Platforma që po propozon Partia Demokrate kritikon praktikat tregtare të Kinës, propozon më pak shpenzime për mbrojtjen kombëtare dhe kundërshton “luftra pa fund”, ndërsa përpiqet të prezantojë objektivat e politikës së jashtme të partisë dhe të vërë në dukje ndryshimet nga Presidenti Donald Trump.
Platforma prej 80 faqesh, që pritet të miratohet në Kuvendin Demokrat, është në përgjithësi simbolike, sepse kandidatit demokrat nuk i kërkohet t’i miratojë këto qëndrime. Megjithatë platforma paraqet një përshkrim zyrtar të vizionit dhe përparësive të kësaj politike nga ana e Partisë Demokrate.
Ajo është hartuar nga një komision udhëheqësish demokratë, përfshirë ish-rivalin e zotit Biden brenda partisë, Senatorin Bernie Sanders, dhe përpiqet që të eliminojë hendekun mes krahut progresist të partisë, që përfshin zotin Sanders, dhe qëndrimin më të moderuar të zotin Biden. Projekt-platforma u përmbahet përparësive të gjera të politikave të zotit Biden, që pritet të pranojë emërimin e partisë së tij, të enjten nga shteti i tij i Delauerit.
Kritika ndaj Kinës
Kina është bërë një nga çështjet kryesore të politikës së jashtme në garën presidenciale të vitit 2020, e amplifikuar nga lufta tregtare e Presidentit Donald Trump me atë vend, si edhe pandemia e koronavirusit që e kishte origjinën atje.
Në platformën e partisë, demokratët mbajnë një qëndrim të ashpër ndaj politikave tregtare të Kinës dhe përpiqen t’i karakterizojnë përpjekjet e zotit Trump si jo aq të ashpra sa ç’duhet.
“Ndryshe nga Presidenti Trump, ne do t’u bëjmë qëndresë përpjekjeve të Kinës dhe aktorëve të tjerë për të vjedhur pronën intelektuale të Amerikës dhe do t’u kërkojmë Kinës dhe vendeve të tjera që të ndalin menjëherë spiunazhin kibernetik kundër kompanive tona”, thuhet në platformë.
Në platformë kritikohen gjithashtu tarifat miliarda dollarëshe që zoti Trump ka imponuar ndaj mallrave kineze në një përpjekje për të arritur një marrëveshje tregtare me me Kinën, duke i quajtur politikat e tij tregtare “të papërgjegjshme” dhe duke thënë se ato dëmtojnë fermerët amerikanë.
Presidenti Trump është përplasur me Kinën për një sërë çështjesh, përfshirë tregtinë, manipulimin e monedhës dhe agresivitetin e Kinës në Detin e Kinës Jugore. Ai ka thënë gjithashtu se Kina duhet të mbajë përgjegjësi për pandeminë e koronavirusit. Shtetet e Bashkuara dhe Kina nënshkruan fazën e parë të një marrëveshjeje tregtare në janar, por negociatat për një fazë të dytë kanë ngecur.
Zoti Biden ka kritikuar praktikat “abusive” tregtare të Kinës, ashtu si edhe shkeljen e të drejtave të njeriut. Ai ka theksuar nevojën për të punuar me aleatët ndërkombëtarë për t’i bërë ballë Kinës.
Aleancat ndërkombëtare
Charles Stevenson, profesor i poltikës së jashtme amerikane në Falultetin e Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare të Universitetit Johns Hopkins, argumenton se ndryshimi më i spikatur në politikat e jashtme të zotit Trump dhe zotit Biden është “Trump-i ka praktikuar një njëanshmëri agresive”, ndërsa zoti Biden e ka bërë të qartë se do që të kthehet tek një model diplomacie “ndërkombëtare, bashkëpunuese, pro-aleancave”, që mbizotëronte në administratat e kaluara.
