Uashingtoni po përgatitet për një protestë të madhe të shtunën, një vazhdim i demonstratave prej disa ditësh në këtë qytet dhe në mbarë Shtetet e Bashkuara, pas vdekjes së një afrikano-amerikani ndërsa mbahej nga policia.
Shefi i Departamentit të Policisë Metropolitane të Distriktit të Kolumbias, Peter Newsham, u tha gazetarëve të enjten se autoritetet presin që mijëra protestues të shkojnë në Uashington për protestën që “mund të jetë një nga më të mëdhatë që kemi pasur në qytet“.
Kryetarja e bashkisë së Uashingtonit, Muriel Bowser, i dërgoi një letër Presidentit Donald Trump të enjten duke i kërkuar që të “tërhiqte të gjithë prezencën e jashtëzakonshme të oficerëve federalë të organeve ligjzbatuese dhe praninë ushtarake nga Uashingtoni“.
Administrata Trump ka dislokuar personel ushtarak federal dhe Gardën Kombëtare për t’iu përgjigjur protestave në qytet, duke shkaktuar kritika të mëdha nga zyrtarë të qytetit dhe aktivistë, se veprimet e tyre po përshkallëzojnë tensionet.
Kryebashkiakja Bowser dënoi patrullimin e rrugëve nga zyrtarët federalë të zbatimit të ligjit, të cilët ndërmarrin veprime pa marrë parasysh “zinxhirët e komandimit që janë krijuar”.
Administrata Trump u kritikua gjerësisht pasi autoritetet federale qëlluan me plumba gome dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit paqësorë jashtë Shtëpisë së Bardhë, në mënyrë që Presidenti Trump të mund të ecte drejt një kishe aty pranë dhe të pozonte për kamerat me një Bibël në dorë.
Protestat në Uashington kanë ndodhur çdo ditë që nga e premtja e kaluar. Demonstratat paqësore gjatë orëve të paradites të shtunën dhe të dielën u kthyen në të dhunshme pas rënies së natës, me plaçkitje dhe akte të tjera dhune.
Kryebashkiakja Bowser tha të enjten se u hoq për herë të parë këtë javë shtetrrethimi që fillonte në orën 7 pasdite, pasi protestat u bënë më paqësore me çdo ditë që kaloi.
Në lidhje me protestën e planifikuar, shefi i policisë Newsham tha se “Ne presim që demonstrata e së shtunës të mbedhë më shumë nga të njëjtët demonstrues paqësorë që vijnë për të ushtruar të drejtën e Amendamentit të Parë, në Uashington, D.C.“.
Megjithëse priten turma të mëdha të shtunën, rreth 700 anëtarë të Divizionit të 82-të Parashutist u kthyen në Fort Bragg, të Karolinës së Veriut. Ata ishin pozicionuar në shtetin Virxhinia, në afërsi të Uashingtonit, dhe nuk hynë në qytet gjatë protestave.
Prania e forcave ushtarake ngriti shqetësimin se Presidenti Trump do të përdorte Ligjin për Rebelimin, për t’u lejuar forcave ushtarake që të përballen me mijëra njerëz që kanë protestuar çdo natë në qendër të Uashingtonit.
Protestat në Uashington dhe në dhjetëra qytete në të gjithë Amerikën u nxitën nga vdekja e George Floyd-it, një afrikano-amerikan që vdiq pasi një polic i bardhë i vendosi gjurin në qafë për më shumë se tetë minuta ndërsa Floyd përgjërohej se nuk mund të merrte frymë. Kjo ishte vdekja më e fundit nga shumë vdekje të amerikanëve me ngjyrë gjatë ose pas shkëmbimeve me oficerë të bardhë.
Vdekja e Floyd-it ndezi protesta mbarëkombëtare që kërkojnë drejtësi dhe reformim të sistemit.
Që nga fillimi i protestave, perimetri i sigurisë rreth Shtëpisë së Bardhë ka vazhduar të zgjerohet. Shtëpia e Bardhë nuk ka komentuar për protestën e planifikuar.
Të premten, kryebashkiakja Bowser ndryshoi zyrtarisht emrin e një rruge që çon në Shtëpinë e Bardhë duke e emërtuar “Black Lives Matter Plaza” pasi autorizoi punonjësit e qytetit të shkruanin parullën me shkronja të mëdha të verdha mbi rrugën.
Mbetet e paqartë se cilat grupe po planifikojnë demonstrimin e së shtunës.
Komentet