Presidenti amerikan Donald Trump dhe bashkëshortja Melania u pritën nga dhjetëra protestues gjatë vizitave që bënë dje në Dejton të Ohajos dhe El Paso të Teksasit, ku fundjavën e kaluar ndodhën dy vrasje masive me armë zjarri. Demonstruesit në të dy qytetet shprehën zemërimin e tyre për rregulloret e pamjaftueshme për armët si dhe ndaj komenteve të Presidentit për emigrantët dhe njerëzit me ngjyra që janë denoncuar si raciste.
Pak para se të nisej nga Shtëpia e Bardhë për në Ohajo dhe Teksas, Presidenti Trump u mbrojt edhe një herë ndaj kritikave në rritje se komentet e tij përqafojnë dhe inkurajojnë supremacizmin e bardhë. Ai shkoi aq larg sa që la të kuptohet se i dyshuari për vrasjet masive në Ohajo mbështeste kundërshtarët e tij liberalë.
“Pra, kritikët e mi janë njerëz politikë, ata po përpiqen të fitojnë pikë. Në shumë raste ata janë duke kandiduar për president dhe janë shumë poshtë në sondazhe. Nëse shihni ngjarjen në Dejton, ky ishte personi që mbështeste Bernie Sandersin, lëvizjen Antifa, senatoren Elizabeth Warren, me sa kuptoj. Nuk kishte asnjë lidhje me Presidentin Trump. Pra, këta janë njerëz që kërkojnë përfitime politike. Dhe sa më shumë që të jetë e mundur unë jam përpjekur të qëndroj jashtë kësaj”.
Përshëndetja e ngrohtë që zotit Trump iu rezervua nga personalitetet vendase kur mbërriti në Dejton ishte në kontrast me protestuesit e zemëruar që ishin rreshtuar në rrugët jashtë spitalit ku ai dhe zonja e parë vizituan disa nga 27 personat e plagosur nga ngjarja e së dielës, ku u vranë 9 vetë.
Senatori Demokrat i Ohajos Sherrod Brown thotë se ai i kërkoi presidentit të nxisë aleatët e tij republikanë të Senatit të ndërmarrin veprime të shpejta lidhur me legjislacionin e ri për kontrollin e armëve të miratuar tashmë në Dhomën e Përfaqësuesve të kontrolluar nga demokratët.
“Si kryetarja e bashkisë ashtu edhe unë i bëmë thirrje Presidentit që t’i kërkojë udhëheqësit të Senatit Mitch McConnell ta mbledhë Senatin përsëri në seancë këtë javë, për t’i thënë se ai dëshiron që të debatohet projektligji i miratuar tashmë nga Dhoma për kontrollin e të shkuarës së personave që blejnë armë. I kërkova Presidentit të më premtojë mua dhe popullit amerikan se ai do ta nënshkruajë atë projektligj pasi të jetë shprehur në mbështetje të tij bashkë me senatorin McConnell.”
Në El Paso, ku 22 njerëz u vranë në një supermerkat vetëm disa orë para vrasjeve në Dejton, Presidenti Trump vlerësoi personelin e urgjencës që u erdhi në ndihmë viktimave dhe kapi personin që shtiu.
“Puna që keni bërë si polici, si zbatues të ligjit, si reagues të parë, është e jashtëzakonshme. Dhe të gjithë po e thonë këtë. Unë desha të vij dhe t’ju falënderoj sepse jeni njerëz shumë të veçantë”.
Zemërimi ishte i madh edhe në El Paso, qytet në kufi me Meksikën. Personi i dyshuar për vrasjet Patrick Crusius, njoftohet se postoi një mesazh supremacist në internet pak orë para se të qëllonte, duke shprehur urrejtje të madhe ndaj hispanikëve.
Shumë banorë të El Pasos fajësuan retorikën e presidentit dhe politikat e tij kundër emigrantëve pa dokumente nga Meksika dhe vende të tjera të Amerikës Qendrore.
“Këto politika të mbushura me urrejtje zbatohen pikërisht këtu në komunitetin tonë çdo ditë. Ky sulm, dhe secili para tij, ka qenë një sulm ndaj të drejtës sonë për të ekzistuar. Sot, në një ditë kur komuniteti ynë është ende i tronditur, ende në zi dhe ende duke marrë veten nga ky sulm terrorist dhe supremacist, sepse kjo është e vërteta. Në një ditë kur komunitetet latino në të gjithë vendin kanë frikë se nesër mund të jetë radha e tyre. Sot ne duhet ta mbajmë Presidentin përgjegjës për modelin e racizmit që karakterizon administratën e tij.”
“Ne kemi një president që demonizon komunitete si ky,” tha Beto O’Rourke, kandidat demokrat për president, i cili më parë përfaqësonte El Pason në Kongres.
Presidenti e sulmoi zotin O’Rourke në Twitter para se të arrinte në El Paso, duke e ironizuar për rezultatin e ulët në anketa dhe duke e akuzuar për falsifikim të origjinës familjare për ta paraqitur veten si hispanik.
Komentet