Senatori amerikan, Bernie Sanders, ka shpallur fitoren në Nju Hempshër pas mposhtjes së Pete Buttigieg, ish-kryebashkiakut të South Bend në Indiana, me një diferencë të vogël në zgjedhjet e Partisë Demokratike për kandidatin në zgjedhjet presidenciale të këtij viti në Shtetet e Bashkuara.
Sanders e shpalli rezultatin si “fillimin e fundit” për presidentin e SHBA-së, Donald Trump.
Gara tani zhvillohet në Nevada më 22 shkurt.
Pas senatorit të Vermontit u rradhitën Buttigieg dhe senatorja e Minesotas, Amy Klobuchar, e cila doli si një pretendente e befasishme duke zënë vendin e tretë.
Senatorja, Elizabeth Warren dhe Joe Biden, të cilët konsideroheshin kandidatët kryesorë, përfunduan në vendet e katërt dhe të pestë.
Sipërmarrësi i teknologjisë, Andrew Yang dhe senatori i Kolorados Michael Bennet të dy u larguan nga gara.
Cilat ishin rezultatet në Nju Hempshër?
Rreth 280.000 votues demokratë votuan të martën, duke i siguruar fitore prej 26% senatorit Sanders.
Me 95% të votave të numëruara, Sanders, 78 vjeç, doli para kandidatit Buttigieg, me vetëm 1.6%, ose rreth 4,300 vota.
Sanders premtoi se do të ndërtojë një “lëvizje politike shumë-gjeneruese, shumë-racore” për të mposhtur republikanët.
Rezultati në Nju Hempshër do t’i sigurojë Sandersit nëntë nga 24 delegatët që do të përfaqësojnë këtë shtet në Konventën Kombëtare të Demokratëve që mbahet në muajin korrik, ku partia nominon kandidatin për president të SHBA-së.
Edhe pse ai kishte më pak vota, Buttigieg gjithashtu do të sigurojë nëntë delegatë.
Duke falënderuar përkrahësit, ai u zotua se nuk do t’i nënshtrohej “vizionit të polarizuar” të politikës.
Çfarë kishte ndodhur javën e kaluar në votimet e para të demokratëve?
Rezultatet e një votimi të demokratëve në Ajoa, gjatë javës së kaluar, u vonuan për shkak të problemeve teknike.
Për dallim nga Ajoa, votimet në Nju Hampshirë tradicionalisht konsiderohen si parësore pasi votat numërohen nga shteti, jo partia.
Të dy shtetet janë kryesisht rurale dhe të bardha, dhe jo përfaqësuese të elektoratit më të madh të demokratëve.
Mbetet pikëpyetje nëse votuesit që kanë dalë nga Ajoa dhe Nju Hempshër mund të tërheqin një koalicion më të gjerë të votuesve që përfshin edhe votuesit me ngjyrë.
A është fundi i garës për Biden?
Për muaj të tërë pasi ai i hyri garës në prill të vitit 2019, Joe Biden u pa si pararendës, duke marrë 41% në anketimet në shkallë vendi.
Ish-nënpresidenti i SHBA-së, 77 vjeç, zuri vendin e katërt në Ajoa, dhe mbështetja e tij ka rënë në 20% në shkallë vendi, duke e rradhitur atë për herë të parë pas senatorit Sanders.
Ende pa u mbyllur vendvotimet Biden u nis nga Nju Hempshër drejt Karolinës së Jugut.
Mbështetja për Biden është më e fortë në mesin e votuesve afrikano-amerikanë, të cilët përbëjnë rreth dy të tretat e elektoratit kryesor demokrat të shtetit jugor.
Sidoqoftë, një sondazh i Quinnipiac tregoi se mbështetja ra pas rezultateve në Ajoa, nga 52% në 27% – megjithëkëtë,Biden është ende demokrati më i popullarizuar për votuesit me ngjyrë.
Zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara do të mbahen më 3 nëntor dhe nga Partia Republikane, presidenti aktual, Donald Trump, do të garojë edhe për një mandat.
Komentet