Senatin.
Shifrat e pjesëmarrjes, të përpiluara nga Projekti amerikan i Zgjedhjeve i Universitetit të Floridës, tregojnë interesim të madh të votuesve në zgjedhjet e së martës (5 janar). Këto gara vendosin përballë senatorët republikanë në detyrë David Perdue dhe Kelly Loeffler, kundër sfiduesve demokratë Jon Ossoff dhe Raphael Warnock.
Nëse republikanët fitojnë njërën ose të dyja këto vende, ata do të vazhdojnë të ruajnë shumicën ndonëse të lehtë në Senat, duke u mundësuar atyre të bllokojnë axhendën e Presidentit demokrat Joe Biden, i cili pritet të betohet më 20 janar.
Nëse demokratët fitojnë të dyja vendet, dhoma do të ndahet në 50 me 50, duke i dhënë rëndësi votës së Nënpresidentes së zgjedhur Kamala Harris, e cila është përcaktuese në rastet e një votimi 50 me 50 në Senat.
Mbi 3 milionë votat e parakohshme përbëjnë rreth 38.8% të të gjithë votuesve të regjistruar në këtë shtet, sipas Projektit të Zgjedhjeve. Kjo bën që pjesëmarrja të shënojë një nivel rekord për një balotazh në Xhoxhia, duke tejkaluar 2.1 milionë vota të hedhura gjatë garës për Senatin në këtë shtet në 2008.
Garat përfunduan në balotazh pasi më 3 nëntor asnjë kandidat nuk fitoi më shumë se 50 për qind të votave të nevojshme për t’u shpallur fitues.
Votimi i hershëm përfundoi të enjten. Xhorxhia publikoi informacione në lidhje me numrin e njerëzve që votuan, por nuk do t’i numërojë votat deri në ditën e zgjedhjeve.
Ndërkohë zoti Perdue është futur në karantinë së fundmi pasi ka patur kontakte me një person që ka rezultuar pozitiv për koronavirus.
Komentet