Pas 30 vjetësh si anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve, Eliot Engel nuk do të rikthehet vitin e ardhshëm në Kongresin amerikan. Ky është një lajm i keq për komunitetin tonë, për kombin shqiptar, por edhe për zonën e tij zgjedhore, për shtetin e Neë York-ut, për Kongresin Amerikan dhe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Për tri dekada tashmë, Engel ka qenë një mbështetës i të drejtave të njeriut, një amerikan i madh dhe një ligjvënës i shquar. Si Kryetar i Komitetit të Punëve të Jashtme në Kongresin Amerikan, ai është shquar si një mik i madh i popujve liridashës dhe demokracisë në botë.
Gjatë 30 viteve që ka shërbyer në Kongresin Amerikan, Engel është karakterizuar së pari nga dashuria e tij e madhe për Amerikën. Ka besuar gjithmonë se roli udhëheqës amerikan do ta bënte botën më të mirë dhe vetë popullin amerikan më të sigurtë. Gjatë gjithë karrierës ka treguar mbështetje për Izraelin, Kosovën, popullin shqiptar dhe të gjithë popujt në botë që u është mohuar një shtëpi dhe e drejta e vetëvendosjes.
Humbja e tij në zgjedhjet e fundit është sidomos e rëndë për shqiptaro-amerikan që e kanë dashur dhe janë mësuar që ta kontaktojnë sa herë që kombi ynë është përballur me kohë të vështira.
Mirëpo, ky nuk duhet të jetë një moment vajtimi, por krenarie. Në demokraci, të gjitha karrierat politike janë të destinuara të mbarojnë një ditë. Sot, është dita që të vlerësojmë udhëtimin e jashtëzakonshëm në politikë dhe ndihmën historike që Engel dha për Kosovën dhe popullin shqiptar.
Gati 30 vjet më parë, kur Engel sapo kishte nisur punën si një kongresist i ri, trokita në zyrën e tij në Bronx, për t’i folur për vuajtjet e popullit të Kosovës. Ai nuk më njihte, por me priti me bujari dhe më dëgjoi me vëmendje. Ishte fillimi i një bashkëpunimi 30-vjeçar. Por edhe i një miqësie të madhe midis nesh. Më e rëndësishmja, ai nuk u bë thjesht mik me mua, po u bë mik me komunitetin shqiptar në SHBA. U bë një mbështetës i madh dhe i vendosur i lirisë dhe demokracisë në trojet shqiptare në Ballkan.
Në atë kohë, pak njerëz e dinin se ku ishte Kosova në Washington dhe politika zyrtare amerikane ishte ende kundër pavarësisë. Kongresisti Engel që nga fillimi deri në fund pati një besim të palëkundur te vetëvendosja e Kosovës si e vetmja zgjidhje. Në ato vite të para, shqiptarët e Kosovës ishin si shprehej ai vetë: “populli më i shtypur në Europë”. Shumë shpejt u dha me passion pas kësaj kauze që u bë diçka personale për të. Ai e vizitoi Kosovën disa herë, duke filluar nga viti 1993, kur ende vuante nën thundrën e regjimit fashist të Slobodan Millosheviqit. Në 1996, kongresisti Engel ngriti flamurin amerikan në mes të Prishtinës duke dhënë sinjalin se SHBA nuk e kishte harruar Kosovën duke u dhënë njerëzve shpresë dhe kurajo.
Në vitin 1998, pas vrasjes së Adem Jasharit u nis për në Kosovë, mirëpo, rojet ushtarake serbe nuk e lanë që të hynte në kufi. Atëhere kongresisti Engel mbajti një konferencë shtypi me gazetarët ndërkombëtarë që kishte marrë me vete dhe tha: “Millosheviqi nuk po na lë që të hyjmë sot në Kosovë, po shumë shpejt do të vijë dita kur do ta nxjerrim Millosheviqin jashtë nga Kosova dhe pastaj do të jemi ne që nuk do ta lëmë që të hyjë”. Këto ishin fjalë profetike, sepse një vit më vonë vërtet Kosova ishte e çliruar, SHBA kishte udhëhequr NATO-n në luftë dhe vetë Engel kishte këshilluar ngushtë presidentin Clinton gjatë zhvillimeve që sollën çlirimin.
Unë pata nderin që bashkë me kongresistin Engel dhe një grup shqiptaro-amerikanësh e miq të komunitetit, të ishim nga delegacionet e para që vizitonin Kosovën pas çlirimit. Kishim me vete edhe Anthony Athanas në një udhëtim shumë emocional dhe të paharrueshëm për të gjithë. Ishim me Engelin në Kosovë, kurse Millosheviqi ishte jashtë dhe nuk guxonte të hynte.
Më vonë, ashtu si me Presidentin Bill Clinton, kongresisti Engel do të lobonte Presidentin W Bush për të njohur dhe mbështetur pavarësinë e Kosovës. Engel ishte nga zyrtarët e parë të huaj që vizituan Kosovën pas pavarësisë, si republika më e re në Europë.
