Pentagoni tha se pas disa muaj paralajmërimesh, Shtetet e Bashkuara i dhanë fund lëvrimit të pjesëve të avionëve ushtarak F-35 në Turqi, një veprim hakmarrës për shkak të vendimit të Ankarasë që të vazhdojë me blerjen e sistemeve kundërajrore ruse.
Udhëheqësit më të lartë amerikanë janë kërcënuar në vazhdimësi se do të refuzojnë planet e Turqisë për të blerë avionë të avancuar F-35, nëse ajo nuk braktisë përpjekjet për të blerë sistemet ruse S-400.
Ndërprerja e dërgimit të pjesëve dhe doracakëve të nevojshëm për avionët gjatë kësaj vere, është hapi i parë drejt ndërprerjes së plotë të shitjes së avionëve.
Ushtruesi i detyrës së zëdhënësit të Pentagonit, Charles Summers, tha se “Shtetet e Bashkuara kanë qenë të qarta se blerja e sistemeve S-400 është e papranueshme. Derisa të heqin dorë nga sistemet S-400, Shtetet e Bashkuara kanë pezulluar dërgesat dhe nëse Turqia blenë sistemet S-400, pjesëmarrja e saj në programin F-35 është në rrezik”.
Vendimi i Shteteve të Bashkuara pasoi deklarimet e ministrit turk të Punëve të Jashtme, i cili tha se vendi i tij është i përkushtuar ndaj marrëveshjes për blerjen e sistemeve ruse dhe po diskutohen datat e dorëzimit të tyre.
Udhëheqësit amerikanë të mbrojtjes kanë thënë që nëse Turqia, një aleate e NATO-s, nuk rishikon blerjen nga rusët, do të humbiste avionët dhe sistemet e tjera ushtarake amerikane.
Gjatë një dëgjimi në Kongres muajin e kaluar, gjenerali amerikan Curtis Scaparrotti, komandanti i lartë i NATO-s, tha se këshilla e tij kryesore është që Shtetet e Bashkuara të mos punojnë me një aleat që blen sisteme ruse që mund të kërcënojnë një nga mundësitë më të përparuara të ushtrisë amerikane.
Zyrtarët shprehën shqetësimin po ashtu se blerja nga Turqia e sistemeve amerikane dhe ruse, do të mund t’i jepte Moskës qasje në teknologjinë e sofistikuar amerikane dhe do t’i krijonte mundësi që të gjejë rrugë për t’iu kundërvënë sistemit F-35.
Në vitin 2017 Ankaraja nënshkroi një marrëveshje me Moskën për sistemin e raketave S-400. Në të njëjtën kohë, Turqia ka ndihmuar për financimin e programit F-35 dhe ka planifikuar të blejë 100 avionë nga SHBA-ja, pjesa e parë të cilëve është parashikuar t’i dorëzohet autoriteteve turke më vonë gjatë këtij viti.
Komentet