Në Uashington, u zhvillua të mërkurën mbrëma me ceremoni festive një program që sjell studentë nga Kosova dhe Shqipëria në Shtetet e Bashkuara.
Janë me dhjetëra studentë, të cilët pasi mbarojnë studimet këtu kthehen në vendet e tyre për të ndihmuar në zhvillimin e shoqërive ku jetojnë.
KAEF quhet Fondacioni Amerikan i Edukimit për Kosovën, të cilit kohët e fundit i është shtuar edhe një program i ri për të sjellë studentë nga Shqipëria.
Siç njofton kolegu ynë Ilir Ikonomi, synimi është që numri i bursave të rritet për të kontribuar drejtpërdrejt në të ardhmen e të dy vendeve.
Fondacioni amerikan i Edukimit për Kosovën, ka sjellë deri më sot mbi 100 studentë, të cilët sot punojnë në Kosovë, në fushat më të nevojshme dhe në disa prej institucioneve të saj më të rëndësishme.
Liridona Osmanaj e cila po mbaron masterin në Universitetin Duke në Durham të Karolinës së Veriut, shpreson që së shpejti të kontribuojë për ndërtimin e vendit të saj.
“Unë besoj se është një ndër profesionet më të rëndësishme, sepse ne jemi një shtet në tranzicion, një shtet në zhvillim“, thotë Liridona.
Ambasadorja e Kosovës në SHBA Vlora Çitaku thotë se gjatë tre dekadave të fundit Kosova ka kaluar nëpër ndryshime mjaft të mëdha dhe në shumë aspekte.
“Ndërtimi i një shteti dhe i një shoqërie është mjaft i komplikuar dhe duhen njerëz të kualifikuar për të patur ndryshim të qëndrueshëm. Jemi me fat që kemi patur kaq shumë kosovarë të rinj që kanë studiuar në universitetet më të mira amerikane. Përmes KAEF-it ne kemi patur mbi 100 studentë, të cilët janë kthyer në Kosovë jo vetëm me njohuritë e tyre por edhe me një etikë shumë të lartë. Ata të gjithë janë bërë përfaqësues të ndryshimit,” thotë ambasadorja.
Studentët përzgjidhen nga më të mirët, në bazë të standardeve më të larta. Ata studiojnë në mbi 40 universitete amerikane, duke përfshirë Harvardin, Columbia, Johns Hopkins, Duke dhe Yale.
Shumica studiojnë administrim biznesi dhe ekonomi por ka edhe një numër gjithnjë e më të madh që po studiojnë drejtësi, marrëdhënie ndërkombëtare dhe gazetari.
Këto bursa janë një investim i drejtpërdrejtë në të ardhmen e Shqipërisë dhe Kosovës.
Nuk është çështja thjesht për të shkolluar një individ. Financuesit shpresojnë se studentët që vijnë këtu do të sjellin një mendim ndryshe kur të kthehen, do të mund të luftojnë korrupsionin dhe të nxisin zhvillimin e ekonomive në Shqipëri dhe Kosovë.
Në SHBA vijnë shumë nxënës nga Shqipëria me programe të ndryshme, thotë ambasadorja e Shqipërinë në Uashington Floreta Faber. Dëshira e tyre e madhe është t’i shërbejnë vendit amë:
“Nëse jo të gjithë, shumica e tyre janë kthyer në Shqipëri. Ata kanë vazhduar studimet në universitetet shqiptare. Gjithmonë i kam bërë pyetjen vetes: A do të rrinë apo do të kthehen? Shumica e tyre kanë vendosur të kthehen.”
Ambasadorja e Kosovës në Nju Jork, Teuta Sahatçija, pati një falenderim për partnerët amerikanë që siç u shpreh ajo, i dhanë Kosovës shansin të jetojë e lirë:
“Janë shumë të rinj që kanë përfituar bursa nga Fondacioni Amerikan i Edukimit për Kosovën apo bursa të tjera. Sot ata po ndërtojnë Kosovën moderne.”
Gaz Gjonbalaj është anëtar i bordit të drejtorëve të fondacionit KAEF. Në fillim ai ka qenë donator dhe përkrahës.
“Çdo vit nga Kosova sjellim 8 studentë. Këtë vit filluam me Shqipërinë, filluam me 10 bursa, duke iu falënderuar Fondacionit të Familjes Biberaj si dhe American Albanian Development Fund,” tha zoti Gjonbalaj për Zërin e Amerikës.
Paula Shehu, njëra ndër aplikantet dhe fitueset thotë se dëshiron që të kthehet dhe të kontribuojë për zhvillimin e Shqipërisë. “Dua të bëj të mundur që të rinjtë të mos largohen nga Shqipëria,” tha ajo për Zërin e Amerikës.
Fondacioni i Familjes Biberaj ka kontribuar me 2.5 milion dollarë për të sjellë në Amerikë studentë nga Shqipëria me bursa masteri.
“Shpresoj që edhe ky fondacion do të zgjasë ashtu si edhe Fondi i Kosovës me vite të tëra. Këta studentë studiojnë magjistratura të ndryshme. E kanë të paguar çdo gjë. Qëllimi është të bëjnë ndryshimin kur të kthehen,” thotë zoti Gjonbalaj.
Vetë zoti Gjonbalaj është një biznesmen i suksesshëm, i cili beson se vjen një moment në jetë kur njeriu duhet t’i kthejë shoqërisë dhe vendit të tij një pjesë të asaj që ka arritur:
“Jam i sigurt se forca është brenda nesh. Nuk është veç edukimi që studentët marrin në Amerikë. Është besimi se gjithçka është e mundur”.
Komentet