Refuzimi për një kohë të gjatë i Presidentit Donald Trump për të bërë publike të dhënat e tij të taksave mbërriti të martën para Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara, ku gjyqtarët do të shqyrtojnë nëse Kongresi dhe prokurorët lokalë kanë autoritetin të hetojnë një president në detyrë.
Gjyqtarët dëgjuan argumentat verbale për dy procese të profilit të lartë gjatë të cilëve janë dërguar fletëporosi për taksat e Presidentit Trump dhe të dhëna të tjera financiare të kërkuara nga tre komisione të Dhomës së Përfaqësuesve dhe nga prokurori i lartë i qytetit të New York-ut drejtuar firmës së kontabilitetit të Presidentit Trump dhe bankave.
Presidenti Trump, i cili ka shmangur publikimin e taksave të tij, u përpoq të ndalë dorëzimin e dokumentave nga këto institucione financiare tek hetuesit, por gjykatat federale në Nju Jork dhe Uashington vendosën kundër tij vitin e kaluar, duke bërë që avokatët e Presidentit Trump të apelojnë vendimet në Gjykatën e Lartë.
Tre panele të Dhomës së Përfaqësuesve janë duke hetuar Presidentin Trump dhe bizneset e tij për gati një vit. Ata thonë se kanë nevojë për informacionin si pjesë e punës së tyre. Prokurori i Manhatanit, Cyrus Vance Jr., i kërkon të dhënat si pjesë e hetimit të një jurie të madhe për pagesat e parave të dhëna nga ish-ndërmjetësi i Presidentit Trump në këmbim të heshtjes së dy grave gjatë zgjedhjeve të 2016-ës.
Kjo është hera e tretë në afro 50 vjet që Gjykata e Lartë shqyrton nëse një president në detyrë duhet të përmbushë një kërkesë ligjore për paraqitje dokumentash.
Në dy rastet e mëparshme – Shtetet e Bashkuara kundër Nixon në vitin 1973, dhe Clinton kundër Jones në vitin 1997 – gjykata vendosi unanimisht kundër presidentëve Richard Nixon dhe Bill Clinton, përkatësisht.
Por Gjykata e Lartë ka marrë një kthesë ideologjike në të djathtë pasi Presidenti Trump emëroi gjykatës konservatorë, duke rritur mundësinë e një vendimi të ndarë, siç është vënë re në një varg fitoresh që gjykata i ka dhënë presidentit.
“Përshtypja ime është se shumica e gjyqtarëve u shqetësuan nga gjerësia e subjektit të fletëthirrjeve të lëshuara nga Kongresi,” tha Saikrishna Prakash, një profesore e drejtësisë në Universitetin e Virxhinias.
Gjyqtarët nuk dhanë shumë tregues se si do të vendosin, duke reflektuar nevojën për të balancuar interesat konkurruese midis degëve të ndryshme të qeverisjes.
Pyetjet e gjyqtarëve, megjithatë, ngjallën spekulime në mesin e disa vëzhguesve të gjykatës se në vend që të vendosin pro ose kundër Presidentit Trump, gjykata do të bëjë më të rrepta standardet për fletëporositë që kanë lidhje me presidentin dhe do të dërgojë njërën ose të dyja çështjet përsëri në gjykatat më të ulëta.
Paraqitja mbi tre orë e argumentave në çështjen e parafundit të termit aktual të gjykatës u zhvillua nëpërmjet tele-konferencës dhe u transmetua drejtpërsëdrejti në internet, për shkak se gjyqtarët dhe avokatët qëndrojnë të mbyllur në shtëpi gjatë pandemisë së koronavirusit.
Një vendim për çështjet pritet të merret gjatë javëve të ardhshme, ndërkohë që si Presidenti Trump, ashtu edhe i nominuari i supozuar demokrat, ish-Nënpresidenti Joe Biden, po përgatiten për konventat e partive përpara zgjedhjeve presidenciale të nëntorit.
