Sipas dokumentave të publikuara të martën, Departamenti amerikan i Drejtësisë po heton shkelje të mundshme penale për korrupsion në këmbim të faljeve presidenciale.
Dokumenti i publikuar nga kryetarja e Gjykatës së Distriktit të Kolumbias, është i retushuar dhe emrat e tre personave në të janë mbuluar.
Në këtë dokument zbulohet se prokurorët federalë kërkuan qasje në fund të gushtit tek disa paisje dixhitale të konfiskuara nga qeveria.
Për këtë nevojitej leja e gjykatës, pasi përmbajtja e paisjeve përfshinte edhe shkëmbimet me email me një avokat, biseda të cilat mund të jenë të mbrojtura nga ekskluziviteti i marrëdhënies avokat – klient. Prokurorët argumentuan se kjo ishte thyer në momentin që materialet u ishin bërë të ditura palëve të treta.
Prokurorët i thanë gjykatës se prisnin të gjenin prova se disa individë në mënyrë të paligjshme “vepruan si lobistë tek zyrtarët e lartë të Shtëpisë së Bardhë… për të siguruar një falje ose pezullim dënimi” për dikë, emri i të cilit është i retushuar në dokument.
Dokumenti gjithashtu flet për “një skemë konspirative korrupsioni”, e cila ofronte “kontribut domethënës politik në shkëmbim të një faljeje ose pezullim dënimi”.
Dokumenti tregon se prokurorëve u është dhënë leja të merrnin paisjet e kërkuara, për të gjetur materiale me të cilat do të ballafaqonin çdo subjekt apo objekt të hetimit. Sidoqoftë, nuk ka patur deri më tani asnjë raport publik ku të sugjerohet se janë ngritur akuza ndaj dikujt në kuadrin e këtij hetimi.
Shtëpia e Bardhë refuzoi një kërkesë të Zërit të Amerikës për të komentuar për këtë çështje. Orë më vonë, Presidenti Trump shkruajti në Twitter, “Hetimet për faljet janë Lajme False!”.
Në një tjetër artikull të martën, gazeta The New York Times njoftoi se Presidenti Donald Trump ka diskutuar me këshilltarët mundësinë e dhënies së faljeve paraprake për djemtë e tij, Eric dhe Donald Jr., si dhe për vajzën e tij Ivanka dhe avokatin personal Rudy Giuliani.
Kanali televiziv ABC News njoftoi të martën se ndihmësit e Presidentit Trump i kanë diskutuar këto lloj faljesh.
Në një mesazh në Twitter, zoti Giuliani mohoi të ketë diskutuar një falje të mundshme për veten me Presidentin Trump.
“Gazeta New York Times gënjen sërish. Nuk e kam zhvilluar kurrë bisedën, për të cilën gënjejnë duke ia atribuar një burimi anonim”, shkruajti zoti Giuliani.
As zoti Giuliani dhe as ndonjëri prej zotërinjve Trump nuk janë akuzuar për shkelje penale federale dhe nuk është e qartë se sa do të qëndronte ligjërisht një falje paraprake. Presidenti amerikan mund të lëshojë falje për krime federale, për jo për krime në nivelin e shteteve amerikane apo në nivelin e qeverisjes lokale.
Presidenti Trump ka bërë disa falje të bujshme dhe shkurtime dënimi për aleatët e tij.
Javën e kaluar ai fali Michael Flynn-in, i cili shërbeu për pak kohë si këshilltari i tij për sigurinë kombëtare në fillimet e mandatit të Presidentit Trump. Në muajin korrik, Presidenti Trump shkurtoi dënimin e këshilltarit të tij të hershëm, Roger Stone.
zëri i amerikës
Komentet