Ka patur shkëmbime midis Aaron Sorkin dhe Mark Zuckerberg në lidhje me lirinë e fjalës. Aaron Sorkin që ka marrë Oskar si skenaristi i filmit që i dedikohet krijuesit të rrjetit social i drejtohet Zuckerberg përmes një Letre të Hapur në NYT. Nga ana e tij Mark Zuckerberg reagon në shtëpinë e tij, dmth në Facebook përmes një monologu shkëputur po nga një film i Aaron Sorkin, i “The American President”, 1995. Pra, Mark Zuckerberg i përgjigjet Sorkin me Sorkin. Përkthimi nga Rafaela Prifti.
LETER E HAPUR E AARON SORKIN PER MARK ZUCKERBERG DHE REAGIMI I TIJ
Mark,
Në vitin 2010, shkruajta skenarin e filmit “Rrjeti Social” dhe e di e se ti do doje të mos e kisha shkruar. Ti protestove se filmi kishte pasaktësira dhe se Hollivudi nuk e di se ç’do të thotë të bësh një gjë vetëm për hir të këtij akti. (Në të vërtetë e dimë mirë – me këtë punë merremi për ditë.)
Nuk iu kundërvura akuzave të tua publike ndaj filmit si trillim sepse kam kaluar një pjesë të mirë të jetës në teatër, por ti ashtu si edhe unë e di mirë se skenari është kontrolluar me mikroskop nga një ekip avokatësh të studios së filmit që punojnë për një klient dhe një qëllim: Të mos paditen nga Mark Zuckerberg!
Ironia nuk më shqitej kur lexoja copëza nga fjalimi yt në Georgetown University, ku ti mbroje në emër të lirisë së shprehjes, modelin e Facebook-ut për reklamat me përmbajtje të pavërtetë publikuar nga kandidatët e fushatës. E admiroj përkushtimin tënd ndaj lirisë së shprehjes. Edhe unë e kam fort për zemër Amendamentin e Parë. Por edhe më me rëndësi është fakti që është gurthemeli i demokracisë sonë dhe duhet të qëndrojë i patundur.
Prandaj kjo nuk mund të jetë pasoja që dëshirojmë ti dhe unë, që të zbrazësh gënjeshtra në rezervat e ujit të cilat qelbin vendimet më të rëndësishme që duhet t’i marrim bashkarisht. Ato mashtrime kanë efekte konkrete dhe shumë të rrezikshme për rezultatet e zgjedhjeve, për jetën tonë dhe atë të fëmijve tanë.
Mos permend Lari (Larry) Flint. As Lari Flint nuk do ta thoshte këtë. Nuk mund të bësh krahasim me industrinë pornografike prej së cilës njerëzimi nuk pret të marr informacion. Gjysma e popullsisë amerikane thotë se Facebook-u është burimi kryesor i lajmeve për ta. Zgjidhja e problemit do ishte që ata të drejtoheshin tek një tjetër burim lajmesh ose që ti të vendosësh që Facebook-u të publikojë informacion të verifikuar.
Në afishen e filmit “Rrjeti Social” është shkruar batuta ‘Nuk mund të bësh 500 milion veta miq pa bërë disa armiq.’ Kjo shifër është tejkaluar disa herë sepse pas nëntë vitesh një e treta e planetit përdor Facebook-un.
Dhe pikërisht aty, ka një publikim që deklaron se Xho Biden i pagoi një miliardë dollarë Prokurorit të Ukrainës për të mos e hetuar djalin e tij. Çdo milimetër e publikimit është gënjeshtër dhe mban logon tënde. Kjo nuk është mbrojtje e lirisë së shprehjes, por vrasja e së vërtetës.
Ti dhe unë e mbrojmë lirinë e shprehjes për të mos lejuar që dikush të burgoset apo eliminohet sepse tha diçka që nuk gëzon popullaritet por jo për t’i hapur rrugën gënjeshtrave drejt e tek elektorati amerikan.
Edhe pasi skenari im për filmin “Rrjeti Social” i plotësoi kërkesat e ekipit ligjor të studios Sony, ne dërguam një kopje –sipas premtimit në një takim – tek një grup nëpunësish të kompanisë tënde dhe i ftuam të jepnin sugjerime. (Një prej tyre pyeti nëse mund të ndërroja emrin e universitetit të Harvard-it dhe nëse duhej të ishte në film emri i kompanisë Facebook.)
Pas përfundimit të xhirimeve të filmit, caktuam një shfaqje preliminare për drejtuesen operative, Sheryl Sandberg. Ajo u ngrit në këmbë në mes të filmit, u kthye nga producentët në fund të sallës dhe tha: “Si mundeni t’ia bëni këtë një çilimiu?” (Ti ishe 27 vjeç në atë kohë por nejse, e marr vesh se ç’donte të thoshte.)
Unë uroj që drejtuesja e Facebook-ut të hyj në zyrë dhe të anoj pakëz nga ty (siç sugjeron ajo në librin e saj) dhe të thotë: “Si mundet t’ua bëjmë këtë dhjetra milionë çiliminjve? Vërtet do publikojmë se Kamila Harris ndërsente zagarë në bodrumin e një picerie ndërsa Elizabeth Warren zhduku provat që vërtetojnë se ndryshimi i klimës është fars apo se klika sekrete shtetërore i ka shitur drogë Rashida Tlaib dhe Colin Kaepernick-ut?”
Nuk është formuluar – ende – ligji që kërkon përgjegjësi platformës që mbart reklama të publikuara nga përdoruesit për përmbajtjen e reklamës së publikuar në të, siç ndodh me studiot e filmave, rrjetet televizive dhe botuesit e librave e revistave. Pyet Peter Thiel, që financoi një padi ligjore për shpifje kundër platformës Gawker dhe e çoi në falimentim deri në mbyllje të biznesit. (Duhet ta kesh numrin e tij në telefon sepse ka qenë një nga investuesit e parë për Facebook.)
(Aaron Sorkin është dramaturg dhe skenarist amerikan, me prodhimtari shumë të suksesshme në teatër dhe film. Për përshtatjen e skenarit të filmit “Social Network” 2010 (Rrjeti Social), Sorkin u nderua me çmim Oskar nga Akademia e Kinematografisë.)
Reagim: Mark Zuckerberg i përgjigjet letrës së Aaron Sorkin botuar në Nju Jork Tajms duke cituar një monolog nga skenari i një filmi tjetër të Sorkin, “Presidenti Amerikan” 1995:
“Amerika nuk është e kollajshme. Amerika është qytetari e përparuar. Duhet ta duash me gjithë shpirt se ta përplas në fytyrë. Dhe të thotë: Ti ngrihesh në mbrojtje të lirisë së shprehjes? Ta shikojmë sa do ta mbrosh kur dikush flet për gjëra që të përvëlojnë shpirtin dhe nga mesi i skenës trumbeton me të madhe krejt të kundërtën e asaj të cilës ti, me të njëtin pasion, ia ke përkushtuar gjithë jetën. Ti deklaron se kjo tokë është vendi i lirive? Atëherë simboli i vendit nuk mund të jetë një flamur; sepse në atë rast duhet të jetë edhe imazhi i nënshtetasit që ushtron të drejtën e vet ta djegë atë flamur në shenjë proteste. Manifestoje këtë, ngrihu në mbrojtje të kësaj dhe thuri nderime në çdo klasë shkolle. Pastaj, çohu dhe këndo për tokën e lirë.”
Përktheu: Rafaela PRIFTI
Komentet