Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, ka caktuar ditën e enjte për votimin. Në një letër drejtuar ligjvënësve, ajo shprehet se kështu “do të eliminohen dyshimet” mbi procesin.
Zonja Pelosi shprehet se resoluta do të “konfirmojë hetimin aktual; do të përcaktojë procedurat për seanca dëgjimore që janë të hapura për popullin amerikan dhe për transferimin e evidencës tek Komisioni për Gjyqësorin, si dhe do të parashtrojë të drejta ligjore gjatë këtij procesi për presidentin dhe avokatët e tij”. Presidenti Donald Trump dhe republikanët e kanë quajtur të paligjshëm hetimin pasi po zhvillohet me dyer të mbyllura dhe nuk u votua ndonjëherë në Dhomën e Përfaqësuesve.
Sot, tre komisione të Dhomës së Përfaqësuesve pritet të dëgjojnë dëshminë e Kolonel Lietnant Alexander Vindman, i cili punon në Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Në një deklaratë me shkrim të dorëzuar paraprakisht, ai thotë se ishte ndër personat që dëgjuan telefonatën e 25 korrikut, gjatë së cilës Presidenti Trump i kërkoi një “favor” Presidentit Zelenskiy. Ai kërkoi hapjen e hetimeve në Ukrainë për ndërhyrje të këtij vendi në favor të demokratëve në zgjedhjet amerikane të 2016-tës, si dhe për akuzat për korrupsion të kandidatit demokrat për president, Joe Biden, dhe djalit të tij, Hunter, i cili punonte për një kompani gazi natyror në Ukrainë.
Kolonel Lietnant Vidman shprehet se “u shqetësova nga telefonata. Nuk mendoj se ishte e përshtatshme t’i kërkohej një qeverie të huaj të hetojë një shtetas amerikan, si dhe u shqetësova për pasojat ndaj mbështetjes së Shteteve të Bashkuara për Ukrainën“.
Komentet