Vendimi i gjykatës sjell pasoja të konsiderueshme për ndarjen e pushteteve. Në një mjedis të polarizuar politik, në varësi të rezultatit, vendimi mund të forcojë institucionin e presidencës ose Kongresin.
“Nëse vendosin në favor të presidentit, për të dyja çështjet, atëherë do të bëhet më e vështirë për njerëzit të hetojnë presidentin“, tha profesorja Prakash.
Ndërsa ishin të ngjashëm në shtrirje, dy çështjet prekin pikëpyetje të ndryshme kushtetuese.
Ndarja e pushteteve
Rasti i parë, që përfshin fletëporositë e Dhomës së Përfaqësuesve drejtuar firmës globale të kontabilitetit Mazars USA, bankës Capital One dhe Deutsche Bank të Gjermanisë, vërtitet rreth çështjes së ndarjes së pushteteve dhe fuqisë së kongresit për të hetuar një president.
Duke pohuar se fletëthirrjet e Dhomës nuk shërbyen asnjë qëllim thelbësor legjislativ, avokati i Presidentit Trump, Patrick Strawbridge, tha se hetuesve të kongresit nuk duhet t’u jepet një “çek i bardhë” për të hetuar presidentin.
Gjykatësi Neil Gorsuch, i emëruar nga Presidenti Trump, e pyeti avokatin e presidentit se përse kërkesa e Dhomës së Përfaqësuesve nuk mbështetet nga një qëllim legjitim legjislativ.
Zoti Strawbridge u përgjigj pjesërisht duke argumentuar se Dhoma e Përfaqësuesve nuk ka shpjeguar se si dokumentet e kërkuara, që janë nga mbi një dekadë më parë, kanë “ndonjë lidhje me ndonjë qëllim që në të vërtetë do të ishte legjislacioni i lejueshëm”.
Douglas Letter, këshilltari kryesor juridik i Dhomës së Përfaqësuesve, tha se ekziston një historik i gjatë i presidentëve amerikanë, që nga koha e George Washington, që u janë përgjigjur kërkesave të Kongresit për informacion. Ai argumentoi se Kongresi mund t’i kërkojë informacion presidentit në lidhje me çdo lloj legjislacioni, por u vështirësua kur u pyet për kufijtë e kompetencave të marrjes në pyetje.
Imuniteti presidencial
Rasti i dytë – një fletëporosi për taksat e Presidentit Trump dhe të dhënat e biznesit, të kërkuara nga një juri e madhe e Nju Jorkut – ka të bëjë me imunitetin presidencial nga ndjekja penale dhe nëse prokurorët lokalë mund të hetojnë një president në detyrë.
Jay Sekulow, një tjetër avokat i Presidentit Trump, argumentoi se presidenti gëzon “imunitet të përkohshëm kushtetues” nga ndjekja penale gjatë kohës që është në detyrë dhe se prokurori i Nju Jorkut nuk ka asnjë autoritet për të lëshuar fletëporosi për Presidentin Trump.
Nëse fletëthirrjet lejohen, tha ai, kjo do t’i mundësojë çdonjërit prej 2300 prokurorëve të distrikteve në të gjithë vendin “të ngacmojnë, shpërqëndrojnë dhe ndërhyjnë tek presidentin në detyrë”.
Carey Dunne, këshilltar ligjor për prokurorin e distriktit Manhattan, u kundërpërgjigj se presidentët, ndërsa janë të imunizuar nga ndjekja penale, nuk janë të justifikuar për të mos iu përgjigjur një fletëporosie. Përveç kësaj, tha zoti Dunne, informacionet që zyra e tij po kërkon, datojnë përpara marrjes së mandatit presidencial nga zoti Trump dhe se nuk mbrohen nga privilegji ekzekutiv.
“Ekziston rreziku që presidentët amerikanë dhe palët e treta, pa dashje, mund të dalin mbi ligjin“, tha zoti Dunne.
Komentet