Kam rreshtuar këtu një numër shumë të vogël të veprimtarive të shumta të kongresistit Engel gjatë viteve të tij në Kongres, por puna e tij ka qenë shumë më komplekse dhe voluminoze dhe do të kërkojë libra për t’u përshkruar.
Kongresisti Engel është themeluesi dhe drejtuesi i përhershëm i Kaukusit të Çështjeve Shqiptare në Kongresin Amerikan, mjeti më i fuqishëm politik që kemi pasur që nga Noli dhe Konica.
Që në vitet e para si kongresist ai u bë një mbështetës i hapur i pavarësisë së Kosovës, shpesh duke qenë zëri i vetëm që e shqiptonte atë si e vetmja zgjidhje e pranueshme e konfliktit. Ishte ndër të parët që priti Ibrahim Rugovën në Washington DC, në 1991 dhe lidhi me të një miqësi që vazhdoi deri në fund të jetës së Presidentit të Kosovës. Me kolegët e tij, ai luajti një rol të drejtpërdrejtë në sigurimin e fondit të parë federal kushtuar posaçërisht Kosovës. Shuma prej 5 milionë dollarësh kishte në fakt një vlerë të paçmueshme. Ajo shpalli zyrtarisht angazhimin amerikan për Kosovën
Në 1994, ai drejtoi dëgjesën e parë kushtuar në mënyrë të posaçme Kosovës, në Komitetin e Dhomës për Çështjet e Jashtëme dhe së bashku me kongresistin Ben Gilman ushtruan presion mbi Administratën Clinton që të mbështeste më fuqimisht Kosovën kundër shtypjes nga Millosheviqi.
Ai udhëtoi në Kosovë, në prill 1993, dhe u kthye përsëri aty në korrik 1996, për të inauguruar hapjen e Zyrës Amerikane të Informacionit, të njohur nga populli si “Zyra Amerikane”. Ai ishte identifikuar me këtë projekt që nga fillimi dhe u deshën vite që të bëhej realitet.
Ai ngriti flamurin amerikan në mes të Prishtinës, në atë korrik 1996, duke ngritur bashkë me të peshë edhe zemrat e shqiptarëve të Kosovës, në një prej periudhave më të rënda për ta. Ishte koha kur shqiptarët ndiheshin të lënë në mëshirën e Millosheviqit pas Marrëveshjes përjashtuese të Dejtonit. E kam dëgjuar kongresistin Engel t’i referohej shpesh herë asaj si “Ambasada e parë e SHBA-së”, në Kosovë.
Me kolegët e tij të kaukusit, ai e detyroi Administratën Clinton që të kushtëzonte murin e jashtëm të sanksioneve ndaj Beogradit me zgjidhjen e situatës në Kosovë. Ai punoi shumë që të pengonte emërtimin zyrtar të UÇK-së si terroriste nga Administrata duke i shkaktuar një goditje të rëndë përpjekjeve të propagandës dhe lobimit serb.
Sugjerimet nga kongresisti Engel ishin kyçe në procesin kur Administrata Clinton shqyrtonte alternativat me të cilat mund të ndalte spastrimin etnik në Kosovë dhe mbështeti fuqimisht ndërhyrjen ushtarake në 1999. Ai udhëhoqi kolegët e tij në debate dhe rezoluta madhore në Kongresin Amerikan lidhur me luftën.
Pas çlirimit të Kosovës, u bashkua me ne në vizitën e parë të organizuar si grup në Kosovën e lirë për të shkatërruar keq nga lufta. U përqafuam me lot në sy, kur kaluam për herë të parë kufirin dhe shkelëm në tokën e lirë, vetëm pak javë pasi trupat serbo-jugosllave ishin larguar të mposhtur nga NATO.
Që atëhere, kongresisti Engel ka shkuar pothuajse çdo vit në Ballkan dhe ka vijuar punën e tij në dekadën që vijoi për të bindur Administratën Bush që të njihte pavarësinë e Kosovës. Dhe që prej pavarësisë ka lobuar nga një vend në tjetrin që të njohin republikën e re dhe organizatat e mëdha që ta pranojnë Kosovën si anëtare, përfshi këtu edhe Bankën Botërore, FMN-në, FIFA-n etj. Ai është ende duke lobuar për ne pranë Interpolit dhe UNESCO-s.
Pas pavarësimit të Kosovës, ai punoi ngushtë me një tjegtër agjensi qeveritare amerikane, Programin për Sfidën e Milleniumit, për t’i siguruar vendit të drejtën për të konkurruar për një paketë shume të madhe ndihmëse. Në vitet e fundit, Kosovës i janë akorduar 50 milionë dollarë për të përmirësuar furnizimin me energji dhe transparencën qeveritare. Dhe nëse gjithshka shkon mirë, shifra mund të shtohet me disa dhjetëra milionë të tjerë.
