Presidentët Donald Trump, Barack Obama, George Bush dhe Bill Clinton janë disa nga figurat politike që kanë qenë klientë të Diego D’Ambrosios. Ky berber i lindur në Itali ka prerë flokët e më shumë se 46 kryetarëve të shtetesh që nga viti 1968 në Uashington.
Diego thotë se ka qenë privilegj që u ka prerë flokët kaq shumë figurave të rëndësishme politike, por ai thotë se çdo klient është i rëndësishëm.
“Të gjithë janë njësoj. Të gjithë klientët që vijnë këtu, marrin të njëjtin shërbim”.
Në vitin 2010, kryetari i bashkisë së Uashingtonit e riemërtoi rrugën ku ndodhet dyqani i tij. Ajo që më parë ishte rruga Q, tani quhet rruga “Diego D’Ambrosio”.
Klientët vlerësojnë jo vetëm punën e tij për prerjen e flokëve, por edhe përfshirjen e tij në komunitetin lokal.
“Kam ardhur këtu për gati 40 vjet me radhë. Familja e tij është këtu. Vjen dhe të gjithë janë si një familje. Sigurisht që është një stilist i shkëlqyer, kështu që më bën gjithmonë të dukem mirë”, thotë një klient i dyqanit.
Edhe pse Diego ka qenë berber për disa dekada dhe pavarësisht disa kufizimeve shëndetësore, ai nuk ka ndërmend të dalë në pension.
“Dua t’jua them shumë seriozisht: e dua punën time. I dua njerëzit, më pëlqen të shoh njerëz, më pëlqen t’u shërbej njerëzve, dhe kjo funksionon … sepse më paguajnë”, thotë duke qeshur berberi.
Askush në dyqanin e tij nuk e di sa vjeç është ai. Edhe njerëzit që punojnë me të nuk janë të sigurt nëse ai do të dalë ndonjëherë në pension.
“Është nga ata njerëz që nuk ua kupton moshën. Ai duket njësoj”, thotë një ndihmës i tij.
Po cili është sekreti i Diegos?
“Mos mendo asnjëherë që je sëmurë apo i moshuar. Asnjëherë s’e mendoj se jam i moshuar”.
Diego ka në plan t’i mbajë hapur dyert e dyqanit të tij dhe thotë se fjalët “biznes i mbyllur” nuk do të ekzistojnë kurrë në fjalorin e tij.
Komentet