Gjatë tubimit për fushatë në Florida, presidenti u kujtoi përkrahësve përfundimet e raportit të Prokurorit të Posaçëm, Robert Mueller:
“E patë çfarë ndodhi? Nuk u zbulua bashkëpunim i fshehtë. Nuk u zbulua pengim i drejtësisë. Asgjë. Duan të vazhdojnë me këtë marrëzi. Ndoshta po e analizoj gabim, por kështu si po shkon po na çojnë drejt fitores në 2020-ën, pasi njerëzit e kuptojnë çfarë po ndodh”.
Hetimet nuk zbuluan bashkëpunim të fshehtë mes fushatës së presidentit dhe Rusisë për të ndërhyrë në zgjedhjet e 2016-ës.
Prokurori Mueller nuk doli me konkluzion lidhur me dyshimet për pengim të drejtësisë, por as nuk u shpreh se presidenti ishte provuar i pafajshëm. Presidenti ka deklaruar disa herë se raporti e nxori të pafajshëm.
Republikanët thonë se ka ardhur koha për ta lënë pas procesin hetimor.
“Përfundoi. E kuptoj përse miqtë tanë të kahut tjetër politik janë të zhgënjyer. Janë përpjekur kaq shumë për të gjetur një mënyrë që të anulonin rezultatin e zgjedhjeve të 2016-ës,” tha kreu i republikanëve në Senat, Mitch McConnell.
Demokratët po përpiqen ta ndëshkojnë Prokurorin e Përgjithshëm William Barr për mosbindje ndaj Kongresit, sepse nuk pranoi të dorëzonte raportin e Prokurorit Mueller në formë të plotë.
“Ata po bllokojnë të drejtën e amerikanëve për informacion. Është e papranueshme,” thotë ligjvënësi demokrat Jerry Nadler.
Megjithatë, mes demokratëve ka dy kampe, pro dhe kundër fillimit të procesit për shkarkimin e presidentit.
“Procesi për shkarkim është një ndër më përçarësit që mund të ndërmarrim. Nëse e marrim atë rrugë, duhet t’i kemi të garantuara shanset e suksesit,” tha kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.
Republikanët kontrollojnë Senatin, duke i bërë shumë të vështira shanset e suksesit në procesin për shkarkim që mund të hapin demokratët, thotë eksperti David Abraham:
“Një proces për shkarkim që nuk ka aspak mbështetje nga republikanët do të përshkruhet gjatë fushatës zgjedhore si vazhdim i gjuetisë së shtrigave nga demokratë që nuk duan ta pranojnë se humbën zgjedhjet”.
Hetimet mbi ndërhyrjet ruse mbeten një temë e hapur politike dhe do të jenë pjesë e debatit presidencial, thotë eksperti John Fortier:
“Demokratët janë shumë të pakënaqur me presidentin, ndërsa shumë prej republikanë janë shumë të kënaqur me të. Kjo formulë krijon mobilizim politik. Megjithëse krijon situatë të acaruar, ajo i nxit njerëzit të dalin e të votojnë në zgjedhje”.
Megjithë zhurmën që shkaktoi procesi hetimor, popullariteti i Presidentit Trump ka mbetur pak a shumë i pandryshuar, thotë analisti Matt Dallek:
“Niveli maksimal që ka arritur është mjaft i ulët… rreth 44%. Nuk ka kapur kurrë 50% mbështetje. Është hera e parë që kur filluan anketat që një president nuk kap nivelin 50% të mbështetjes. Por edhe niveli minimal është mjaft i qëndrueshëm. Ai nuk ka rënë asnjëherë nën 36%”.
Presidenti vazhdon të deklarojë se raporti e nxori të pafajshëm, ndërsa demokratët do të vazhdojnë seancat dëgjimore mbi veprimet e administratës. Por fjala e fundit u takon votuesve në zgjedhjet presidenciale të nëntorit 2020.
Komentet