Në garën për të zbritur në Hënë në vitet 1960, zhvillimi i raketave të mëdha që mund të nxirrnin një anije të hapësirës jashtë atmosferës së Tokës morën rëndësi kritike për suksesin e programit Apollo. “Qyteti i Raketave” siç njihet qyteti Hantsvill në Alabama ishte vendlindja e raketës Saturn V. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Kane Farabaugh, 50-vjetori i misionit për të dërguar njeriun në Hënë ka rikthyer në vëmendje rolin historik që ka luajtur ky qytet në programin Apollo:
Në 50 vjetorin e lëshimit të raketës që dërgoi në hapësirë anijen me astronautë që do të zbrisnin në Hënë, “Qyteti i Raketave” po përpiqet të thyejë një rekord të ri:
“Po hedhim 5000 raketa në miniaturë për të thyer rekordin botëror Guiness,” thotë Randall Robinson, Drejtor i trajnimeve në Kampin Hapsinor.
Randall Robinson është drejtor i trajnimeve në Kampin Hapsinor, një program intensiv përgatitor mbi shkencën dhe hapësirën për të rinjtë. Shumë prej tyre po ndjekin hedhjen e raketave në mjediset e kampit veror që ndodhet në kampusin e Qendrës Amerikane për Hapësirën dhe Raketat.
“Synimi që i kemi vënë vetes për të thyer këtë rekord është domethënës, pasi po tërheq përsëri vëmendjen tek Huntsvilli për rëndësinë që ka pasur në programin Apollo,” thotë zoti Robinson.
Në vitet 1950- 1960, shkencëtari Wernher von Braun drejtoi në Hantsvill Qendrën e NASA-s për Fluturime Hapsinore, duke çuar në zhvillimin e raketës Saturn V. Vajza e shkencëtarit thotë se babai i saj së bashku me ekipin e tij nuk kishin kurrë dyshim në suksesin e përpjekjeve të tyre dhe rëndësinë e programit Apollo.
Margrit Von Braun, Vajza e shkencëtarit Wernhern von Braun
“E dinim se do të kishte sukses. U rritëm me bindjen se do të arrinim synimin, kështu vepronte i gjithë ekipi shkencor”.
Margrit Von Braun ishte ndër të ftuarit që u mblodhën në Hantsvill për të festuar 50 vjetorin e programit Apollo, duke nderuar ata mijëra vetë që kontribuuan për ta bërë realitet zbritjen e njeriut në Hënë.
Zonja Von Braun e pa me sytë e saj momentin e hedhjes në hapësirë e anijes që do të dërgonte njeriun në Hënë në 1969. Ajo kujton momentin kur e kishte ndjekur lëshimin e raketës së bashku me të atin që njihet si “Babai i Shkencave Raketore”.
“Ishte hera e parë që shihja nisjen e një mjeti hapsinor. Nuk kam fjalë ta përshkruaj. Kështu thonë edhe shumë të tjerë. Zhurma, fuqia e motorrit, lëvizja e ngadaltë e raketës kur po shkëputej nga kulla mbajtëse… s’kam për t’i harruar ndonjëherë”.
“Është moment historik pasi arritëm të zbresim në Hënë. Hedhja e raketës ishte me rëndësi,” thotë një pjesëmarrëse në kampin hapsinor.
12-vjeçarja Lillian Duran nuk kishte lindur kur mbi sipërfaqen e Hënës shkeli për herë të fundit njeriu. Por ajo shpreson që në këtë përvjetor të zbritjes në Hënë do të zgjohet interesim i ri tek brezat për programet hapsinore.
“Duam të shkojmë edhe më tej në eksplorimet në hapësirë,” thotë ajo.
Kureshja e pandarë e njerëzimit për hapësirën frymëzoi një brez të rinjsh të bëhen astronautë e inxhinierë të hapësirës, ndër ta edhe Homer Hickman, autor i librit të suksesshëm me kujtime “Djemtë e Raketave”.
“Ky moment shërben për të festuar një arritje të së kaluarës, por na jep edhe një impuls për shtysë drejt së ardhmes”.
Zyrtarët në Qendrën Amerikane për Hapësirën dhe Raketat presin të pastrohet ajri dhe të marrin konfirmimin e përfaqësuesve të organizatës Guiness se është thyer një rekord i ri. Pak metra më tutje, në mjediset e Qendrës Për Fluturimet në Hapësirë vazhdojnë kërkimet për të zhvilluar gjeneratën e re të raketave që do t’i japë trajta të ardhmes së eksplorimit të hapësirës, me udhëtime në Hënë dhe një ditë edhe në Mars.
Komentet