Në qytetin Kenosha të shtetit amerikan Uiskansin, dy persona u vranë me armë zjarri gjatë natës në ditën e tretë të protestave që shpërthyen pas plagosjes nga policia të një afrikano-amerikani të dielën, sipas burimeve nga forcat e rendit.
Agjencitë e lajmeve thonë se të shtënat erdhën gjatë një konfrontimi midis protestuesve dhe disa kalimtarëve jo larg nga gjykata e qytetit, ku protestuesit ishin përleshur me policinë për disa orë derisa ishin detyruar të largoheshin.
Protestat e dhunshme të së martës erdhën disa orë pasi babai i 29-vjeçarit Jacob Blake, afrikano-amerikani që u plagos të dielën, tha se djali i tij është paralizuar nga mesi e poshtë.
Deri tani policia nuk ka publikuar pothuajse asnjë informacion në lidhje me ngjarjet që çuan në konfrontimin e së dielës, por tha vetëm se kishte shkuar në vendngjarje në përgjigje të një zënke familjare.
RRJEDHA E NGJARJEVE
Të martën, zjarrëvënësit dogjën ndërtesa dhe shkatërruan pjesën më të madhe të lagjes së bizneseve afrikano-amerikane, në natën e dytë të trazirave në qytetin Kenosha, të nxitura nga plagosja e afrikano-amerikanit që u qëllua në shpinë nga oficerët e policisë, përpara syve të tre djemve të tij të vegjël.
Shtëllunga tymi mbulonin pjesën qendrore të qytetit Kenosha pasi policia me veshjet speciale u përlesh me protestuesit që kundërshtuan një ndalim-qarkullimi gjatë natës deri të martën në mëngjes, disa metra larg vendit ku policia goditi me armë të dielën afrikano-amerikanin Jacob Blake.
Blake, 29 vjeç, u mbijetoi të shtënave, që u kapën në video dhe është në gjendje të qendrueshme pas operacionit, tha babai i tij.
Por incidenti i fundit në një mori rastesh që nxjerrin në pah trajtimin e afrikano-amerikanëve nga policia, solli zemërim në qytetin buzë liqenit të Kenoshës rreth 65 kilometra në jug të Milluokit.
Incidenti ndodh tre muaj pas vdekjes së afrikano-amerikanit, George Floyd, në Mineapolis të cilit iu bllokua frymëmarrja nga një polic i bardhë i cili i vendosi gjurin në fyt, duke nxitur protesta mbarëkombëtare kundër brutalitetit të policisë dhe racizmit në Shtetet e Bashkuara.
Trazirat u ndezën edhe në vende të tjera të hënën. Policia në qytetin Portland të shtetit të Oregonit, skenë e javëve të protestave që janë bërë ndonjëherë të dhunshme, e shpalli gjendjen trazirë me qëllim të hënën vonë dhe arrestoi shumë demonstrues pasi zjarret u ndezën në zyrat e shoqatës së policisë.
Administrata e Presidentit Donald Trump muajin e kaluar vendosi trupa federale në Portland për të shtypur protestat.
ZJARRE, SHKOPINJ BEJSBOLLI
Aktivistët e lëvizjes Black Lives Matter po kërkojnë pushimin e menjëhershëm nga puna ose arrestimin e oficerëve të policisë, të cilët janë vendosur në leje administrative.
Disa orë pas ndalim-qarkullimit, demonstrata kryesisht paqësore u kthye e dhunshme. Ndërtesave tregtare dhe qeveritare iu vu zjarri, së bashku me automjetet në shumë pika për shitje makinash.
Policia përdori gaz lotsjellës, plumba gome dhe bomba tymuese për të shpërndarë turmën, e cila u rrit në disa qindra, sipas protestueses Porche Bennett, 31 vjeçare, nga Kenosha.
Zjarret shkatërruan pjesën më të madhe të distriktit të biznesit, tha zonja Bennett, duke shtuar se nxitësit që ajo pa ishin të bardhë.
“Ishin njerëz nga jashtë qytetit që e bënë këtë. Ne kemi bërë pazar atje që kur ishim fëmijë dhe ata i vunë zjarrin,” tha zonja Bennett.
Imazhet në mediat sociale treguan nxitës të bardhë dhe me ngjyrë. Burra të zinj e të bardhë që tundnin shkopinj bejsbolli thyen sinjalet e trafikut dhe dritat e rrugëve.
Një i bardhë në një platformë rrëshqitëse i vuri flakën një kamioni qeveritar. Civilë të bardhë të armatosur rëndë qëndruan roje përpara një biznesi për ta mbrojtur atë nga vandalët.
Sipas të dhënave të Regjistrimit në Shtetet e Bashkuara, Kenosha, një qytet me 100,000 banorë, ka gati 12 përqind popullësi me ngjyrë dhe rreth 67 përqind të bardhë.
Një grup i madh protestuesish u përleshën para gjykatës me oficerë të policisë që përdorën gaz lotësjellës dhe spërkatës piperi mbi turmën. Demonstruesit hodhën shishe uji dhe fishekzjarre mbi policinë.
Të paktën një njeri u plagos me pamjet në mediat sociale që e tregojnë atë të gjakosur nga koka ndërsa civilët administruan ndihmë të shpejtë. Nata e parë e përleshjeve të dielën bëri që Guvernatori Toni Evers të urdhëronte trupat e Gardës Kombëtare për të ndihmuar në ruajtjen e rendit.
Guvernatori Evers ka dënuar përdorimin e tepërt të forcës policore dhe ka bërë thirrje për një seancë të veçantë legjislative javën e ardhshme për të marrë në konsideratë reforma në polici, duke thënë: “Ne duhet të ofrojmë dhëmbshurinë tonë. Ne duhet të kuptojmë traumën, frikën dhe rraskapitjen e njerëzve me ngjyrë në shtetin tonë dhe vendin tonë. ”
Videoja e të shtënave marrë nga një dëshmitar në vendngjarje tregon zotin Blake duke ecur drejt anës së pasagjerit në një fuoristradë gri tek ndiqet nga dy oficerë me armët e tyre të drejtuar në shpinën e tij. Shtatë të shtëna me armë dëgjohen ndërsa Blake, i cili duket i paarmatosur, hap derën e makinës, dhe një oficer e ka kapur nga këmisha.
Nuk dihet nëse oficerët panë diçka brenda automjetit që i bëri të qëllonin.
Tre djemtë e tij të vegjël ishin brenda në makinë, tha avokati i familjes Ben Crump. zëri i amerikës
Komentet