Gara e rrëmujshme e demokratëve që konkurojnë për president, ku deri tani kanë hyrë 24 kandidatë i ka vënë pretendentët përballë detyrës së vështirë për t’u dalluar nga të tjerët. Shumë prej tyre premtojnë plane për të luftuar pabarazinë në të ardhura. Kjo politikë ka në qendër një problem real të shoqërisë amerikane si dhe vë në shenjestër politikat e administratës Trump, e cila përmes reformës fiskale ka lejuar shkurtim të ndjeshëm të taksave për amerikanët më të pasur, por u ka ofruar vetëm përfitime modeste amerikanëve me të ardhura të ulëta.
Kjo temë është shumë e përshtatshme për tonin e fushatave, pasi shoqërohet me statistika që ndezin turmën duke nxitur thirrje për veprim.
Pak kohë më parë, Elise Gould, ekonomiste pranë Institutit të pavarur për Politika Ekonomike dëshmoi në Kongres se “familjet më të pasura që përfaqësojnë 1% të popullatës kanë përjetuar rritje të të ardhurave në masën 229% që nga 1979, shumë më tepër se 46% rritje ose rritje në masën 1% për vit për 90% të familjeve amerikane që përfaqësonë shtresat më të varfëra”.
Hendeku ekonomik po thellohet. Sipas Institutit për Studime Politike, tre personat më të pasur: Jeff Bezos, Bill Gates dhe Warren Buffet së bashku kontrollonin më shumë pasuri se 50% e amerikanëve që përfaqësojnë gjysmën më të varfër të vendit. 5% e amerikanëve që renditen si personat më të pasur në vend kontrollojnë 2/3 e pasurisë së përgjithshme të vendit.
Sanders, i pari me thirrjet për mbylljen e Hendekut në të Ardhura
Senatorit nga Vermonti, Bernie Sanders i takon merita që e solli në qendër të vëmendjes këtë temë. Tani që konkurron për herë të dytë për president, zoti Sanders vazhdon të bëjë thirrje për taksa ndëshkuese ndaj më të pasurve dhe betohet të mbledhë 2.2 miliardë dollarë nga afro 600 miliarderë që ka Amerika, duke rritur taksën mbi shumën që trashëgojnë pasardhësit duke e çuar në 77% të shumës. Ai ka mbështetur prej kohësh rrogën minimale prej 15 dollarësh.
Shumë nga politikat që ai parashtroi gjatë fushatës përballë rivales demokrate Hillary Clinton tani janë përqafuar nga konkurrentë të tjerë demokratë.
Biden me plane që ndërthurin Politika Progresive e të Moderuara
Ish-nënpresidenti Joe Biden ka propozuar zgjidhe që përpiqen të gjejnë balancën mes politikave që duan të taksojnë të pasurit dhe alternativave më të moderuara që pat përqafuar administrata Obama. Zoti Biden ka kritikuar ligjet që mbrojnë shumë të pasurit nga taksimi i trashëgimisë si dhe shkurtimet e taksave që miratoi administrata Trump, duke i cilësuar si favorizuese për më të pasurit. Por gjithashtu ai ka premtuar se nuk do të vërë në shenjestër të pasurit me taksa ndëshkuese.
Warren premtojn “taksë mbi Ultra Milionerët”
Ndër kandidatët më agresivë është Senatorija Elizabeth Warren e cila ka propozuar “taksë mbi ultra milionerët”. Në bazë të propozimit do të ndëshkoheshin me 2% taksë pasurie të gjithë ata që kanë më shumë se 50 milionë dollarë pasuri neto dhe me 3% të gjithë ata që janë miliarderë. Të ardhurat për buxhetin që do të rezultonin nga këto politika do të ndihmonin programe që mbështesin familjet me të ardhura të ulëta, duke ofruar kujdes si për shembull kopshte falas për fëmijët, si dhe banesa me kosto të ulët, thotë zonja Warren.
Propozimet fiskale të Kamala Harris
Senatorja Kamala Harris ka propozuar rimbursim deri në 6000 dollarë të taksave në vit për familje. Ajo mbështet rrogën minimale prej 15 dollarësh si dhe programe për të mbrojtur amerikanët nga kostot e strehimit që marrin 30% të të ardhura të familjes. Ajo kërkon eliminimin e shkurtimit të taksave që miratoi administrata Trump.
Kryebashkiaku Butigieg pro Rrogës Minimale $15
Kryebashkiaku Pete Buttigieg aktualisht është pak i paqartë në politikat që mbështet për të zgjidhur pabarazinë ekonomike. Ai mbështet rrogën minimale prej 15 dollarësh dhe forcimin e sindikatave që të mund të luftojnë për paga më të larta. Ai gjithashtu kërkon leje të paguar për nevoja familjare dhe lehtësira për kujdesin për fëmijët e vegjël.
O’Rourke pa shumë shpjegime
Ish-ligjvënësi nga Teksasi Beto O’Rourke, ka qenë më i paqarti ndër kandidatët kryesorë lidhur me politikat për të zgjidhur hendekun ekonomik mes shtresave amerikane. Gjatë fushatës ai ka pohuar se ka një përqëndrim të pashembullt të pasurisë dhe privilegjit tek një grup i vogël njerëzish, por nuk ka dhënë shpjegime si do ta adresojë këtë problem. Në faqen elektronike të fushatës së tij, ky problem nuk renditet si një ndër përparësitë e tij politike.
Booker premton “Bono për Foshnjet”
Disa nga propozimet më të padëgjuara më parë mbi këtë temë kanë dalë gjatë kësaj fushate, por pa tërhequr shumë vëmendje nga votuesit. Senatori Corey Booker propozon “bono për foshnjet” për të vënë mënjanë 1000 dollarë në vit (në rastet e familjeve të varfra 2000 dollarë në vit) për çdo fëmije të lindur në SHBA. Paratë do t’i mbante në një llogari Departamenti i Thesarit deri kur fëmija të arrinte moshë të rritur. Këto fonde do të arrinin afro 46 mijë dollarë për person duke i dhënë mundësi personit të blinte një banesë, apo të financonte studimet ose pensionin.
Yang flet për “Lirinë e Përpjesëtuar”
Andrew Yang, i cili krijoi një kompani shumë të suksesshme për përgatitjen e studentëve për provime universitare, megjithëse pa përvojë politike ka tërhequr vëmendje për propozimin që t’i ofrojë çdo amerikani një të ardhur minimale bazë. Ai e cilëson si “Liria e Përpjesëtuar” apo “Liria e Shpërndarë” dhe propozon që qeveria t’i ofrojë çdo amerikani 1000 dollarë në muaj që do të mbulohet nga një taksë mbi transaksionet finaciare dhe ka propozuar gjithashtu eliminimin e favorizimeve përmes taksave të të ardhurave nga investimet.
Pavarësisht se kush do ta fitojë garën mes pretendentëve demokratë, fituesi pritet të dalë në garë përballë Presidentit Trump me disa propozime që do të adresojnë hendekun në të ardhura mes amerikanve më të pasur dhe shtresave të mesme e të varfra.
Komentet