Agjencitë amerikane të inteligjencës, në përpjekjet e tyre për të hartuar kursin e katër viteve të ardhshme, po përballen me një botë gjithnjë e më kaotike, e cila komplikohet edhe më shumë nga teknologjia që ndryshon me shpejtësi, nga dobësimi i rendit ndërkombëtar të udhëhequr nga Perëndimi dhe nga shqetësime që lidhen me fondet e pamjaftueshme.
Këto shqetësime, të përfshira në Strategjinë e re Kombëtare të Inteligjencës që u publikua të martën, vijnë ndërkohë që qeveria e SHBA vazhdon prej një muaji të jetë në darën e mbylljes së pjesshme.
Ndërsa agjencitë kryesore amerikane të zbulimit kanë financim të paktën deri në fund të shtatorit, dokumenti i ri i strategjisë paralajmëron pamundësinë për t’u ofruar agjencive të zbulimit buxhete të qëndrueshme, çka mund t’i verë në rrezik të gjitha përpjekjet e tyre.
“Pasiguria e vazhdueshme me buxhetin federal e dobëson aftësinë e Komunitetit të Inteligjencës për të marrë vendime të përgjegjshme përsa u përket burimeve,” thuhet në strategjinë e re.
Sipas zyrtarëve të SHBA, tani për tani, agjencitë dhe programet e inteligjencës po gjejnë mënyra për t’iu përgjigjur një numri në rritje kërcënimesh të ndryshme dhe të ndërlidhura.
“Ne përballemi me sfida të rëndësishme në mjedisin e brendshëm dhe atë global”, shkruan drejtori i Shërbimit Kombëtar të Inteligjencës Dan Coats në hyrjen e tekstit të strategjisë së re.
“Për të naviguar në mjedisin e sotëm të turbullt dhe kompleks strategjik, ne duhet t’i bëjmë gjërat ndryshe,” shton ai.
Zyrtarët thonë se një pjesë e rëndësishme e kësaj shtytjeje për t’i bërë gjëra ndryshe, është mbajtja e fokusit te transparenca, veçanërisht kur bëhet fjalë për zbulimin dhe kundërpërgjigjen ndaj sulmeve në hapësirën kibernetike.
Shtetet e Bashkuara prej kohësh kanë hezituar të ekspozojnë me emër dhe me shpejtësi vendet apo grupet që janë gati të ndërmarrin sulme kibernetike. Por strategjia e re vë theksin tek shkëmbimi me të tjerët i këtij informacioni zbulimi sa më gjerë që të jetë e mundur “me qëllim mbrojtjen e rrjeteve jetike të informacionit dhe të infrastrukturës kritike.”
Në të njëjtën kohë, strategjia e re sheh një nevojë të vazhdueshme për të mbajtur të informuar publikun e gjerë, si përsa u përket kërcënimeve ashtu edhe asaj se sa larg lejohen të shkojnë agjencitë amerikane të zbulimit kur është fjala për mbledhjen e informacionit në hapësirën kibernetike.
Kërcënimet, sipas zyrtarëve të inteligjencës, do të vazhdojnë të vijnë nga fuqitë e mëdha si Rusia dhe Kina, por edhe nga grupe terroriste dhe rrjete kriminale, madje edhe nga individë.
“Aftësia e individëve dhe e grupeve të veçanta për të patur një ndikim më të madh se kurrë më parë – politikisht, ushtarakisht, ekonomikisht dhe ideologjikisht – po minon institucionet tradicionale”, paralajmëron strategjia.
Ndërkohë, vazhdojnë të lindin edhe prirje të reja si rezultat i avancimit të teknologjisë.
Strategjia paralajmëron se përparimet në bio dhe nanoteknologji vërtet kontribuojnë për një kujdes më të mirë shëndetësor, por mund të shndërrohen edhe në armë.
Zyrtarët amerikanë të zbulimit paralajmërojnë për një konkurrencë më të madhe në hapësirë, ku Rusia dhe Kina po përpiqen të krijojnë “një gamë të gjerë armësh anti-satelitore, që mund të shkatërrojnë aftësitë amerikane për grumbullimin e informacionit të zbulimit.
Ata gjithashtu paralajmërojnë se komercializimi i hapësirës mund të bëjë që ky domen të jetë i hapur për çdo individ që ka para të mjaftueshme për përdorimin e satelitëve privatë.
Strategjia e re e inteligjencës paralajmëron për trazira që mund të vijnë nga migracioni, urbanizimi dhe ndryshimet klimatike “duke rënduar kapacitetet e qeverive në mbarë botën”. Kjo, thuhet aty, ka të ngjarë të çojë në një frakturim të mëtejshme të shoqërive, gjë që mund të krijojë “shtretër për kultivimin e radikalizimit”.
Komentet