Nju Jork – Komisionerja për shëndetësinë e qytetit të Nju Jorkut dha dorëheqjen të martën pas muajsh tensionesh me kryetarin e bashkisë Bill de Blasio për reagimin e qytetit ndaj pandemisë së koronavirusit, si dhe pas një përplasjeje publike me departamentin e policisë.
Në një email dërguar zotit de Blasio, të marrë nga gazeta “The New York Times”, dr. Oxiris Barbot shprehet se po largohej me “një zhgënjim të thellë” për faktin se ekspertiza e Departamentit të Shëndetësisë “nuk ishte përdorur në nivelin e duhur” ndërsa qyteti i Nju Jorkut, dikur epiqendra e pandemisë në Shtetet e Bashkuara, luftonte për të frenuar virusin që mori jetët e dhjetëra mijëra banorëve të tij.
Në maj, zoti de Blasio u kritikua që ia dha kontrollin e përpjekjeve për gjurmimin e infeksioneve spitaleve publike të qytetit dhe jo departamentit të shëndetësisë, i cili kishte drejtuar programe të tilla në të kaluarën.
Në mesazhin ku njoftonte dorëheqjen e saj për personelin, zonja Barbot gjithashtu duket se kritikon menaxhimin nga qyteti të reagimit ndaj pandemisë.
“Eksperienca dhe udhëheqësia juaj kanë qenë drita pas së cilës ky qytet çante rrugën përmes pandemisë historike dhe për ta përgatitur atë me sukses ndaj një vale të dytë të pashmangshme; talenti juaj duhet të ishte shfrytëzuar më mirë”, shkruan dr. Barbot.
Në muajin maj, Dr. Barbot u kritikua pasi u njoftua se, gjatë një shkëmbimi me tone të nxehta me shefin e Departamentit të Policisë së Qytetit të Nju Jorkut, ajo kishte refuzuar një kërkesë të policisë për maska mjekësore për të mbrojtur oficerët nga koronavirusi. zëri i amerikës
Komentet