Megjithëse ish-presidenti Barak Obama është treguar më aktiv kohët e fundit në mbështetje të zotit Joe Biden, pretendenti që pritet të marrë emërimin e Partisë Demokrate si kandidat në zgjedhjet presidenciale, zoti Obama është rezervuar në kritikat publike kundër pasuesit të tij, Donald Trump. Shumë demokratë tani po i bëjnë thirrje ish-presidentit Obama të angazhohet më fuqishëm në mbështetje të zotit Biden duke iu kundërvënë direkt sulmeve të Presidentit Trump, në mënyrë që të mobilizojë bazën demokrate ndër votuesit amerikanë:
Ish-presidenti Barak Obama ka folur në disa raste në mbështetje të ish-nënpresidentit të tij, Joe Biden, i cili pritet të marrë emërimin e demokratëve si kandidat i tyre në zgjedhjet presidenciale:
“Ajo që ma ushqen besimin tek ti, Joe, është zemra dhe karakteri yt,” tha zoti Obama.
Por në përgjithësi, zoti Obama i është përmbajtur traditës së korrektesës presidenciale duke mos sulmuar publikisht pasuesin e tij, Presidentin Donald Trump.
Që pas largimit nga Shtëpia e Bardhë në 2017, zoti Obama ka marrë rolin e burrit të shtetit që punon për kauzat që i sheh të rëndësishme.
Në fjalimin që mbajti në ceremonitë e përmortshme për simbolin e luftës për të drejta civile, Ligjvënësin John Lewis, zoti Obama kritikoi republikanët për përpjekjet për të kufizuar mundësitë e pakicave për të votuar, megjithëse nuk e përmendi Presidentin Trump me emër.
“Ka njerëz që sot janë në pushtet, të cilët po bëjnë sa munden për të dekurajuar të tjerët që të mos votojnë duke mbyllur qendra votimi dhe duke shenjestruar pakicat dhe studentët duke nxjerrë ligje që heqin mundësinë e votës pa kartë identiteti”.
Megjithatë, Presidenti Trump nuk është rezervuar, duke sulmuar drejpërdrejt pararendësin e tij dhe zotin Biden si të korruptuar dhe inkompetentë. Presidenti ka akuzuar zotin Obama për tradhti, duke ngritur pretendimin se ai kishte përgjuar fushatën e tij presidenciale në 2016-ën ndërkohë që ishin hapur hetime për ndërhyrje ruse në fushatën zgjedhore.
Presidenti gjithashtu ka zhbërë shumë nga politikat e administratës Obama, duke u tërhequr nga marrëveshja bërthamore me Iranin, nga Traktati i Parisit për klimën dhe është përpjekur të anulojë programin “Obamacare” për kujdesin shëndetësor.
Megjithë këto sulme, ish-presidenti Obama mbetet një figurë popullore në vend dhe me afrimin e zgjedhjeve të nëntorit, disa demokratë po i bëjnë presion ish-presidentit të angazhohet më fuqimisht duke iu kundërvënë Presidentit Trump.
“Ai duhet të komunikojë me njerëzit që ndjejnë këtë zemërim, këtë ankth dhe t’i ndihmojë të kuptojnë se çfarë është në rrezik në zgjedhjet e nëntorit,” thotë konsulentja demokrate për komunikimin, Daniella Gibbs Leger.
Në Kuvendin Demokrat për zgjedhjet e 2016-tës, ku zonja Hillary Clinton mori emërimin e demokratëve, Michelle Obama tha duke folur për fushatën e zotit Trump “kur ata zgjedhin metoda të ulëta, ne vazhdojmë të luajmë pastër”.
Por zonja Clinton humbi zgjedhjet përballë zotit Trump. Këtë vit, analistët parashikojnë se të dyja palët do të tregohen më agresive në sulmet politike.
“Nuk mendoj se në zgjedhjet e 2020-ës do të shohim ndonjë tendencë për rezervim. Nuk mendoj se ndonjëra prej palëve do t’i kursejë sulmet. Do të kemi një fushatë që do t’i ngjajë një sherri rrugësh,” thotë analisti politik, Dominic Tierney.
Megjithëse deri tani ish-presidenti Obama ka preferuar të qëndrojë jashtë intrigës politike, pritet që ai të luajë një rol më aktiv në fushatë, duke filluar me një fjalim të rëndësishëm në Kuvendin e Demokratëve.
Komentet