Muajin e kaluar, në 4 Korrik, kongresisti Engel udhëtoi përsëri në Ballkan. Ai iu bashkua Ambasadorit të SHBA-së në prerjen e shiritit për inaugurimin e ambasadës së re amerikane në Kosovë, për të cilën qeveria e SHBA-së investoi 280 milionë dollarë. Nuk ka dëshmi më të fuqishme të përkushtimit amerikan për Kosovës dhe synimit për prani afatgjatë në rajon sesa kjo seli moderne.
Në fakt, ambasada është shenjuar si “ndërtesë e gjelbër”, një shembull frymëzues për të ndihmuar Prishtinën që të ecë në një drejtim më të ndjeshëm ndaj mjedisit.
Nga inaugurimi i korrikut 1996 në inaugurimin e korrikut 2019, kemi të njëjtin njeri, të njëjtin udhëheqës dhe mik, të njëjtën devotshmëri dhe përkushtim ndaj kauzës sonë. Nuk ka të dytë si kongresisti Engel.
Puna e tij nuk kufizohet te Kosova. Si themelues i Kaukusit të Çështjeve Shqiptare, ai u përqendrua menjëherë me problemet e demokracisë në lindje të Shqipërisë. Ndihmoi në jetësimin e Fondit Shqiptaro Amerikan të Ndërmarrjeve dhe ka punuar ngushtë me çdo qeveri shqiptare në 27 vitet e fundit.
Ai loboi shumë që Shqipëria të bëhej anëtare e NATO-s dhe u ftua personalisht nga Presidenti Ë Bush në ceremoninë e nënshkrimit në Washington DC.
Ai ka udhëtuar shpesh në Shqipëri, si vëzhgues zgjedhjesh, si pjesë misionesh faktmbledhëse, si dhe për t’u takuar me të gjithë udhëheqësit politikë të vendit përgjatë viteve.
Kongresisti Engel loboi që Presidenti Sali Berisha të ftohej në Shtëpinë e Bardhë, në 1995, si dhe për të siguruar ndihma për Shqipërinë gjatë dhe pas krizës së vitit 1997.Në mes të konfliktit të atij viti të rëndë, ndërsa Shqipëria rrezikohej të rrokullisej në luftë civile, ai udhëtoi për të përfaqësuar Shtetet e Bashkuara në negocitat e drejtuara nga ish-kancelari Franz Vranitzky, duke ndihmuar që të arrihej kompromisi politik që shpëtoi Shqipërinë. Më etj u angazhua që të garantoheshin paprekshmëria e kufijve dhe e integritetit territorial të Shqipërisë.
Kongresisti Engel ka punuar në vite me shqiptarë të Malit të Zi dhe ka vizituar vendbanime shqiptare atje, sidomos Ulqinin dhe Tuzin. Ai ka punuar me udhëheqësit e shqiptarëve të këtij vendi. Ai ka qenë shumë herë edhe në Maqedoninë e Veriut, ku ka zhvilluar marrëdhënie të rëndësishme bashkëpunimi me një numër udhëheqësish shqiptarë dhe ka ndihmuar që të sigurojë një përfshire më të madhe të shqiptarëve në qeverisje, nëpërmjet jetësimit të Marrëveshjes së Ohrit.
Në ditën e tij të parë, si kryetari i ri i Komitetit të Dhomës për Punët e Jashtme, ai u takua me një grup shqiptaro-amerikanësh nga Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, për të diskutuar me ta pikëpamjet dhe aspiratat e tyre politike.
Në korrik, rrugës për në Prishtinë, ndaloi në Luginën e Preshevës, për t’u takuar me udhëheqës lokalë të komunitetit shqiptar në Serbi. Ai kërkoi nga ky komunitet prej kohësh i injoruar dhe harruar që t’ia shpjegonin shqetësimet dhe shpresat që kishin për të ardhmen e tyre politike.
Askush, ndonjëherë më parë, në historinë e gjatë të kombit shqiptar, nuk ka qenë kaq shumë i përfshirë, për një kohë kaq të gjatë dhe këtë nivel suksesi.
Ai është mbi gjithshka një njeri shumë i mirë dhe i përkushtuar ndaj familjes. Ai është miku im më i mirë në botë dhe ndjehem i bekuar që e kam njohur e kam punuar me të për 30 vjet.
Do të doja ta falenderoja sot kongresistin Engel për kontributin dhe përkushtimin e tij të madh për çështjen kombëtare shqiptare. Do t’i jemi përgjithmonë mirënjohës. Vitin që vjen, ai nuk do të jetë më anëtar i Kongresit, por do të vazhdojë të jetë, ashtu si edhe më parë, një Ambasador i madh i Popullit Shqiptar.
Zoti të bekoftë kongresisti Engel! Krenohemi me ju!
Harry Bajraktari është themelues dhe botues i gazetës Illyria (1991-1998), një drejtues i komunitetit shqiptaro-amerikan, filantrop dhe përfitues i shumë çmimeve, duke përfshirë Nderin e Urdhrit të Kombit nga Presidenti i Shqipërisë, Medaljen Presidenciale të Kosovës për Meritat & Bardhë Thirrja Presidenciale e Shtëpisë për Amimin e Shërbimit
Komentet