Mjekët thanë të dielën se gjendja e Presidentit Donald Trump po përmirësohet ndërsa ai trajtohet për COVID-19 në një spital ushtarak dhe se presidenti mund të kthehet në Shtëpinë e Bardhë qysh të hënën, ku mjekimi do të vazhdojë.
Mjekët që po kurojnë Presidentin Trump thanë se i kishin dhënë atij oksigjen plotësues dy herë, të enjten dhe të premten, në betejën e tij me sëmundjen. Ata thanë se i kishin dhënë gjithashtu Presidentit Trump dexamethasone. Ilaçi dexamethasone rezulton nga studimet se përmirëson gjendjen e pacientëve të shtruar në spital me COVID-19, të cilët kanë nevojë për oksigjen shtesë.
Por sipas udhëzimeve të Shoqatës së Sëmundjeve Infektive të Amerikës, ai nuk duhet të jepet për raste të lehta, pasi mund të kufizojë aftësinë e trupit për ta luftuar vetë virusin.
“Fakti është se Presidenti po përparon vërtet mirë”, u tha gazetarëve Dr. Sean P. Conley në Qendrën Mjekësore Kombëtare të Ushtrisë, Walter Reed, ku është duke u trajtuar Presidenti Trump.
Mjekët thanë se Presidenti Trump nuk ka patur ethe që nga e premtja dhe se funksionet e mëlçisë dhe veshkave janë normale, pas dozës së dytë të Remdesivirit, një ilaç antiviral i nxjerrë në treg nga Gilead Science Inc, që është provuar se e shkurton qëndrimin në spital për pacientët me COVID-19.
Dr Brian Garibaldi tha se Presidentit Trump iu dha dexamethasone në përgjigje të “niveleve të ulëta kalimtare të oksigjenit”. “Ai e mori dozën e parë dje dhe plani ynë është që t’ia vazhdojmë,” tha Dr. Garibaldi.
Presidentit Trump po i bëhet gjithashtu një trajtim eksperimental me REGN-COV2 të firmës Regeneron, si dhe po i jepet zink, Vitaminë D, famotidinë, melatoninë dhe aspirinë, thanë mjekët.
Presidenti postoi të shtunën mbrëma një video nga spitali, ku thoshte se kishte filluar të ndihej më mirë dhe se shpresonte të “kthehej së shpejti”.
Zëri i presidentit tingëllonte pak i ngjirur video, por ai dukej në humor të mirë. Ai tha se po luftonte për miliona njerëz në mbarë botën që kanë patur virusin.
Ai tha se mund të kishte qëndruar në Shtëpinë e Bardhë për të mbrojtur veten, por si president nuk mund t’ia lejonte vetes të “mbyllej në dhomën në katin e sipërm”.
Presidenti falenderonte në video ekipin mjekësor që po e trajton si dhe udhëheqësit botërorë që i kanë dërguar urime.
KOMENTET KONTRADIKTORE
Shefi i Kabinetit i Shtëpisë së Bardhë Mark Meadows tha se gjendja e Presidentit Trump të premten ishte shumë më keq sesa e kishin publikuar zyrtarët.
Ai tha në një intervistë me Fox News se mjekët rekomanduan që presidenti të shkonte në spital pasi diktuan se ai kishte ethe dhe niveli i oksigjenit në gjak po i binte me shpejtësi.
Zoti Meadows i bëri komentet pas dy ditë me vlerësime kontradiktore dhe të paqarta për shëndetin e presidentit. Zoti Meadows shtoi: “Mund t’ju them se gjëja më e rëndësishme që shohim tani është se ai tani nuk ka ethe dhe oksigjeni është në nivel të plotë”.
Ai tha se të premten “ishim vërtet të shqetësuar pasi niveli i tij i oksigjenit kishte rënë me shpejtësi. Megjithatë në stilin e tij tipik presidenti ishte ngritur dhe ecte”.
Të premten zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë, përfshirë zotin Meadows, thanë se Presidenti Trump po kalonte “simptoma të lehta” dhe po vazhdonte të punonte. Ai tha se megjithatë, mjekët e spitaleve Walter Reed dhe Johns Hopkins rekomanduan që ai të shtrohej.
Zoti Meadows tha se Presidenti “ka bërë përmirësime të pabesueshme nga e premtja në mëngjes kur një numër prej nesh, mjeku dhe unë, ishim shumë të shqetësuar.”
I pyetur nga gazetarët të dielën, Dr. Conley tha: “Unë po përpiqesha të pasqyroja një qëndrim optimist të ekipit dhe të presidentit për rrjedhën e sëmundjes së tij”. “Nuk kam dashur të jap ndonjë informacion që mund t’i jepte kronologjisë së sëmundjes një drejtim tjetër dhe, duke vepruar kështu, u duke sikur ne po përpiqeshim të fshihnim diçka, gjë që jo domosdo është e vërtetë,” tha ai.
NJË KALENDAR AGRESIV FUSHATE
Ndërkohë, fushata e Presidentit Trump tha se Nënpresidenti Mike Pence, do të ketë një program “agresiv” fushate këtë javë, ashtu si edhe tre fëmijët më të mëdhenj të zotit Trump.
“Ne nuk mund të qëndrojmë në bodrum ose të mbyllim ekonominë për një kohë të pacaktuar, por duhet t’i dalim situatës në ballë,” tha këshilltari i fushatës Jason Miller të dielën në televizionin ABC. zëri i amerikës
Komentet