Zoti Trump e ka trajtuar politikën e jashtme shumë ndryshe nga presidentët e kaluar duke vënë në pikëpyetje hapur vlerën e aleancave dhe organizatave ndërkombëtare, përfshirë NATO-n, Organizatën Botërore të Tregtisë dhe Organizatën Botërore të Shëndetësisë.
Partia Demokrate i kushton disa faqe në platformë temës së aleancave ndërkombëtare dhe akuzon zotin Trump se ka “sulmuar burimet e forcës sonë, ka brejtur diplomacinë amerikane, ka shpërbërë angazhimet ndërkombëtare, dobësuar aleancat dhe njollosur besueshmërinë tonë”.
Ajo premton të riparojë ato që i sheh si marrëdhënie të thyera me qeveritë në gjithë botën, përfshirë në Evropë dhe Afrikë.
Zoti Biden i ka përqendruar shumë nga planet e tij për politikën e jashtme tek rindërtimi i lidhjeve të ngushta me aleatët dhe bashkëpunimi me institucionet ndërkombëtare.
Mbrojtja dhe nivelet e trupave
Platforma e demokratëve bën thirrje për uljen e shpenzimeve ushtarake, një kontrast i thellë me zotin Trump,që ka qenë për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes dhe ka paralajmëruar se demokratët do ta dobësojnë ushtrinë.
“Ne mund të kemi një mbrojtje të fortë dhe të ruajmë sigurinë tonë me më pak shpenzime”, thuhet në platformë, ku bëhet gjithashtu thirrje për kontrolle të përvitshme në Pentagon dhe që t’i jepet fund asaj që partia e konsideron “shpërdorim dhe mashtrim” në Departamentin e Mbrojtjes.
Platforma bën gjithashtu thirrje që “luftërat pa fund të mbyllen në mëmyrë të përgjegjshme”.
Si zoti Biden ashtu edhe zoti Trump kanë premtuar të ulin nivelet e trupave amerika jashtë vendit.
Zoti Trump ka reduktuar nivelet e trupave në Afganistan në 8,600 nga rreth 12,000 si pjesë e një marrëveshjeje mes Shteteve të Bashkuara dhe talebanëve nënshkruar më herët këtë vit. Në qershor ai njoftoi se do ta shkurtonte kontingjentin e trupave amerikane prej 34,500 vetësh në Gjermani në 25,000.
Megjithatë, zoti Trump nuk ka arritur ta përmbushë premtimin e fushatës së vitin 2016, për të reduktuar numrin e përgjithshëm të trupave jashtë Amerikës.
Kyle Kondik, analist politik në Universitetin e Virxhinias, thotë se Partia Republikane në përgjithësi konsiderohet më e ashpër se ajo Demokrate në politikën e jashtme, por tha se mund të argumentohet se zoti Trump kishte qëndrime më të zbutura sesa rivalja e tij demokrate në vitin 2016, Hillary Clinton, që ishte kritikuar për votën në favor të luftës së Irakut.
Zoti Kondik tha se i njëjti argument mund të bëhet nga zoti Trump kundër zotit Biden, i cili si senator votoi në favor të luftës së Irakut.
Zgjedhjet e nëntorit
Megjithëse çështjet e politikës së jashtme mund të shkaktojnë debate të ashpra mes partive, ato rrallë janë qendrore për votuesit amerikanë.
“Duke pasur parasysh pandeminë, ato kanë edhe më pak gjasa të kenë ndikim”, thotë professor Stevenson.
Në një sondazh të Qendrës së Kërkimeve Pew në gusht, ekonomia u radhit si çështja më e rëndësishme. 79% e votuesve amerikanë thanë se kishte shumë rëndësi për ta. Pas ekonomisë, çështjet e tjera më të rëndësishme ishin kujdesi shëndetësor dhe emërimet në Gjykatën e Lartë. Politika e jashtme, radhitej e gjashta në listë. 57% e votuesve thane se ajo kishte shumë rëndësi për ta në zgjedhje.
Komentet