Një agjent i FBI-së gjatë një dëshmie në një gjykatë tha të marten se anëtarët e grupeve militante anti-qeveritare kanë diskutuar rrëmbimin e Guvernatorit demokrat të Virxhinias, Ralph Northam në një takim katër muaj më parë.
Agjenti Richard Trask, i cili ishte pjesë e një hetimi që rezultoi në ngritjen e akuzave ndaj gjashtë personave javën e kaluar për planifikimin e rrëmbimit të Guvernatores demokrate të Miçiganit, Gretchen Whitmer, tha se ata diskutuan për rrëmbimin e Guvernatorit Northam gjatë një takimi të qershorit në Ohajo.
Agjenti Trask nuk e përmendi emrin e Guvernatorit Northam gjatë seancës dëgjimore në një gjykatë federale në Grand Rapids të Miçiganit, por ai tha se anëtarët e grupit anti-qeveritar nga disa shtete morën pjesë në takimin gjatë të cilit ata shprehën pakënaqësinë me menaxhimin nga guvernatorët të pandemisë së koronavirusit.
“Ata diskutuan objektivat e mundshëm, përfshirë rrëmbimin e një guvernatori në detyrë, posaçërisht për shkak të pakënaqësive që kishin me guvernatorët e Miçiganit dhe Virxhinias për shkak të urdhërave që lidhen me masat kufizuese (për koronavirusin)”, tha zoti Trask.
Një zyrtar i shtetit të Virxhinias që nuk pranoi të zbulonte emrin, me njohuri për informacionet që ka marrë guvernatori Northam për këtë çështje, tha se FBI-ja nuk e kishte informuar atë për ndonjë kërcënim të mundshëm.
Takimi i qershorit ishte subjekt i një hetimi të FBI-së ndaj një numri grupesh anti-qeveritare që çuan në arrestimin e gjashtë personave javën e kaluar për dyshimet se po planifikonin rrëmbimin e Guvernatores Whitmer dhe ngritjen e akuzave për terrorizëm kundër shtatë personave të tjerë.
Trask dëshmoi në një seancë dëgjimore për të shqyrtuar provat kundër banorëve të Miçiganit, Brandon Caserta, Adam Fox, Ty Garbin, Daniel Harris dhe Kaleb Franks për të vendosur nëse ata duhej të arrestoheshin para fillimit të gjyqit.
I dyshuari i gjashtë, Barry Croft, është ndaluar në Delauer. Guvernatori demokrat John Carney fali zotin Croft vitin e kaluar për akuzat që përfshinin posedim të një arme zjarri gjatë kryerjes së një krimi, sulm dhe vjedhje.
Në lëndën penale thuhet se disa nga të pandehurit vëzhguan shtëpinë e pushimeve të Guvernatores Whitmer në veri të Miçiganit në gusht dhe shtator.
Autoritetet thanë se të dyshuarit, të cilët përballen me burgim të përjetshëm nëse dënohen, po përpiqeshin të hakmerreshin kundër Guvernatores Whitmer për shkak të “pushtetit të pakontrolluar” që ajo ka ushtruar gjatë pandemisë. Ata thanë se katër nga personat e dyshuar synonin të takoheshin javën e kaluar për të rregulluar çështjen e pagesës për eksplozivët dhe për të shkëmbyer veshjet taktike.
Whitmer është vlerësuar gjerësisht për trajtimin e pandemisë së koronaivirusit, që përfshinte masa për kufizimin e lëvizjes, që tashmë janë hequr.
Por ajo ka qenë gjithashtu në shënjestër të kritikave të ashpra nga ligjvënësit republikanë dhe banorët në bastionet konservatore në Miçigan.
Ndërtesa e legjislativit të Miçiganit ka qenë vendi ku janë mbajtur shumë tubime në muajt e fundit, duke përfshirë ato me protestues të armatosur që kërkojnë rrëzimin e Guvernatores Whitmer.
zëri i amerikës
Komentet