Presidenti Donald Trump fillon zyrtarisht fushatën elektorale për rizgjedhjen e tij, në një shtet kyç – Floridën. Presidenti Trump shpreson se votuesit do ta shpërblejnë në votime vitin e ardhshëm për ekonominë e fortë të vendit. Por, ndërsa i afrohemi garës së vitit 2020, anketime të ndryshme tregojnë se ai mbetet jopopullor në segmente të mëdha votuesish. Kjo është zakonisht një shenjë rreziku për një president që kërkon të rizgjidhet.
Air Force One ulet për një miting në Pensilvani, një ndër shtetet kryesore për zgjedhjet e 2020-s, dhe ku Presidenti Trump fitoi me vështirësi në vitin 2016.
Presidenti Trump e shikon ekonominë amerikane si avantazhin e tij kryesor në këtë fushatë elektorale.
“Politika është një botë e çmendur. Por, kur kemi shifrat më të mira të punësimit në histori; kur kemi nivelin më të ulët historikisht të papunësisë; kur kemi ndoshta ekonominë më të mirë që kemi patur ndonjëherë… Nuk di se si mund t’i humbasim këto zgjedhje, apo jo?”, u tha mbështetësve Presidenti Trump.
Një reklamë e re televizive e fushatës Trump u kujton votuesve arritjet e tij.
Ndërsa shpall zyrtarisht në Florida synimin për të rikandiduar, Presidenti Trump duke se është gati të përballet me këdo që mund të shfaqet nga një mori kandidatësh demokratë për president.
Për momentin, ish-Nënpresidenti Joe Biden kryeson në radhët e demokratëve, ndërsa është përqëndruar tek kritikat ndaj Presidentit Trump.
“Në pikëpamjen time, ai është një kërcënim, një kërcënim ndaj vlerave tona thelbësore. Katër vitet e Donald Trump-it do të shihen si një anomali në historinë amerikane. Tetë vite do të ndryshonin me themel atë çfarë ne jemi si komb, dhe se si na sheh bota”, deklaroi zoti Biden.
Të dhënat e anketimeve më të fundit i kanë nxjerrë në avantazh zotin Biden dhe disa kandidatë të tjerë demokratë, në një matje teorike përballë Presidentit.
Presidenti Trump hodhi poshtë edhe anketimet e brendshme të fushatës së tij, të cilat gjithashtu tregonin se zoti Biden dhe disa kandidatë të tjerë demokratë do të fitonin me diferencë të madhe në disa shtete kyçe.
Por, anketimet në një fazë kaq të hershme për zgjedhjet presidenciale mund të jenë jo të sigurta.
“Siç e pamë në vitin 2016, anketimet dhe gara mund të ndryshojnë papritur. Mendoj se presidenti mund të detyrohet të pranojë realitetin duke thënë se ka mbetur prapa dhe se nuk është hapur sa ç’duhet. Megjithatë është e rëndësishme që demokratët të kuptojnë se anketimet mund të ndryshojnë parpritur dhe shpesh nuk tregojnë se si është pozicionuar publiku amerikan”, i tha kanalit ABC analisti politik Mattthew Dowd.
Megjithë ekonominë e fortë, niveli i miratimit për Presidentin Trump vazhdon të jetë historikisht i ulët.
Dhe ka mbetur kështu për pjesën më të madhe të presidencës së tij.
“Nëse shqyrtojmë vetëm anketimet mund të themi se asgjë nuk ka ndryshuar. Donald Trump ka qenë gjatë gjithë presidencës së tij në nivelin nga 30% deri në mbi 40% të miratimit”, thotë Larry Sabato, i Universitetit të Virxhinias”.
Nga anketimet del se megjithëse Presidenti Trump ka mbajtur përgjithësisht të kënaqur bazën e tij politike, atij i duhet të gjejë mënyrat për ta zgjeruar këtë bazë në mënyrë që të rrisë shanset e fitores.
Komentet