Bosnja përkujtoi të shtunën vrasjen e rreth 8000 burrave dhe djemve myslimanë në Srebrenicë, në 25 vjetorin e masakrës që tronditi botën dhe u veçua si gjenocidi i vetëm në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Familjet mbajtën zi, duke qëndruar pranë nëntë arkivoleve të veshura në të gjelbër, ku ndodheshin trupat e viktimave të identifikuara kohët e fundit.
Ato do të prehen në një varrezë në formën e një luleje në afërsi të qytetit, ku gurët e bardhë shënojnë varret e 6.643 viktimave të tjera.
Rreth 1.000 viktima të masakrës në qytetin lindor të Bosnjës gjatë luftës së viteve 1992-1995 ende mungojnë.
Udhëheqës botërorë folën në ceremoninë solemne përmes lidhjes me video, në pamundësi për të marrë pjesë për shkak të koronavirusit. Në vend të dhjetëra mijëra vizitorëve që zakonisht ndjekin ceremonitë e përvitshme përkujtimore, erdhën vetëm disa mijëra, pasi organizatorët i kishin ndaluar vizitat e organizuara.
“Ne mbajmë zi bashkë me familjet që kërkojnë pa pushim drejtësi për 8,000 jetët e pafajshme të humbura, pas kaq shumë vitesh,” tha Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo.
Uashingtoni ndërmjetësoi marrëveshjen e paqes në Bosnje disa muaj pas masakrës.
Shumica e njerëzve në ceremonitë përkujtimore ishin myslimanë të Bosnjes, çka tregon se Bosnja nuk e ka arritur pajtimin, edhe pse kanë kaluar 25 vite nga përfundimi i luftës, në të cilën u vranë rreth 100,000 njerëz.
Gjykata e OKB-së për krimet e luftës për ish-Jugosllavinë dënoi Ratko Mladiçin dhe shefin e tij politik Radovan Karaxhiçin për gjenocidin e Srebrenicës, por ata mbetën heronj për serbët, shumë prej të cilëve e mohojnë se ka ndodhur gjenocid.
MASAKRA E SREBRENICËS
Në korrik 1995, ish presidenti i serbëve të Bosnjës Radovan Karaxhiç dha urdhër për marrjen e Srebrenicës, qytetit të shpallur zonë e sigurtë nga Kombet e Bashkuara. Sulmi i forcave serbe rezultoi në Masakrën e Srebrenicës, gjakderdhja më e rëndë e Evropës, që pas përfundimit të Luftës II Botërore. Dhimbja dhe plagët e shkaktuara 25 vjet më parë ndjehen ende sot në Bosnje:
Bota u shtang kur mësoi në verën e vitit 1995 se në mes të korrikut të atij viti më shumë se 8 mijë burra e djem boshnjakë ishin masakruar në qytetin e Srebrenicës që ishte shpallur nga Kombet e Bashkuara si “zonë e sigurtë”.
Lufta kishte shpërthyer në Bosnje në prill 1992. Kur ushtria e serbëve të Bosnjes filloi të avanconte drejt lindjes në fillim të 1993, popullata myslimane e zonës u largua për t’i shpëtuar dhunës, duke u mbledhur në Srebrenicë. Ky qytet me 36 mijë banorë, shumica myslimanë, së shpejti kishte thuajse dy herë më shumë njerëz.
Në prill 1993, Kombet e Bashkuara veçuan tre qytete, ndër to edhe Srebrenicën si zona të sigurta dhe vendosën forca paqësore për të mos lejuar ndërhyrje.
Në atë kohë presidenti i serbëve të Bosnjes, Radovan Karaxhiç dha urdhër që Srebrenica dhe Zhepa të vendoseshin nën rrethim të fortë për të mos lejuar futjen e ndihmave ndërkombëtare.
Më 9 korrik 1995 Radovan Karaxhiçi urdhëroi forcat të merrnin Srebrenicën. Trupat serbe rrethuan qytetin dhe filluan të sulmonin pikat e kontrollit të paqeruajtësve holandezë, duke marrë rreth 30 ushtarë peng. Të nesërmen, më 10 korrik forcat serbe filluan bombardimin e Srebrenicës, megjithë paralajmërimet e holandezëve se NATO do të sulmonte nëse ata nuk tërhiqeshin.
Një ditë më pas avionët e NATO-s bombarduan tanket serbe, ndërkohë që njësitë serbe kërcënuan se do të vrisnin pengjet holandeze. Sulmet NATO-s u ndalën në mbrëmjen e 11 korrikut dhe komandanti i serbëve të Bosnjes, Ratko Mladiç hyri në Srebrenicë.
Rreth 30 mijë refugjatë myslimanë u përpoqën të largohen për të shpëtuar duke u mbledhur pranë bazës së paqeruajtësve holandezë në Potoçari, në veri të Srebrenicës.
Komandanti i serbëve të Bosnjes, Ratko Mladiç u përpoq t’i qetësonte duke u thënë refugjatëve të mos kishin frikë. Forcat serbe më pas i futën refugjatët në autobusë për t’i larguar nga zona. Një pjesë u sollën në Kladanj, pranë zonës nën kontrollin qeveritar. Të tjerët filluan të mbërrijnë vetë. Shumë shpejt zyrtarët e Kombeve të Bashkuara vërejtën me shqetësim se në radhët e të zhvendosurve që po mbërrinin mungonin burrat.
“Ka rreth 2-3 mijë refugjatë të tjerë në Kladanj. Ka njerëz që vazhdojnë të mbërrijnë. Por problemi që vërejmë është se grupi i të zhvendosurve janë kryesisht gra, të moshuar dhe fëmijë. Kemi marrë njoftime se mijëra të tjerë janë në Bratunac, kemi kërkuar akses. Pa dyshim që fati i mijëra meshkujve mbetet shqetësim serioz për ne,” tha më 14 korrik zëdhënësi i Komisionerit të Lartë të OKB-së për Refugjatët, Soren Jessen Petersen.
Rreth 15 mijë meshkuj myslimanë kishin arritur t’i shpëtonin rrethimit serb dhe të fshiheshin në pyje, por shumë prej tyre u kapën nga trupa serbe që kishin zënë pritë, të veshur me uniformat e forcave paqeruajtëse të OKB-së.
Me kalimin e ditëve, u bë e qartë se shumë prej burrave të zhdukur kishin pasur një fund makabër. Brenda pak ditësh pas rënies së Srebrenicës, forcat serbe masakruan 8000 burra e djem, shumë prej tyre të kapur rob. Të tjerët u vrarë kur po përpiqeshin të shpëtonin. Shumë prej të kapurve ishin futur në magazina, shkolla, stalla pranë Srebrenicës, ku u qëlluan për vdekje dhe më pas u groposën në varre masive.
Udhëheqësit e serbëve të Bosnjes, Radovan Karaxhiç dhe Ratko Mladiç u akuzuan nga Gjykata e Hagës dhe më shumë se dy dekada pas luftës në Bosnje u shpallën fajtorë për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
25 vjet pas luftës në Bosnje, ende zbulohen varre të reja masive. Identifikimi i viktimave shpesh rezulton i pasuksesshëm, pasi trupat u dëmtuan pas vrasjes dhe u zhvendosën pas groposjes. Kjo mbetet një tjetër plagë e hapur për të mbijetuarit e masakrës më të rëndë të Evropës që pas Luftës II Botërore. zëri i amerikës
Komentet