Disa mijëra mbështetës të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, zhvilluan protesta në të gjithë vendin më 12 dhjetor. Në Uashington, protesta degjeneroi në përleshje midis anëtarëve të një grupi të krahut të djathtë dhe kundër-protestuesve të majtë.
Turma të protestuesve pro-Trump u mblodhën në Uashington për të protestuar ndaj rezultateve të zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit, që u fituan nga demokrati Joe Biden.
Mitingjet mbarëkombëtare, të organizuara nën moton “Ndal vjedhjet”, pasojnë deklarimet e përsëritura, por të pabazuara të presidentit Trump për manipulime të zgjedhjeve.
“WoW! Mijëra njerëz po grumbullohen në Uashington për “Ndal vjedhjen”. Nuk e dija për këtë, por unë do t’i shoh!”, shkroi presidenti Trump në rrjetin social Twitter.
Në një moment, helikopteri zyrtar i Trumpit fluturoi mbi turmën tre herë, ndërsa presidenti ishte në rrugën e tij për të marrë pjesë në një lojë futbolli Ushtri-Marinë në akademinë ushtarake amerikane në West Point në Nju Jork.
Ish-Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Michael Flynn, i cili u fal nga Trump pasi kishte gënjyer Byronë Federale të Hetimeve dhe ish- këshilltari i Trumpit, Sebastian Gorka, ishin midis folësve në tubimin në kryeqytet.
Gjatë natës, anëtarët e grupit “Djemt Krenarë” (Proud Boys), një grup i krahut të djathtë që e mbështesin Trumpin, po endeshin nëpër rrugë, duke u përleshur me protestuesit e majtë Antifa. Ata u përleshën edhe me protestuesit kundër Trumpit të lëvizjes Black Lives Matter.
Policia ndërhyri shpejt për t’i ndarë, duke përdorur gazlotsjellës ndaj të dyja palëve. Policia raportoi se katër persona u plagosën me thikë, por ishte e paqartë se cila palë sulmoi dhe cila ishte viktima. Përleshje midis dy grupeve u raportuan gjithashtu në kryeqytetin e Kalifornisë, Sakramento.
Një ditë më parë, Gjykata Supreme në SHBA e ka hedhur poshtë një proces gjyqësor të inicuar nga Teksasi dhe të mbështetur nga presidenti, Donald Trump, për të refuzuar fitoren e presidentit të zgjedhur, Joe Biden, në katër shtete.
Presidenti Trump tha në një postim në Twitter se “Gjykata e Lartë me të vërtetë na zhgënjeu. Pa mençuri, Pa guxim!”.
Video nga arkivi:
Gjykata deklaroi se Teksasi nuk ka të drejtë ligjore për të ndërhyrë në mënyrën se si shtetet e tjera zhvillojnë zgjedhjet.
Të katër shtetet – Pensilvania, Xhorxhia, Miçigani dhe Uiskonsini – i kishin bërë thirrje Gjykatës Supreme të refuzonte sfidën ligjore, duke thënë se çështja nuk kishte asnjë bazë faktike dhe ofroi pretendime “false”.
Që nga mbajtja e zgjedhjeve presidenciale më 3 nëntor, ekipi i fushatës së Trumpit ka sfiduar përmes proceseve gjyqësore në disa shtete rezultatet zgjedhore, mirëpo në shumicën e rasteve ka dështuar.
Presidenti i zgjedhur, Joe Biden pritet të inaugurohet më 20 janar.
Komentet